Ministri  Zharku mori pjesë në inaugurimin e lokomotivës së kompanisë hekurudhore “TrainKos”

Ministri i infrastrukturës, Lutfi Zharku mori pjesë në inaugurimin e lokomotivës së kompanisë hekurudhore “TrainKos”. Ministri Zharku,  gjatë këtij solemniteti u shpreh se është për t’u përshëndetur angazhimi i bordit drejtues dhe menaxhmentit të lartë të “TrainKos-it” për modernizimin  e mjeteve motorike dhe vagonëve, duke synuar arritjen e standardeve të Bashkimit Evropian me shërbime moderne në transportin hekurudhor.

“ Modernizimi i kësaj lokomotive, investimet e mëparshme në modernizimin e mjeteve motorike dhe gjenerimin e tyre, investimet në infrastrukturën hekurudhore, përkrahja e vazhdueshme financiare për TrainKos dhe InfraKos, dëshmon se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi po angazhohet, në kuadër të mundësive buxhetore, në ngritjen e transportit hekurudhor në nivele më të larta dhe shndërrimin e tij në një shërbim konkurrues me transportin rrugor” tha ministri Zharku.

Lidhur me investimet në transportin hekurudhor, minstri  Zharku vlerësoi se investimet në modernizimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Leshak, janë dëshmia me e fuqishme se Qeveria e Kosovës ka filluar që fokusin e saj investiv ta kthej gradualisht nga investimet në Infrastrukturën rrugore në investimet e  infrastrukturës hekurudhore. “Natyrisht, një infrastrukturë hekurudhore moderne imponon domosdoshmërinë e investimeve në modernizimin e mjeteve motorike dhe vagonëve, ashtu që të dyja investimet të jenë koherente duke ofruar shërbime sa më të mira, komode dhe efikase në transportin hekurudhor te mallrave dhe udhëtarëve” tha ministri Zharku.

Ministri Zharku, ka thënë se jemi të bindur se investimet publike në këtë sektor do të ndikojnë në rritjen e performancës së hekurudhave tona duke e shndërruar atë në një sektor profitabil dhe të qëndrueshëm në aspektin biznesor. Zhvillimi i transportit hekurudhor ka ndikim të pazëvendësueshëm në aspektin e uljes së kostos së transportit që të mundësojë çmime me konkurruese të produkteve tona në tregjet rajonale dhe më gjerë. Siguria dhe saktësia e transportit hekurudhor e bëjnë këtë sektor të një rëndësie të posaçme edhe për transportin e udhëtarëve prandaj edhe këto investime në mjete motorike janë në funksion të ngritjes së cilësisë së shërbimeve.

Ministri Zharku e shprehu përkrahjen e tij si ministër i Infrastrukturës, në zhvillimin dhe modernizimin e sistemit hekurudhor si dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës se investimet do të jenë të vazhdueshme dhe në rritje nga viti në vit, deri në arritjen e synimeve tona të përbashkëta për një sistem hekurudhor modern dhe atraktiv për mallra dhe udhëtare.

Riparimi i kësaj lokomotive u financua nga  Qeveria e Republikës se Kosovës. Këtë lokomotivë e ka riparuar operatori kontraktues për riparim të lokomotivës “NTP SOLAR”. Ndërsa, vlera e këtij projekti ishte 1 milionë e 85 mijë e 600 euro.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …