Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë vlerësuar zgjedhjet në Shqipëri, duke theksuar se BE-ja do të angazhohet për mbështetjen e qeverisë së re në lidhje me reformat dhe procedimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në bllokun europian. Sipas tyre, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, e qytetarët përfituan nga një ofertë e gjerë politike në një moment tepër të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Duke cituar edhe raportin paraprak të misionit të mbikëqyrjes së zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR, garuesit zgjedhorë patën mundësi të bënin fushatë lirshëm dhe liritë fundamentale të tubimit dhe shprehjes u respektuan. Edhe korniza e përgjithshme zgjedhore dha bazat e duhura për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike. Gjithsesi, dy përfaqësuesit e BE-së thonë se kanë mbajtur shënime mbi rezervat e shprehura nga vëzhguesit në lidhje me politizimin e organizmave zgjedhore si dhe zbatimin jo konsistent të ligjit. “Ne presim masat e përshtatshme ndaj gjetjeve paraprake të misionit të OSBE-ODIHR-it, e veçanërisht ndaj akuzave për blerje votash dhe presion ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e paautorizuar të aktivistëve të partive, që mund të minojnë besimin e publikut te zgjedhjet”, theksojnë zyrtarët e BE-së. Megjithatë, ata thonë se me të mbaruar procesi zgjedhor, BE-ja do të angazhohet për mbështetjen e qeverisë së re në lidhje me reformat dhe procedimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në bllokun evropian. “Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër trafikimit dhe kultivimit të narkotikëve do të jetë me rëndësi të veçantë në këtë aspekt”, thuhet në deklaratë. Në fund zotohen edhe për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …