Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar dhe do të krijojë mundësi për punësimin e mjekëve dhe infermierëve për të cilët sektori i shëndetësisë ka shumë nevojë me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore profesionale në kohë. Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë vizitës që i bëri sot repartit të ri të Mjekimit Intensiv Qendror të QKUK-së, ku është njohur për së afërmi me punimet që po bëhen për hapjen e këtij reparti në QKUK.
Ministri Ismaili theksoi se sektori shëndetësor ka nevojë për investime qeveritare në infrastrukturën shëndetësore, pasi që me këtë do të ngriten kapacitetet ofruese të shërbimeve nga QKUK. Gjatë vizitës në repartin e rinovuar të Mjekimit Intensiv Qendror, ministri Ismaili u njoftua nga përfaqësuesit e TIKA-s që është financuese e projektit për Mjekimin Intensiv Qendror të ri, me ecurinë e punimeve të kryera, të cilët po shkojnë drejt finalizimit.