Mjetet e grumbulluara në Fondin e Sigurisë duhet të jenë të njohura për publikun, thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Qytetarët e Kosovës tash për tash nuk do të dinë se sa para janë grumbulluar në Fondin e Sigurisë për shkak se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbajë konfidecial këtë informacion. Kjo, siç ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke u mbështetur në vlerësimet profesionale “që marrin parasysh sigurinë kombëtare”, edhe në pajtim me Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë. Qeveria e Kosovës, më 2 mars, ka themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë. Ky fond është themeluar, siç ka thënë kryeministri Albin Kurti, bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.