Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim delegacionin e bizneseve gjermane të shoqëruar nga Mustafë Abazi, përfaqësues i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani. Temë diskutimi e këtij takimi, ishte krijimi i kushteve sa më të përshtatshme për investitorët e jashtëm, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës .
Ministrja Bajrami informoi bashkëbiseduesit për mundësitë dhe potencialin e kapaciteteve për investim në vendin tonë. Po ashtu, delegacioni i bizneseve gjermane u njoftua nga Ministrja Bajrami edhe me reformat programore që ka ndërmarrë Qeveria në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes. Ajo u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë përkrahje të vazhdueshme dhe të punojë ngushtë me të gjitha bizneset që janë të interesuara të investojnë në vendin tonë.
Në kuadër të këtij takimi, Ministrja Bajrami informoi bashkëbiseduesit edhe për miratimin e Ligjit për investime strategjike nga Kuvendi i Kosovës dhe mundësitë që ofron ky ligj për investitorët. Pjesëmarrësit e këtij delegacioni falënderuan Ministren Bajrami për mikpritjen dhe interesimin e saj që të bashkëpunoj me këto biznese.