Mitrovica lider në vend sa i përket integrimit të TIK-ut

Në kuadër të Projektit të BE-së “Teknologjia e Informacionit dhe komunikimit dhe mësimi elektronik në Arsim (TIK)-Faza II, në Mitrovicë është mbajtur Konferenca rajonale në këtë temë, në të cilën është diskutuar edhe për përvojat e Kosovës.

Konferencën, në të cilën mori pjesë edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë dhe drejtues, ekspertë dhe nxënës të shkollave nga Mitrovica, Prishtina, Vushtrria, Drenasi dhe Skenderaj, e drejtuan Andrej Flogie, lider i ekipit dhe Argjend Osmani, këshilltar  të Projektit  të BE-së “TIK- dhe mësimi elektronik në Arsim”.

Duke e shpallur të hapur konferencën, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se Kosova shquhet për përdorim të gjerë të Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit, ndërsa që komuna e Mitrovicës, duke qenë e përkushtuar dhe me ndihmën e donatorëve ka bërë hapa domethënës në krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e Teknologjisë informative dhe aplikim të saj në sistemin arsimor të Kosovës.

“Në shkollat e Mitrovicës kemi punuar që të integrojmë inovacionet dhe të aplikojmë TIK-un në mësimdhënie dhe mësim-nxënie.

Në bashkëpunim me përfaqësuesit e projektit të BE-së kemi realizuar trajnime, pajisur kabinetet e informatikës dhe ne do të vazhdojmë me këtë trend. Së fundi kemi shpërndarë nëpër shkollat e Mitrovicës më se 500 kompjuter të ardhur donacion nga Holanda, ndërsa që më parë kemi shpërndarë 300 të tjerë. Tash do të vazhdojmë me trajnimin e mësimdhënësve të këtyre shkollave, në mënyrë që ato pajisje të aplikohen me efikasitet. Shpresojmë dhe punojmë që të krijojmë kushte më të mira të punës për fëmijët tanë”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Lideri i projektit të BE-së, Andrej Flogie, tha se Kosova ka bërë një hap të vogël, por shumë të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së arsimit.

Ndërkaq, këshilltari i projektit, Argjend Osmani, pasi vlerësoi pozitivisht ë arriturat në fushën e TIK-ut në Kosovë, tha se komuna e Mitrovicës, është lider në vend  në integrimin e TIK-ut në arsim dhe se në shkollat e Mitrovicës janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, proces ky që është mbështetur fuqishëm nga drejtuesit e komunës.

“Trajnimet e mësimdhënësve janë realizuar me sukses dhe kjo teknologji ka gjetur aplikim nëpër shkolla.  Zhvillimi i arsimit varet nga pedagogjia inovative dhe aplikimi efektiv i TIK-ut. Projekti i BE-së është në fazën përfundimtare dhe komunat, sidomos ajo e Mitrovicës ka shpreh gatishmërinë të punohet edhe më shumë në këtë drejtim”, tha ndër të tjera Osmani.

Ekspertët e teknologjisë informative, drejtuesit dhe profesorët e nxënësit e shkollave të komunave të lartpërmendur dhanë kontribut të dalluar në parashtrimin e të arriturave dhe këmbimin e përvojave në këtë fushë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …