Ministrja Rozeta Hajdari aksidentoi me veturë një fëmijë, në Prishtinë. Heshti tërë ditën, kurse në mbrëmje dha një arsyetim irritues. Tha se “fëmija u përplas me veturën e saj”. Por, raporti i policisë tregon se Ministrja kishte tejkaluar shpejtësinë në momentin e aksidentit. Një fëmijë i moshës së mitur ka pësuar lëndime trupore, pasi ai është goditur nga vetura e ministres, Rozeta Hajdari, në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast, i cili tashmë është konfirmuar me version të “zbutur” edhe nga vetë ministrja Rozeta Hajdari. Megjithatë, raporti i policisë nuk e përshkruan rastin kaq të “but” sikur ministrja Hajdari. Demokracia.com ka arritur ta sigurojë pjesën përshkruese të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, ku thuhet se aksidenti ishte shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës nga ana e ministres Rozeta Hajdari.