Mirush Kurtish Dakaj (1. 1. 1962 – 11. 9. 1998)

Mirush Dakaj ishte njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai radhitet në mesin e prijatarëve të lirisë së Kosovës. I paharrueshëm do të mbetet edhe me angazhimin dhe kontributin e tij prej luftëtari internacionalist, duke marrë pjesë dhe duke luftuar heroikisht, në luftën çlirimtare të popullit kroat dhe boshnjakëve myslimanë të Bosnjë e Hercegovinës, kundër regjimit shtypës, autarkik dhe kriminal të Serbisë, në vitet 90 të shekullit XX.

Mirush Dakaj i takon plejadës së luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, gardës së liridashësve e liribërësve jo vetëm të Kosovës, por edhe popujve të tjerë të shtypur e të robëruar të ish-Jugosllavisë.

Mirushi ishe i biri i Kurtish dhe Ajete Dakajt. U lind në fshatin Caravik të komunës së Klinës, më 1 janar të vitit 1962. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore të fshatit Kijevë, ku edhe shquhet në mësime. Shkollën e mesme e filloi në Klinë, ndërsa e përfundoi në Drenas, (ish-Gllogoc). Pastaj kishte regjistruar studimet në Univesitetin e Prishtinës, por ato nuk arriti t’i përfundojë.

Duke parë dhe duke përjetuar mbi kurriz dhunën e regjimit okupator serb, sidomos pas suspendimit të autonomisë së Kosovës, Mirushi u largua nga atdheu dhe për një kohë të gjatë humbi kontaktin edhe me familjen.

Me rastin e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të përpjekjeve antiqytetëruese që po bënte regjimi i Beogradit për të ruajtur shtetin federativ, që me të drejtë konsiderohej si një burg i madh i kombeve dhe popujve, Mirush Dakaj qartëson pozicionin e tij, duke mbështetur luftën e popujve, që kërkonin shkëputje nga regjimi hegjemonist i Beogradit. Ai kishte një simpati të madhe për politikanët sllovenë të cilët u bashkuan me popullin dhe pa humbje të mëdha e shkëputën vendin e tyre nga Jugosllavia. Asokohe ndodhej në Slloveni dhe iu kishte bashkuar radhëve të sllovenëve liridashës.

Sapo kishte filluar lufta në Kroaci, në tetor të vitit 1991, Mirush Daka ashtu sikur edhe shumë shqiptarë liridashës nga Kosova dhe nga trevat e tjera shqiptare nën robërinë serbe, iu kishte bashkuar formacioneve vullnetare të forcave çlirimtare të Kroacisë. Asokohe, ishte në mesin e luftëtarëve dhe veprimtarëve të dalluar të çështjes kombëtare si Bekim Berisha, i njohur si Abe-ja, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Gëzim Hamza, Naser Ademi, Naim Maloku dhe qindra luftëtarë shqiptarë, që kishin marrë pjesë aktive në luftë për çlirimin e Kroacisë. Për Mirushin dhe luftëtarët shqiptarë ishte e rëndësishme të luftohej armiku i njëjtë, siç ishte ai serb, të dobësohej sa më shumë dhe të diskreditohej para botës si regjim shtypës e diktatorial. Ai e dinte se do të vinte radha për të luftuar edhe në Kosovë.

Me rastin e shpërthimit të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, kur ushtria jugosllave rrethoi Sarajevën dhe filloi masakrimin e popullatës myslimane boshnjake, Mirush Dakaj dhe shumë luftëtarë shqiptarë iu bashkuan luftës kundër makinerisë së regjimit të Beogradit. Prandaj shtatëmbëdhjetë muaj qëndroi në mesin e luftëtarëve boshnjakë, duke luftuar kundër masakruesve serbë, të cilët në Bosnjë  kishin kryer gjenocid dhe krime të papara të luftës. Për luftën dhe heroizmin e tij kanë folur me respekt oficerët boshnjakë e kroatë.

Në vitin 1997, Mirush Dakaj shkoi në Gjermani, te i vëllai, Bashkimi. Duke qenë në dijeni të aktiviteteve ilegale luftarake, që tashmë kishin filluar në Kosovë dhe të cilat komandoheshin nga Komandanti legjendar Adem Jashari, ai bie në kontakt me Fehmi Lladrovcin e me bashkëluftëtarë të tjerë dhe në pranverë të vitit 1998 bën përgatitjet e duhura për të hyrë në Kosovë.

Më 11 mars të vitit 1998, Mirush Daka, së bashku me Bekim Berishën, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladvoci, Sami Lushtakun, Kadri Hamitin, Fatmir Limajn, Xhelal Hajdën, Abedin Rexhën, Agim Bajramin, Haxhi Shalën e të tjerë hyri në Kosovë dhe fillimisht vendoset në Likoc, ku asokohe ndodhej kreu i luftës çlirimtare.

Sapo ishte kthyer në Kosovë Mirushi kishte vizituar familjen dhe ishte çmallur me të dhe njëherit kishte kërkuar që të mos brengoseshin për të, pasi tashmë kishte marrë pjesë në dy luftëra e nuk e merrte dot plumbi i shkaut. – “Mund të më vrasë vetëm ai nga i cili nuk e pres plumbin, e jo armiku”, – u kishte thënë ai në ndarje prindërve, motrave e vëllezërve.

 Fillimisht kishte vepruan në Likoc, pastaj në pikën luftarake të Abrisë, më vonë në Rezallë e në Llaushë dhe gjithandej ku zhvilloheshin luftime.

Në fund të marsit të vitit 1998, Mirush Dakaj kthehet në vendlindjen e tij, në Ceravik, ku pas një kohe formon njësitin e armatosur me luftëtarët e lirisë të kësaj treve të Kosovës. Në mesin e luftëtarëve kishte angazhuar edhe vëllezërit e tij, Abedinin e Nuredinin.

Njësiti luftarak të cilit i printe Mirush Daka, i njohur si Komandant “Korbi”, nofkë të cilën e kishte bartur edhe gjatë luftërave në Kroaci e në Bosnjë, kishte marrë vendim të stoponte qarkullimin e forcave ushtarake e policore serbe në relacionin Caravik-Kijevë.

Ai kishte fituar një përvojë të shkëlqyer në luftë, të cilën e zbatoi në shërbim të organizimit të luftës guerile me moton, “Sulmo befasisht dhe tërhiqu pa humbje”. Ai kishte mobilizuar djalërinë militante të fshatit të tij e të fshatrave përreth, me të cilët kishte hapur istikame në pikat strategjike sikur ishte ajo në “Shpatin e Kijevës” apo sikur quhet edhe, “Malishtat e Bashotëve”. Në këtë pikë luftarake ai stopoi autoblindat dhe makinerinë serbe të demonstronte forcë e të futej shpengueshëm nëpër fshatrat shqiptare.

Më 14 prill të vitit 1998, derisa Mirushi me  bashkëluftëtarët e tij po hapte istikame, mbi kokat e tyre kishte kaluar ulët një helikopter i forcave serbe. Ai e kishte kuptuar se helikopteri po vëzhgonte bazat e UÇK-së dhe meqenëse kishte vendosur ta sulmonte helikopterin, ai kishte urdhëruar drejtorin e Shkollës së fshatit, Gani Bashota që t’i fuste nxënësit në shkollë, nga frika se kur të sulmonte, serbët mund të ndërmerrnin aksione hakmerrëse ku do të mund të pësonin edhe nxënësit. Sapo nxënësit ishin futur në shkollë, Mirushi kishte sulmuar helikopterin, i cili kishte humbur drejtimin dhe ishte zhdukur në malet e Lutogllavës.

Komandant “Korbi” me njësitin e tij, vazhdimisht kishte sulmuar forcat serbe në lëvizje në aksin rrugor Klinë-Kijevë. Më 8 maj të vitit 1998, në fshatin Balincë, në vendin e quajtur “Rezja e Kelmendit” Mirush Daka me trimat e tij bashkëluftëtarë sulmoi forcat serbe në një afërsi prej disa dhjetëra metrash. Sulmi ishte i furishëm dhe forcat serbe kishin pësuar humbje në njerëz dhe teknikë luftarake.

Duke folur për shpirtin luftarak dhe guximin e pashembullt të Mirush Dakajt, eprori i lartë i UÇK-së, Sokol Bashota thotë se Komandant Mirushi ishte nga ata komandantë,  i cili u thoshte ushtarëve të tij, eni pas meje, unë po ju prij dhe jo, “shkoni ju atje se unë po ju ruaj nga prapa”.

Me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, nga njësitet e UÇK-së, Mirushi po projektonte zënien e grykës së Dollcit, me qëllim që ta fuste në rreth postbllokun serb në Kijevë. Duke folur për këtë ide të tij, ish-eprori i lartë i SHP të UÇK-së dhe bashkëluftëtari i tij, Rexhep Selimi ka shpjeguar se Mirush Daka si luftëtar me përvojë tërë angazhimin e tij e kishte orientuar në futjen në rrethim të Kijevës, ide të cilën ai edhe e kishte realizuar, duke sulmuar në vazhdimësi forcat serbe, atje ku nuk e prisnin.

Duke folur për aktivitetin e pandërprerë luftarak të Mirush Dakës, bashkëluftëtari i tij, eprori i UÇK-së Bedri Gashi, rrëfen se në maj të vitit 1998, Mirushi me një grup luftëtarësh i kishte kërkuar edhe disa armë për ta armatosur mirë grupin e tij. “Meqë kishim, ia dhashë pesë armët që më kërkoi. U gëzua pa masë dhe përnjëherë, me ushtarët e tij u nis në drejtim të caktuar. Disa orë më vonë, pasi kishte kryer sulmin, m’i ktheu armët duke më falënderuar sërish”, evokon ai.

