Mitrush Kuteli

Monologu i shqiptarit në “Poemin kosovar” të Mitrush Kutelit, monolog i fenomenologjisë kombëtare

“Poemi kosovar” i shkrimtarit të madh shqiptar, Mitrush Kuteli është ndër krijimet antologjike të letërsisë shqiptare në përgjithësi. Në këtë krijim fenomenal, ai me një ndjenjë të thellë përkushtimi vëllazëror e kombëtar, ka përshkruar fatin e rëndë të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët praj vitit 1912 kishin ngelur nën kthetrat e fuqive të mëdha e nën mizorinë e shteteve fqinje, të cilat jo vetëm kishin pushtuar tokat shqiptare, por vepronin me të gjitha mënyrat për t’i shfarosur shqiptarët edhe  fizikisht. Po pavarësisht përgjakjeve, masakrave, shpërnguljeve të dhunshme e mizorive fashiste sllave e greke, shqiptarët mbijetuan, falë rezistencës dhe gjakut të derdhur për liri.

Kuteli në këtë poezi ka derdhur tërë fuqinë e tij intelektuale, fuqinë shprehëse të një krijuesi, që ndien thellë në shpirt fatin e gjysmës së kombit të katandisur buzë shfarosjes, i cili  fillikat vetë, pa asnjë ndihmë duhej të përballet me një botë të tërë të mizorive, që venin e vinin  nga të gjitha anët nga fqinjët grabitqarë, nga Rusia e nga të gjitha shtet e fuqishme të Evropës.

Shqiptari i Kosovës, pavarësisht uraganit shkatërrimtar, nuk ishte dhënë para barbarive e mizorive, por kishte qëndruar i fortë si stralli dhe ishte kalitur për të mbijetuar në çdo rrethanë me çdo kusht, duke i vënë gjoksin mizorive dhe duke përballuar të gjitha sulmet, me qëllim për të mbijetuar në trojet e veta historike, i lidhur tok me tokën, dheun, gurin, drurin dhe gjithçka që kishte qenë dhe ishte e vetja.

Monologu i shqiptarit të Kosovës në këtë krijim antologjik të Mitrush Kutelit, është i njëjtë me monologun e tragjedive antike, është monologu që buron nga shpirti i vrarë dhe i nakatosur i shqiptarit të Kosovës, por kurrë i dhënë, kurrë i dorëzuar. Është fati jetësor i njeriut për të mbijetuar mbi tragjeditë, dhunën e mizoritë e tërë një Evrope e tërë një Rusie e më herët e tërë një Turqie. Ishte  diku, atje, një Asim Qerim, mbetur jetim që në vogëli, kësulëbardhë e kryelidhë, kryelidhë me një shami, me tri shami, për trimëri! Është një  eshtërmadh me sytë plot shkëndi, si batërdi, dhe  ka uri, si s’ka njeri për drejtësi e për Liri, si gjithë asimët e gjithë qerimët e vendit të tij.

Askush, asnjë krijues tjetër  deri te Mitrush Kuteli nuk kishte depërtuar aq thellë në psikikën dhe temperamentin e shqiptarit të Kosovës, askush nuk e kishte pasqyruar më mirë, shqiptarin e nëpërkëmbur gjatë shekujve, të cilin e kishin katandisur e nakatosur të gjithë pa dallim, por nuk e kishin zhbërë dot. Vetëm si i tillë, i gatuar nga  stralli, shqiptari i Kosovës dhe i trojeve të tjera  nën pushtimin serb e sllav, kishte arritur të mbijetonte.

Ai nuk ishte dhënë kur ia kishin vrarë babanë, vëllanë, as kur e kishin dëbuar nga toka e tij, as kur e kishin kthyer në lypës, apo me sharrë në krah, as kur e kishin torturuar mizorisht. Nuk kishte pranuar të tradhtonte njerëzit e tij, as të shkonte në ushtrinë e pushtuesit, as të ikte për në Anadoll, apo në “Albani” ku ishte krijuar “shteti i ri”, sepse Kosovari ishte i lidhur për tokën e tij. Ai kishte qëndruar, sepse ishte Zot në  vendin  e tij, qysh kur ishte Iliri dhe  askund në ato troje nuk kishte pasur shka të zi, sepse ishte zot në shtëpinë e tij ku kishin jetuar të parët, denbabaden. I tillë ishte, si Asim Qerim, si të gjithë të afërmit e bashkëkombësit e tij që i kishte katandisur shjaku i zi, me ndihmën e Rusisë dhe të Evropit, po aq hileqar e  të zi.

Kishte duruar shumë dhe po aq shumë iu kishte shtuar  etja për liri, për drejtësi, për ta punuar tokën e tij, për t’i parë fushat e mbjella me grurë e livadhet me barë shumë. Dhe kurrë nuk e kishte humbur shpresën, ndërsa  një ditë i doli shkakut të zi në kufi dhe ia prish kufirin ku me dhunë e kishte vendosur, ai, Mali i Zi.

Ta shemba shka kufirin, që ngrite ti, në vendin tim e përmbi varr të babës tim. Ta shemba, ta dogja, me zjarrin e shpirtit, të  vuajtjes, sepse ti shkja i zi ma bërë borxh këtë batërdi.

Poemi kosovar i Mitrush Kutelit përfundon me mesazhin historik të shqiptarit, me moton e tij  autentike që e kishte përcjellë duke qenë i kalitur gjatë shekujve, gjatë përleshjeve e katandisjeve nëpër epokat e tij heroike, sepse  këtu ka qenë dhe këtu do të jetë, sepse unë jam këtu, e do të jem denbabaden, sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.

Për kohën kur ishte shkruar dhe ishte botuar, “Poemi kosovar”, ishte një pasqyrim realist i rrethanave të kohës, sepse shqiptarët e Kosovës nën regjimin despotik e mizor të Jugosllavisë monarkike nuk kishin gëzuar as edhe një të drejtë të vetme, njerëzore as kombëtare, andaj çlirimi i trojeve shqiptare pas kapitullimit të Jugosllavisë më 21 prill të vitit 1941, ishte çlirim i vërtetë, në kushte dhe rrethana historike të kohës. Ishte  hera e parë pas tridhjetë viteve që shqiptarët kishin filluar të marrin frymë dhe të gjezdisin nëpër tokat e atdheut prej Pazarit të Ri e deri në Janinë, Pargë, Prevezë e në Çamëri, prej Manastirit e deri në Ulqin, Plavë e Guci, që dikur kishte qenë vetëm, një copë Iliri.

Për shkaqe ideologjike, “Poemi kosovar” nuk u mësua nëpër shkolla në Shqipëri as në trojet e Kosovës e të Iliridës, por u lexua tinës, u shumëzua e shpërnda bashkë me poemën e Pirro Floqit, “Kosova e robnueme” poezinë e Asdrenit për bashkimin e Kosovës e Çamërisë me Shqipëri e poezi të  tjera.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …