Ministrja e jashtme dhe liderja e Listës “Guxo”, Donika Gërvalla – Shwarc, pritet të largohet nga kjo pozitë në Qeverinë Kurti II. Pakënaqësitë ndaj saj si kryediplomate mësohet se janë tepër të mëdha dhe ka muaj që është negociuar me të dhe me Listën “Guxo” për largimin e saj nga Ministria e Jashtme. Demokracia.com nga burime të afërta me Qeverinë Kurti II ka mësuar se largimi i kryediplomates Gërvalla-Schwarz nga MPJ do të ndodhë pas fillimit të lëvizjeve brenda Qeverisë dhe shpalljes së disa kandidaturave për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Donika Gërvalla do të japë dorëheqje nga pozita e saj si Ministre e Jashtme dhe do të mbetet vetëm zëvendëskryeministre. Në vend të saj do të emërohet zëvendësministri aktual i MPJ-së, Kreshnik Ahmeti”. Tashmë mësohet se është arritur kompromisi i ri politik dhe Listës “Guxo” do t’i jepet Ministria e Shëndetësisë, të cilën pritet ta udhëheqë Haxhi Avdyli, ndërsa Ministrinë e Jashtme do ta marrë Lëvizja Vetëvendosje. Vendimi vjen pas kritikave të vazhdueshme që ka marrë ajo lidhur me paraqitjet e deritashme si Ministre e Jashtme. Zonjës Shvarc iu ka ofruar edhe pozita e Ambasadores së Kosovës në Gjermani, veçanërisht pas hezitimeve të Gjermanisë për ta pranuar si ambasador njeriun e afërt të saj, Hafiz Gagicën, por ajo nuk e ka pranuar. Ky burim bën të ditur se ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, është çështje ditësh kur do ta zyrtarizojë kandidaturën e tij për Kryetar të Prishtinës, duke i hyrë kështu garës së zgjedhjeve lokale që mbahen në tetor të vitit 2021. (Demokracia.com)