Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vlerësuar se ministri në detyrë, Arben Vitia, shkeli Kushtetutën e vendit, kur e vendosi Prizrenin në karantinë, për shkak të koronavirusit. Në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se masat e ndërmarra për karantinimin e Prizrenit janë marrë me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës. Në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë më tutje thuhet:
- Të gjitha masat që kemi marrë vijnë si rekomandim direkt i IKSHPK-së. IKSHPK ka konsideruar që Prizreni konsiderohet i infektuar ose drejtpërdrejt i rrezikuar nga përhapja e infeksionit COVID-19.
- Puna jonë është bërë gati e pamundur në këtë kohë kur opozita në vazhdimësi ka refuzuar të bashkëpunojë në raport me nismat legjislative.
- Megjithatë, ne mbesim të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por po me aq përkushtim ne veprojmë për respektimin e të drejtës në jetë – e cila është e drejtë absolute.