Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, inauguroi projektin e kamerave monitoruese për testimin e kandidatëve në Njësinë për Patentë-Shoferë në Prishtinë.
Me këtë rast ministri Zharku, pa nga afër vendosjen e kamerave në sallat e kësaj njësie që kanë të bëjnë me testimin teorik, njëkohësisht edhe vendosjen e kamerave në veturat në të cilat do të testoheshin kandidatët në testimin praktik. Në të njëjtën kohë ministri Zharku, e pa edhe procesin e përcjelljes apo monitorimin e testimit të kandidatëve në të dyja testimet si atë teorik po ashtu edhe në atë praktik.
Në konferencën me gazetarë, ministri Zharku këtë projekt e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm: ”Sa i përket vendosjes së kamerave në pjesën praktike besoj se kjo shkon në rritjen e një transparence, e cila transparencë do të ndihmojë në luftimin e dukurive negative si dhe një vlerësim real të kandidatëve të cilët do të testohen për marrjen e patentë-shoferit”.
Ministri Zharku, po ashtu tha se së shpejti pritet që testimi teorik i kandidatëve të bëhet në mënyrë elektronike e që në mënyrë automatike secili kandidat, do ta shef rezultatin e tij në mënyrën më të shpejtë.
Kreu i Infrastrukturës, bëri të ditur se projekti për vendosjen e kamerave ka kushtuar rreth 25 mijë euro, ndërsa për testimin elektronik, i cili pritet që të realizohet së shpejti vlera parallogaritare është 500 mijë euro. Qëllimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës është që të vendosim një rregull dhe një transparencë më të mirë në procesin e vlerësimit të kandidatëve për marrjen e patentë-shoferit.
Projekti i monitorimit të kandidatëve në pjesën teorike si dhe atë praktike, do të realizohet në 7 Njësitë e Patentë-Shoferëve, në gjithë Kosovën.