Ministri Shala priti në takim kryeministrin Haradinaj, viti 2019 u cilësua i investimeve strategjike

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku është diskutuar për klimën e investimeve në Kosovë dhe prioritetet e MTI-së gjatë vitit 2019. Ministri Shala tha se ky vit do të jetë i investimeve strategjike, ku bëri të ditur se me Ligjin për Investime Strategjike deri më tani kanë aplikuar 11 kompani, e që vlera e investimit është 1 miliard e 800 milionë euro. “Kisha nderin që ta kem në MTI kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku e njoftova me prioritetet e MTI-së dhe unë si ministër që do t’i kem gjatë vitit 2019. Fokusi kryesor gjatë takimit me kryeministrin ka qenë investimet strategjike, kompetencë kjo e MTI-së. Unë e njoftova kryeministrin që kanë ardhur 11 investitorë strategjikë, investime këto që kapin shifrën e 1 miliard e 800 milionë euro, e që shumë shpejt, pas ndryshimeve të fundit me ligjin që kemi bërë, mendoj nga fillimi i këtij muaji të nisim me shpalljen e investitorëve strategjikë. Po ashtu temë e takimit me kryeministrin ishte edhe prioritetet e tjera të MTI-së, që mendojmë t’i zhvillojmë dhe realizojmë gjatë këtij vitit, që janë ekonomia, zhvillimi i vendit tonë, përkrahja e prodhuesit vendor, përkrahja e bizneseve e me këtë ta forcojmë ekonomi dhe ta rrisim punësimin”, tha ministri Shala. Ndërsa, kryeministri Haradinaj ka falënderuar ministrin Shala për punën dhe angazhimin, që sipas tij, është hetuar në përmbajtje. Haradinaj ka theksuar se ka lajme të mira sa i përket investitorëve strategjikë, duke nënvizuar që shumë shpejt do të shpallen investitorët strategjikë. “Është pak rastësi që po ja fillojmë vitin e punës me vizitën e parë në MTI. Biseduam për zhvillimet, por edhe për objektivat. E falënderova ministrin për angazhim që vërtet hetohet në përmbajtje. Tani para vetës kemi një periudhë të mirë dhe kemi lajme të mira se e gjithë rregullativa dhe legjislacioni është gati për të shkuar drejt shpalljes së investitorëve të parë strategjikë, diçka që e kemi pritë dy dekada. Mora vesh nga ministri që në dhjetë ditët e para mund të shpallet investitori i parë strategjik dhe shpresoj që Kosova do ta merr këtë lajm, dhe kësisoj do të pasojnë edhe 11 investitorë strategjikë në kualifikim e sipër, që kapin vlerën afër 2 miliardë euro investime, shumica janë në energji, transport e turizëm. Kemi hy në një fazë intensive të zhvillimit të vendit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …