Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviç, e shoqëruar nga Kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, kanë vizituar Institutin e Pylltarisë së Kosovës në Pejë.
Me këtë rast, ata kanë vizituar hapësirat e këtij instituti, duke parë nga afër punën që bëhet aty.
“Instituti Pyjor ka një rëndësi të madhe dhe është një shembull i vërtetë i bashkëpunimit të mirë midis sektorit të biznesit, shkencës dhe ekonomisë, i cili në mënyrën më të mirë kombinon prodhimin, shkencën, teknologjinë dhe shërbimet për zhvillimin e bujqësisë dhe pylltarisë në Kosovë”, tha ministrja Zivic.
Në kuadër të këtij instituti funksionon sektori për dizajnimin dhe hulumtimin, si dhe sektori i pyllëzimeve dhe prodhimeve të fidanëve.
Ministrja me drejtuesit e institutit nga afër ka vizituar edhe laboratorin e këtij instituti, i cili merret me mbrojtjen e pyjeve nga dëmtuesit dhe insektet dhe pemishten e institutit, i cili posedon më shumë se 10 hektarë dhe 1,4 milion fidane.