Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti i AAK-së Pal Lekaj dhe ish-deputetet, Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, do të përgjigjen sot para drejtësisë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. Në aktakuzën e ngritur më 8 prill 2016 thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim. E gjithë kjo ka të bëjë me kohën kur partitë opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së. Ndërkohë që për gjashtë herë ka dështuar që të mbahet seanca rreth këtij rasti. Seanca e gjashtë e mbajtur me 1 prill dështoi meqë të akuzuarit deklaruan se nuk janë të pajisur më provat në shkresat e lëndës, raporton Kosovapress.