Ministri Zharku Inauguroi fillimin e punimeve në Rrethrrotullimin tek udhëkryqi i Janjevës

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku i shoqëruar nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, inauguroi fillimin e punimeve për rrethrrotullimin në rrugën nacionale Prishtinë-Ferizaj, tek udhëkryqi i Janjevës.

Lidhur me rëndësinë e ndërtimit të këtij rrethrrotullimi, ministri Zharku theksoi se rrethrrotullimi në fshatin Banullë apo siç quhet udhëkryqi i Janjevës do të ndërtohet sipas planit dinamik për 45 ditë pune. Përveç kësaj, gati kanë përfunduar punimet e rrethrrotullimit për Magurë, apo te rruga e Burgut. Në këtë komunë është realizuar edhe asfaltimi i rrugës Sllovi-Smallushë-Gadime, ndërsa këtë vit do të vazhdohet me rehabilitimin e rrugës Lipjan-Blinajë, kurse janë duke vazhduar punimet në rrugën Lipjan-Magurë. Në anën tjetër, është paraparë edhe zgjerimi i kësaj rruge në katër korsi nga kjo pjesë deri në Lipjan, u shpreh ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti e falenderoi ministrin Zharku për kontributin e tij në realizimin e këtij projekti duke e vlerësuar si njërin nga projektet më të qëlluara, për arsye se ky vend ka qenë njëra ndër pikat e zeza, në të cilin janë shkaktuar dhjetëra aksidente me fatalitet. Ndërtimi i një rrethrrotullimi të tillë është i një rëndësie të veçantë për qytetarët e komunës së Lipjanit e poashtu edhe për ata të Kosovës, sepse do të rritet niveli i sigurisë në këtë rrugë”, ka thënë Ahmeti.

Vlera e këtij projekti kap shumën rreth 400 mijë euro dhe do të financohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Projekte të tjera, të cilat është duke i realizuar Ministria e Infrastrukturës janë:

Rekonstruimi  i rrugës  “Lipjan – Blinaj”, në vlerë prej 200 mijë euro.

Rekonstruimi i rrugës “Sadik Shala”- Lipjan, në vlerë prej 200 mijë euro.

Ndërtimi i rrugës Vojnovc (Shtime) – Topliqan (Lipjan), në vlerë prej 100 mijë euro.

Ndërtimi i rrugës nga fshati Lluga (Lipjan) deri të fshati Radevë (Graqanicë) në vlerë prej 100 mijë euro.

Ndërtimi i rrugës “Verbicë e Zhegovcit (Gjilan) – Sllovi (Lipjan) në vlerë prej 500 mijë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …