Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar, reagon ndaj lajmit të rrejshëm të portalit Albanian Post me titull “Skandal: Qindra ushtarë të FSK-së aplikojnë për viza pune në ambasadën e Gjermanisë”, të shpërndarë pastaj edhe nga disa portale tjera online. Ky lajm, sikur edhe ai i datës 13 janar 2022, i të njëjtit medium, për gjoja largimin e forcave amerikane nga Bondsteel-i, i cili u demantua edhe nga vet autoritetet zyrtare të Ambasadës Amerikane në Kosovë, duke u cilësuar nga ta edhe si lajm i rremë i modelit dezinformues rus, është trillim i plotë, propagandë qëllimkeqe, dezinformatë si dhe shkrim tendencioz dhe i pavërtetë. Republika e Gjermanisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe se prej vitesh kemi bashkëpunim bilateral intenziv në mes dy ministrive dhe forcave respektive. Dezinformata se, gjoja, tema e aplikimit për viza e pjesëtarëve të FSK-së, ka qenë temë diskutimi në takimin e tyre, është absurde, plotësisht e pavërtetë, dhe ka për qëllim dezinformimin dhe shkaktimin e konfuzionit të opinionit, qytetarëve dhe aleatëve tanë. Gjithashtu, gënjeshtra për gjoja aplikimin për vizë të qindra pjesëtarëve të FSK-së në Ambasadën Gjermane, ka qëllim për të paraqitur rrejshëm, një situatë shqetësuese dhe gjoja nivel të lartë demotivimi në radhët e pjesëtarëve të FSK-së, thuhet mes tjerash në reagimin e FSK-së.