Ministria e Jashtme me anë të një komunikate ka kritikuar shtetin e Serbisë në lidhje me lojën me simbolet shtetërore në panairet e ndryshme ekonomike. Ky reagim erdhi pas lajmeve se Serbia nuk lejon flamujt e Kosovës në panaire, kurse në shtetin e Kosovës marrin pjesë mbi 70 biznese serbe. Në njoftim thuhet se hiperbolizimet me simbole nuk i shërbejnë bashkëpunimit rajonal.
“MPJ, rikujton fqinjin tonë verior, se shteti i ri i Republikës së Kosovës, i cili tashmë është njohur pothuajse nga dy të tretat e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe që është anëtarë i plotë dhe me të drejta të barabarta në më shumë se 60 Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare, lindi si rezultat i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe themeli i ndërtimit të tij është parimi qytetarë dhe karakteri shumë-etnik, që tashmë pranohet edhe nga vet komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në njoftim.