Ministri Shala në Ditën Botërore të Standardeve: Le të fillojmë të krijojmë besimin në produktet vendore

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë hapjen e Ditës Ndërkombëtare të Standardizimit, ku është bërë edhe zbulimi i logos së re të Agjencisë Kosovare të Standardizimit. Mesazhi i ministrit Shala për këtë ditë ka qenë, që të krijohet besimi në produktet vendore, sepse sipas tij, shumica nga to po shërbehen me standarde SK. Ministri ka treguar se e ka prioritet fuqizimin e standardeve, duke nënshkruar edhe udhëzimin administrativ për logon e re. “Dje nënshkrova Udhëzimin Administrativ për Logon e Agjencisë së Standardeve, si dokument që vendos rregullat për përdorimin e kësaj embleme të agjencisë dhe simbol identifikimi për Organin Standardizues të Kosovës. Ky udhëzim në formë simbolike paraqet hartën e Kosovës, në dy romba (katror në cep) si ekuivalencë figurash, sikur  vetë standardet që tregojnë një model se si të prodhohet një produkt”, ka thënë Shala. Ministri e ka quajtur probleme politike mos përfshirjen e certifikimit në Agjencinë e Standardizimit. “Një sfidë për të gjithë ne mbetet mospërfshirja e certifikimit në Agjencinë e Standardizimit, me ç‘rast standardizimi kosovar do të bëhej më i fuqishëm, më suportues, dhe standardet kosovare, me bazë evropiane SK -EN do të implementoheshin në shkallë më të lartë”. Ministri ka kërkuar që të rritet besimi në produktet vendore duke shtuar se do ta mbështes AKS-në që standardet të implementohen në shkallën më të lartë.  “Unë kam kërkuar nga drejtuesit e AKS-së që Ligjin e ri për Standardizimit ta plotësojnë  edhe me udhëzime administrative për certifikimin, që standardet të implementohen në shkallë të dëshiruar. Unë do ta mbështes  AKS-në në ngritjen e një Sektori të  certifikimit, që ky shërbim të ofrohet nga institucionet tona, le të fillojmë të krijojmë besimin në produktet tona vendore, ngase shumica e tyre tashmë po shërbehen me standardet SK. Raportet e AKS-së na tregojnë që shitja e standardeve çdo vit është në rritje, kështu që ne dëshirojmë të besojmë që Kosova po bëhet më konkurruese me produktet dhe shërbimet e veta”, ka thënë Shala. Ministri ka falënderuar edhe projektin FMG, që po e ndihmon AKS-në për anëtarësimet në mekanizma ndërkombëtarë. “Po ashtu dua ta falënderoj projektin e BE-së për Qarkullimin e Lirë të Mallrave i cili po mbështet fuqishëm katër shtyllat e Infrastrukturës së cilësisë që operojnë brenda MTI-së, nga të cilat standardizimi është bazamenti i kësaj infrastrukture”, ka thënë ministri Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …