Mitrovica dhe SHHB “Nëna Tereze” vazhdojnë bashkëpunimin e suksesshëm

Zef Shala, kryetar i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Tereze”, dhe kryetari i Degës së kësaj shoqate në Mitrovicë, Mustafë Ademi, janë pritur nga nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, me ç’rast kanë biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, me theks të posaçëm për realizimin e memorandumit të bashkëpunimit për të riatdhesuarit. Kryetari Sahala me këtë rast e ka njoftuar nënkryetarin Mujka për ecuritë në realizimin e projektit “Kthimi në Shtëpi”, projekt ky i mbështetur edhe nga Caritasi Austriak, për realizimin e të cilit komuna e Mitrovicës dhe Shoqata Bamirëse “Nëna Tereze”, kanë nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi. Projekti ka për qëllim ri-integrimin e të kthyerve nga shtetet e huaja dhe familjeve me gjendje të vështirë ekonomiko-sociale dhe mbështetet financiarisht nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). Nënkryetari Mujka, pasi vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet komunës dhe SHB “Nëna Tereze”, tha se do të angazhohet maksimalisht për përmbushjen e obligimeve që dalin nga memorandumi i bashkëpunimit. “Do të kontaktojmë me biznese për të parë nevojat e tyre për punëtorë të kësaj fushe dhe besoj se do zgjidhet ky problem. Po ashtu, ne jemi të interesuar të thellojmë akoma bashkëpunimin me juve, sepse nga bashkëpunimi i deritashëm qytetarët e komunës kanë përfituar mjaftë, andaj edhe shfrytëzoj rastin që në emër të tyre të ju falënderoj”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …