Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka shkruar se gjendja e krijuar në veri është e rëndë dhe në rrezik të përshkallëzimit të mëtejshëm. “Kemi pritur 2 ditë pa reaguar për ta parë kahjen që po e merr zhvillimi i ngjarjes pas datës 20. Situata e krijuar në veri është e rëndë dhe në rrezik të përshkallëzimit të mëtejshëm. Situata e krijuar nuk duket të ketë qenë e menduar, megjithëse mjaft lehtë e parashikueshme. Mungesa e vizionit dhe guximit për dialogun po na shpërfaqet në aventura të pamenduara dhe improvizime. Diskursi qeveritar nga rrahagjokset për shtrirje sovraniteti është kthyer në llojin e njohur të mençurisë, ajo që nuk bëhet pre e provokimeve. Sigurisht se do të ketë solidaritet me policët e rrezikuar, por duhet kritikë dhe kërkesë për llogari politikës miope të Qeverisë”, ka shkruar mes tjerash kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj.