Ministrja e Integrimit Evropian, ka pritur në takim, të ngarkuarin me punën e ambasadorit të Mbretërisë së Suedisë për Kosovën, Anders Wollter, me të cilin ka diskutuar rreth procesit integrues, të arriturat dhe sfidat e këtij procesi. Pasi theksoi përkushtimin për dinamizmin e procesit integrues, Ministrja Hoxha, vuri në dukje prioritetet ndër të cilat janë, zbatim i MSA-së, fuqizimi i sundimit të ligjit, reforma konform rekomandimeve për këtë proces si dhe liberalizimin e vizave. “Dinamizmi i procesit është përmbajtjesor dhe gjithëpërfshirës. E ardhmja jonë është e përcaktuar dhe për këtë kemi konsensus nacional. Përgjegjësitë tona do t’i kryejmë dhe presim integrimin e plotë të vendit tonë në institucionet ndërkombëtare”, theksoi ministrja Hoxha.
I ngarkuari me punë i Ambasadorit për Kosovën, Anders Wollter, vlerësoi angazhimin e institucioneve për procesin integrues, duke ofruar mbështetje në këtë proces. “Ne vlerësojmë angazhimin institucional të Kosovës për procesin integrues. Mbretëria e Suedisë do të jetë përkrah jush, ashtu sikur kemi qenë deri më tani. Sfidat e procesit integrues dhe vlerat e këtij integrimi, Kosovën do ta bëjnë vend më të mirë dhe pjesë të vlerave evropiane, aty ku edhe e ka vendin”, theksoi Wollter, duke i dhënë përkrahje ministres Hoxha.
Intensifikimi i bashkëpunimit dhe përkrahjes së procesit integrues nga Mbretëria e Suedisë, sipas Ministres Hoxha, do të shënojnë përparim dhe arritje të re me interes për vendin dhe qytetarët tanë, duke i kontribuar realizimit sa më të shpejt të këtij prioriteti qeverisës.