Në mesin e muajit qershor 1998, Mirushi me bashkëluftëtarët e tij sërish kishte sulmuar punktet serbe në magjistralen Klinë-Kijevë. Serbët  në këtë rrugë ishin sulmuar pa ndërprerë edhe nga njësitet luftarake të cilat i komandonte Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarët e tij. Për trimërinë, guximin dhe strategjinë luftarake të konamdant Murush Dakajt dëshmojnë edhe bashkëluftëtarët e tij: Ardian Toplanaj, Ismet Maloku, Hamdi Haxhaj e shumë të tjerë. Forcat ushtarake e policore serbe, në këtë rrugë për një kohë kishin mbetur të bllokuara. Siç duket komanda e tyre kishte urdhëruar përforcime, me ç’rast kishin dërguar forca të shumta tokësore, duke përfshirë edhe aeroplanë ushtarakë.

Pas barrikadimit të kësaj rruge, Komandant “Korbi” shkon në Likoc, ku ndodhej SHP i UÇK-së dhe parashtron idenë e tij për të bllokuar përfundimisht magjistralen Klinë-Kijevë, në Pikën e Dollcit. Shtabi kishte marrë vendim dhe për të kryer këtë aksion kishte dërguar edhe përforcime njësitin luftarak “Alfa” dhe “Graniti”.

Pas luftimeve të pareshtura, më 18 qershor të vitit 1998, Mujë Krasniqi dhe Mirush Dakaj me bashkëluftëtarët e tyre zunë Grykën dhe bllokuan postbllokun e forcave policore e ushtarake serbe në Kijevë, të cilat mbetën të ngujuara rreth dy muaj. Po atë ditë, forcat e UÇK-së në fshatin Gllarevë ndërmorën një aksion të fuqishëm kundër forcave serbe. Luftimet ishin zhvilluar fyt për fyt, në një distancë deri në 20-30 metra. Në ato luftime të ashpra u dalluan Mirush Daka, Mujë Krasniqi, Sahit Jashari nga Prekazi, Besim Morina e shumë luftëtarë të tjerë emblematikë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 3 korrik 1998, gjatë luftimeve ballë për ballë kundër forcave serbe bie dëshmor luftëtari, Muhamet Haxhaj, nga Qëndresa (ish-Gllarevë). Pikërisht te vendi ku kishte rënë dëshmori Muhamet Haxhaj, Mujë Krasniqi kishte marrë në shenjë dhe kishte vrarë një oficer serb. Po atë ditë luftëtarët e lirisë kishin djegur disa automjete të focave serbe. Mjetet serbe të informimit kishin pranuar publikisht se gjatë luftimeve kishin përsuar humbje në trupa dhe teknikë lufte.

Pas zënies së Grykës së Dollcit, Kijeva për një kohë të caktuar mbeti e bllokur. Forcat serbe në asnjë mënyrë nuk mund të depërtonin përmes rrugëve që kalonin nëpër këtë zonë. Ato tashmë po kontaktonin vetëm përmes helikopterëve, duke dërguar përforcime, municion dhe ushqime në postbllokun e tyre në Kijevë.

Bllokimi i forcave serbe në Grykën e Llapushnikut dhe në Grykën e Dollcit, kishte bërë që pjesa dërrmuese e rajonit të Drenicës të shpallej zonë e lirë. Forcat serbe kishin paralajmëruar se për rimarrjen e këtyre dy grykave të ndërmerrnin një ofensivë të përgjithshme, e cila edhe ishte lejuar nga faktoi ndërkombëtar. Ofansiva serbe, në shkallë të gjerë, ishte ndërmarrë më 24 e 25 korrik të vitit 1998, me përqendrim të veçantë në Grykën e Llapushnikut dhe në çarjen e rrethimit për te depërtuar në Kijevë.

Duke qenë i sprovuar në luftë, pas zënies së Grykës dhe mbetjes në rrethim të civilëve serbë, të cilët ishin përfshirë në luftë, Mirush Daka me bashkëluftëtarët e tij kishte shkuar në fshatin Mleçan, ku kishte urdhëruar banorët serbë që të largoheshin nga fshati i tyre për disa orë, meqenëse nuk mund t’ua siguronte dot jetën. Pas këtij ultimatumi, ata kishin dorëzuar armatimin dhe ishin larguar nga fshati.

Në kohën e ofensivës serbe të verës së vitit 1998, më 24 dhe 25 korrik, Mirush Dakaj, edhe pse i sëmurë nga plagët, nuk e pushoi automatikun dhe mitralozin e tij në luftë kundër forcave serbe.

Më 1 shtator 1998, Mirushi kishte filluar përgatijet ushtarake për të sulmuar postbllokun serb që ishte vendosur te “Mulliri i Kijevës”.

Më 11 shtator të vitit 1998, derisa pikat luftarake të UÇK-së ishin duke i rezistuar një ofensive të forcave serbe që vinte nga Rezalla, duke kaluar nëpër fshatin Golluboc, në krye të detyrës bie dëshmor Mirush Dakaj, heroi i luftës në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Po atë ditë plagoset edhe vëllai i tij, Nuredini dhe bashkëluftëtari, Arben Maloku.

Dëshmori Mirush Dakaj ka lënë vëllezërit: Abedinin, Nuredinin, Bashkimin dhe motrat: Florijen, Mihrijen, Sevdijen, Nakijen e Bahrijen.

Familja Daka ka marrë mirënjohje nga SHP i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, si dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …