Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian Monica Macovei e cilëson të gabuar sjelljen e opozitës, duke theksuar se kjo po e pengon të ardhmen evropiane të vendit. Në reagim thuhet se Shqipëria po përparon me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, duke vlerësuar avancimin në Reformën në Drejtësi. “Në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit në Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, unë besoj se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma e drejtësisë ka prodhuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet Macovei. Veprimet e dhunshme të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët evropianë. Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci evropiane, saktësoi Macovei.
