Ministrja Dumoshi: Vajzat e Kosovës po thyejnë tabutë në sport

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka marrë pjesë në Forumin e parë për Vajzat Lidere në Sport, i cili u mbajt në kuadër të festës së 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, aktivitet të cilin e organizoi Komiteti Olimpik i Kosovës. Ministrja Dumoshi e vlerësoi organizimin si të rëndësisë së veçantë për faktin se shënohet me një datë të rëndësishme dhe aktiviteti ka një temë që është jetike sepse me avancimin e vajzave në sport, edhe sporti në Kosovë ka një cilësi e suksese edhe më të mëdha. Ministrja është shprehur se e mbështet fuqizimin e rolit të femrës në sport dhe të rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në sport. “Vajzat në Kosovë kanë rol të rëndësishëm në sport. Unë si ministre do të jem e suksesshme vetëm falë bashkëpunimit të ngushtë që do ta kemi, si dhe për mbështetjen e klubeve, sepse është bërë një farë dallimi mes klubeve të meshkujve dhe femrave. Kosovën do ta qesim në planin e parë të sportit dhe rinisë. Ky është vit Olimpik dhe Kosova në Lojërat Olimpike Tokio 2020, do të përfaqësohet me shumë femra”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, e cila përmendi edhe infrastrukturën sportive si njërën nga prioritetet e MKRS-së. Në Forumin u debatua për orientimet dhe strategjinë e përfshirjes së barabartë të vajzave në sport dhe në udhëheqje të sportit për të dy gjinitë! Edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në rolin e nikoqirit e pasi falënderoi ministren Dumoshi për pjesëmarrje tha se prezenca e saj e begaton aktivitetin dhe paralajmëroi se ky aktivitet do të jetë tash e tutje tradicional dhe do të jetë i natyrës ndërkombëtare. “Çdo herë për 8 mars do të organizohet një forum i tillë dhe besoj se forum do të marrë një karakter ndërkombëtar. Sporti mbetet një platformë e fuqishme dhe besoj se do të jemi shembull i mirë për barazinë gjinore. Në statutin e KOK-ut e kemi përfshirë që së paku shtatë femra të jenë në Bordin Ekzekutiv, ndërsa teorikisht ekziston mundësia me qenë 10 meshkuj me 7 femra. Nëse ju do të jeni të angazhuara mundësia është me qenë 9/8”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …