leoni

Ministri Zemaj, premtoi përkrahje për shëndetësinë e Malishevës

Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, kanë qëndruar në Malishevë, ku janë pritur nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Liridon Hoti, drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina dhe nga përgjegjës tjerë komunal. Fillimisht, ministri Zemaj, është pritur në objektin e komunës, ku nënkryetari i komunës, Hajdin e Berisha e ka informuar ministrin me situatën me pandemi në Malishevë, menaxhimin e situatës dhe për ndikimin e pandemisë. Nënkryetari Berisha, tha se “Sot jemi në ditën e 165, prej kur është shënuar rasti i parë, dhe nga ajo ditë, shtabi komunal emergjent, është i angazhuar 24 orë në ditë në menaxhim të situatës dhe konsiderojmë se situata është e menaxhueshme, pavarësisht rasteve”. Nënkryetari Berisha, gjithashtu tha se, stafi shëndetësor është shumë i përgatitur dhe nga dita e parë, është duke trajtuar rastet me covid, të cilët nuk janë të hospitalizuar por trajtimin e bëjnë shtëpi. “Gjendja është e menaxhueshme, por për ne brengosëse është numri i madh i të vdekurve”, tha Berisha, i cili gjithashtu e falënderoi IKSHP-në dhe IRSHP-në në Prizren, për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe me pandemi. Ministri Zemaj, e vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e komunës në menaxhimin e situatës, përderisa shprehi shqetësimin për numrin më të madh të vdekjeve në këtë regjion në përgjithësi, si në Malishevë, Rahovec, Prizren e Gjakovë. Ministri Zemaj, tha se jemi në një fazë të re menaxhimit të situatës dhe të gjitha veprimet do të merren në konsultim me komunat, dhe tha se është i interesuar që ti ndihmoj komunat në çdo aspekt, në mënyrë që bashkërisht të tejkalohet kjo situatë dhe situata aktuale të mbahet në kontroll. Sa i përket shëndetësisë në përgjithësi, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj, edhe duke ju përgjigjur kërkesave të drejtorit komunal për shëndetësi, Lirdon Hoti, tha se do ta përkrahë Komunën e Malishevës, në rritjen e kapaciteteve njerëzore, përkatësisht shtimin e stafit shëndetësorë, pasi kjo është nevojë, sidomos tani kur edhe urgjenca e QKMF-së, është drejt përfundimit dhe nevojat janë të mëdha. Këtë premtim ministri Zemaj, e bëri edhe në deklarimin për medie. Më pas, është vizituar edhe QKMF në Malishevë, ministri Zemaj, nënkryetari Berisha dhe drejtori i IKSHPK, Ramadani, kanë mbajtur një konferencë për medie, ku edhe janë publikuar të dhënat e fundit të testimeve për covid-19 në vend. Gjatë komunikimit të raportit të sotëm për covid1-9, u bë e ditur se në Komunën e Malishevës, sot janë regjistruar 6 raste të reja me covid-19, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë. Raste aktive me covid-19 në Komunën e Malishevës, janë 35 raste, ndërsa nga 198 rastet e deritanishme, 145 janë shëruar, kurse 18 persona kanë ndërruar jetë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …