Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos bien pre e recetave që janë publikuar në rrjete sociale. Gjatë ditës së diel shumë qytetarë nëpër rrejte sociale kanë publikuar një recetë e cila kinse shëron koronavirusin. Duke e parë që një recetë e tillë ka marrë një hov të madh në shoqëri, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë. “Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.
