Ministria e Financave nëpërmjet një komunikate për media bën të ditur se propozim-vendimin për garancinë për kredinë nga BERZH për “Trafiku Urban”, do ta propozojë në Qeveri për aprovim menjëherë pasi të hyjë në fuqi vendimi i komunës së Prishtinës.
“Tre hapat paraprak (autorizimi nga Qeveria i ministrit të Financave për fillim të negociatave me BERZH, formimi i grupit negociues dhe negocimi i kushteve të kredisë) tashmë kanë përfunduar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Vendimi i komunës së Prishtinës ku zotohet që në rast se “Trafiku Urban” nuk mund të kthej kredinë, atëherë merr përsipër kthimin e kredisë, hyn në fuqi 15 ditë pas ditës së aprovimit në Kuvendin Komunal. Ky vendim është votuar në Kuvendin Komunal më 18 maj.
Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi Ministrisë se Financave i hapet rruga që ta procedojë për Qeveri propozim-vendimin për dhënien e garancisë shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” dhe propozim-vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Kosovës nga Qeveria e Kosovës për autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për dhënien e garancisë shtetërore për projektin e Ndërmarrjes Publike Trafiku Urban; pas kësaj, ministri i Financave në emër të shtetit të Kosovës nënshkruan Marrëveshjen Ndërkombëtare për Garancinë Shtetërore me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Ndërmarrjes Publike Trafiku Urban; pas nënshkrimit, Ministria e Financave harton projekt-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për garancion sovran ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BERZH për projektin e ndërmarrjes publike Trafiku Urban; pas aprovimit në Qeveri të projekt-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Garancinë Shtetërore Qeverisë së Kosovës dhe BERZH për projektin e ndërmarrjes publike Trafiku Urban, projektligji nga Qeveria procedohet në Kuvend;Komisioni për Buxhet dhe Financa (KBF) e shqyrton projektligjin dhe i rekomandon Kuvendit për aprovim;Pas rekomandimit të KBF, projekt-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Garancinë Shtetërore Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe BERZH për projektin e ndërmarrjes publike Trafiku Urban duhet të votohet me 2/3 e votave të deputeteve të Kuvendit të Kosovës.