Ndonëse mësimi në distancë shkaku i pandemisë po vazhdon, ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, thotë se ashtu siç do mbahet testi i maturës, do të mbahet edhe testi i arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta. Bajrami derisa e konsideron të suksesshëm projektin për mësimin në distancë, thotë se ky vit shkollor do të shtyhet për ditët e humbura, për shkak të mbylljes së shkollave shkaku i masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19. Ministrja e Arsimit thotë se gjatë këtyre ditëve do të merret vendimi për testin e arritshmërisë, të cilin e sheh të nevojshëm për orientimin e nxënësve nëpër shkolla. Bajrami ka dhënë edhe detaje për mbarëvajtjen e testit të maturës, i cili është planifikuar të mbahet në javën e parë të muajit korrik.
