Kryeministri Rama nuk ka folur “për Kosovën” në Serbi, por “në interes të Kosovës”, ka thënë për mediet, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Për më tepër, sa i përket deklaratave të fundit të disa akterëve në Kosovë rreth “paternalizmit” të Shqipërisë ndaj Kosovës, ai ka bërë thirrje për qetësi dhe racionalitet, me qëllim që të mos i fryhet një zjarri, i cili nuk ekziston. Shqipëria nuk ka kurrfarë qëllimi që të marrë rol paternalist ndaj Kosovës. Për më tepër Shqipëria e dëshiron marrëdhënien e ndërsjellë me Kosovën si dy shtete të pavarura. Minxhozi, thotë për “Zërin” se vorbulla e deklaratave dhe kundërthënieve nga disa akterë në Kosovë në drejtim të kryeministrit Rama është e padrejtë, meqë ai nuk foli në emër të Kosovës, por në interes të Kosovës. Ma do mendja që është një lapsus, i cili mund të jetë përcjellë nga akterë të ndryshëm në Kosovë. Kosova ka institucionet e veta, është një shtet i pavarur, një shtet demokrat, është një shtet sikur edhe Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë që Rama nuk mund të flasë edhe për interesat e Kosovës, interesat e Shqipërisë apo të gjithë rajonit”, ka thënë ambasadori Minxhozi.
