MKRS-ja realizon 100% të masave të parapara me PKZMSA-në

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka realizuar 100% të masave të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA-së) për vitin 2018. Në funksion të avancimit të kornizës ligjore përkatësisht përafrimit të legjislacionit me Acquis-në e BE-së, në kuadër të masave legjislative, MKRS-ja ka arritur të hartojë dhe sponsorizojë dy rregullore për të drejtën e autorit. Bëhet fjalë për rregulloren për kompensime të veçanta, akt nënligjor ky i ri në Republikën e Kosovës si dhe rregullorja për ndërmjetësim në fushën e të drejtës së autorit. Të dyja rregulloret janë miratuar në fund të tetorit të vitit të kaluar. Ndërsa masat zbatuese që MKRS-ja ka përmbushur sipas kërkesave të PKZMSA-së, janë trajnimi i 6 gjyqtarëve për të drejtën e autorit; miratimi i koncept dokumentit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; zbatimi i strategjisë kombëtare për trashëgimi kulturore, ku përfshihet avancimi dhe plotësimi i databazës së të dhënave; hartimi i planeve për menaxhimin e aseteve të trashëgimisë; realizimi i projekteve të restaurimit dhe konservimit në fushën e trashëgimisë dhe ndërhyrjen emergjente dhe hulumtime në këtë fushë. Në fushën e trashëgimisë, në Listën nën mbrojtje të Përkohshme janë përfshirë 1595 asete, me 28 sish të reja. Ka përfunduar plani i menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit, Kalanë e Prizrenit, të Vushtrrisë dhe të Novobërdës dhe këto të dhëna janë dërguar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për përfshirjen e trashëgimisë kulturore në hartat zonale. Kanë nisur dhe janë realizuar shumë projekte dhe janë bërë intervenime emergjente në kategorinë e trashëgimisë arkitekturore dhe arkeologjike. Janë realizuar edhe projekte të konservim-restaurimit. Kanë përfunduar punimet në shumë shtëpi e shumë objekte me vlera të trashëgimisë kulturore që kanë pritur me vite të restaurohen duke marrë kësisoj masa preventive nëpërmjet intervenimeve emergjente. Në kuadër të gërmimeve arkeologjike janë realizuar punë në lokalitete e kala anekënd territorit të Republikës së Kosovës. Po ashtu janë bërë shumë hulumtime në fushën e trashëgimisë. Janë botuar dhe promovuar: Harta arkeologjike- vëllimi i III-të, Monografia e trashëgimisë arkeologjike e komunës se Istogut dhe Monografia e trashëgimisë arkeologjike e komunës se Skenderajt. Në shënim të Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore dhe ne zbatim të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore, Objektivi 4 Promovimi i Trashëgimisë Kulturore respektivisht pika 4.3 Promovimi i diversitetit kulturor, respektimi dhe mbrojtja e trashëgimisë dhe shprehjes kulturore të komuniteteve të Kosovës, MKRS përmes Departamentit të Trashëgimisë Kulturore ka përmbyllur me sukses konkursin për “Çmimin Vjetor për Diversitet Kulturor 2018”. Ministri Kujtim Gashi këtë vlerësim e konsideron si një arritje të jashtëzakonshme dhe një shpagim të punës që zyrtarët e MKRS-së kanë realizuar në vitin 2018. Ministri u shpreh se do të punohet po me këtë intensitet edhe këtë vit dhe shtoi se me këtë sukses vihet në pah profesionalizmi dhe zelli i zyrtarëve të MKRS-së në raport me kriteret, kërkesat dhe standardet e BE-së.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …