Ministri Reçica hap konsultimet publike për Projektligjin e Punës dhe atë të Pushimit të Lehonisë dhe Prindërorë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica përmes një konference për media ka lansuar konsultimet publike për Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindërorë, të hartuara nga MPMS. Me këtë rast, Reçica ka ftuar sindikatat, bizneset dhe përfaqësuesit e tyre, shoqërinë civile, ekspertë të fushave, që të kontribuojnë me komente e sugjerime të cilat do të përfshiheshin në realizimin e të drejtave për qytetarët tanë, e që synohen të përfshihen në projektligjet e lartpërmendura. Duke folur për këto dy projektligje, Reçica tha se ato janë një prej reformave kyçe që MPMS ka ndërmarrë, që kanë për qëllim mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punës në marrëdhëniet kontraktuale punëdhënës-punëmarrës, trajtimin meritor të nënave lehona në Kosovë, si dhe është në funksion të zhvillimit dhe avancimit të procesit drejt fazës integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian. Nëpërmjet tyre synohet të rregullohet marrëdhënia e punës ku do përfshihen kontratat e punës dhe format e lidhjes së kontratës, orari i punës, gjobat, pushimi e lehonisë, paga minimale, pushimi mjekësor, pushimi pa pagesë dhe elemente tjera që përmbledhin fushën e marrëdhënies së punës. Këto dy projektligje, në të cilat janë inkorporuar direktiva dhe praktika të mira nga BE-ja synojnë të përmirësojnë elemente të cilat kanë qenë të papërshtatshme në ligjin aktual të punës. Sa i përket pushimit të lehonisë, Reçica tha se 3 muajt e parë të pushimit të lehonisë, pagesa do të bëhet nga punëdhënësi me 70% të pagës bazë, 6 muajt në vijim do të paguhen nga Qeveria e Kosovës me 50% të pagës mesatare në Kosovë dhe 3 muajt e tjerë do të jenë pa pagesë. Në Ligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindërorë për herë të parë do të trajtohen edhe lehonat e papunësuara të cilat do të kompensohen me një shumë të caktuar të pagës minimale për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë. Me këtë projektligj parashihet edhe pushimi prindëror pa pagesë në kohëzgjatje prej katër muajsh për nënën dhe babain, derisa fëmija të mbush moshën 2 vjeçare. Për të gjithë të interesuarit, konsultimet publike të hapura të mërkurën do të jenë publike në platformën online të faqes së MPMS-së, www.mpms.rks-gov.net dhe të cilat do të zgjasin deri më 25 tetor të këtij viti.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …