Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të investojë në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ujitjes në Komunën e Malishevës, me qëllim të rritjes së rendimenteve në prodhimtarinë bujqësore dhe në zvogëlimin e dëmeve të mundshme që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe thatësira.
Për realizimin e këtij projekti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Komunën e Malishevës, për të mundësuar kështu ndërtimin e kanalit të ujitjes në fshatin Banjë të kësaj komune. Ky memorandum i bashkëpunimit është nënshkruar në mes të Sekretarit të Përgjithshëm të MBPZHR, Kapllan Halimi dhe Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Projekti i ndërtimit të kanalit të ujitjes në fshatin Banjë, ka një kosto prej afërsishtë 500 mijë euro, ndërsa qëllimi i këtij projekti është zhvillim i bujqësisë përmes ndërtimit të infrastrukturës së ujitjes të tokës bujqësore.
Bazuar në këtë marrëveshje, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, merr përsipër financimin e 90 për qind të projektit, ndërsa Komuna e Malishevës, do të financoj 10 për qind të projektit, apo shprehur në mjete afro 50 mijë euro.
Kanali i ujitjes është kërkesë e kamotshme e banorëve të fshatit Banjë, pasi në të kaluarën ky kanal i ujitjes ka ekzistuar, por me kohën është dalë jashtë funksionit, ndërsa tani pritet të ndërtohet ky kanal i ujitjes, sipas standardeve dhe duke ju përshtatu nevojave të kohës së sotme.
Me këtë rast, ministrja e MBPZHR-së, Dijana Zhiviç, ka treguar se deri më tash kjo ministri ka arritur të ndërtojë kanale të ujitjes dhe të zgjerojë shumë sisteme ekzistuese nëpër të gjitha komunat e Kosovës e këto investime ajo tha se do të vazhdojnë t’i bëjnë në vazhdimësi edhe në vitet e ardhshme.