leoni

MKRS investon 242 mijë euro për dy projekte sportive në Shtime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Shtimes, me qëllim të njoftimit për së afërmi me nevojat që ka kjo komunë në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit. Ministri është pritur nga Kryetari i Komunës, Naim Ismajli, me të cilin ministri ka diskutuar për planet dhe projektet që ka komuna në fushat që mbulon MKRS-ja. Në kuadër të vizitës, në takim, janë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Shtimes. Qëllimi i këtyre memorandumeve është mbështetja financiare në vlerë prej 145 mijë euro për projektin “Përfundimin e punimeve në Sallën e Sportit në Shtime” dhe mbështetja financiare në vlerë prej 97 mijë euro për projektin “Përfundimin e punimeve në Stadiumin e qytetit të Shtimes, përkatësisht pjesën e barit sintetik – për klubin e futbollit Vjosa”. Investimet për projektin për përfundimin e punimeve në Sallën e Sportit në Shtime pritet të bëhen gjatë vitit 2018 ndërsa për projektin Stadiumit të qytetit për klubin e futbollit Vjosa pritet të bëhen gjatë viteve 2018-2019. Ministri Gashi, me këtë rast është shprehur se MKRS-ja do të vazhdojë në mbështetje të realizimit të projekteve që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës në sport, konkretisht me nënshkrimin e dy memorandumeve, në Shtime do të krijohen dhe përmirësimit të kushteve për sportistët, të rinjtë dhe qytetarët e Shtimes. “Ministria mbetet e përkushtuar që të ndihmojë komunat në konkretizimin e projekteve kapitale në plotësimin e infrastrukturës fizike sportive. Edhe memorandumet që nënshkruam sot me kryetarin Ismajli janë në këtë vazhdë. Investimi i ministrisë në sport mbetet prioriteti ynë”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi. Ndërkaq kryetari i Komunës Ismajli falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen dhe gatishmërinë për të investuar në përmirësim të infrastrukturës sportive në Shtime. “Natyra e takimit ishte nënshkrimi i dy memorandumeve, por ne gjithashtu diskutuam edhe për projektet e ardhshme në komunën tonë dhe në emër të komunës së Shtimes e falënderoj ministrin Gashi për gatishmërinë që ka që sa më shpejtë t’i përfundojmë këto projekte të cilat janë shumë me interes për qytetarët dhe njëkohësisht e falënderoj për angazhimin që në vazhdimësi e ka përkrah komunën tonë”, tha Ismajli.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …