Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit reagon ndaj deklarimit të komunës së Drenasit
04/10/2019
Institucionet, Lajmet
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti ata të Drenasit se vendimi për hapjen e ish – udhëkryqit të Komoranit ka ardhur pas kërkesës së vazhdueshme të banorëve dhe bizneseve vendase. MIT si gjithnjë ndjek të gjitha procedurat e parapara me ligj, njëjtë sikur rastin në fjalë. Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë. Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT, po planifikon vendosjen e një rrethrrotulimi të përkohshëm, përmes së cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion. I rikujtojmë komunës së Drenasit, se sipas Ligjit për Rrugët, MIT është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët. Prandaj i bëjmë thirrje udhëheqësisë lokale që mos të shkaktojë panik me shpifje tek qytetarët e saj, për përfitime personale në këtë moment. Ju rikujtojmë që dy vitet e fundit komuna e Drenasit, ashtu si edhe të gjitha të tjerat në mbarë Kosovën, janë përfituese të ndihmës së madhe të MIT edhe në projekte lokale, karshi atyre të karakterit rajonal dhe nacional.