Mospranimi i Kosovës në UNESCO, shtron shumë pyetje, në të cilat do të duhej të përgjigjeshin, në radhë të parë ata, që po pretendojnë të na bindin se janë angazhuar shumë në këtë drejtim. Tani kur u shpall rezultati përfundimtar i angazhimit të tyre, ata i mbështeten Zotit me shpresë se herën tjetër Kosova do të pranohet në këtë organizatë, e cila po shihet se çfarë disponimi mbanë ndaj Serbisë dhe kundër Kosovës.
Rrokullisja e seriozitetit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ka filluar me pranimin e bisedimeve me Serbinë, edhe pse Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, gjashtë vjet më parë kishte shpallë verdiktin pro pavarësisë. Pikërisht nga ky lëshim fatal i krerëve tanë, kanë stagnuar edhe njohjet e shumë vendeve të botës, meqë asnjë shtet serioz i botës nuk bindet lehtë ta njohë pavarësinë e një vendi, i cili pranon bisedime pa kusht me shtetin, nga i cili është ndarë, qoftë me dëshirë, apo dhunshëm dhe me luftë, sikur rasti ynë.
Pranimi i bisedimeve me Serbinë, e kemi thënë atëherë, e themi edhe sot, ka qenë një tradhti e madhe që i është bërë vendit dhe që ka përkeqësuar e degjeneruar shumë nga proceset e ndërtimit të shtetit dhe integrimit në organizata ndërkombëtare.
Bisedimet me Serbinë, kanë qenë “Kali i Trojës” i vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, nuk e kanë njohur as e njohin këtë pavarësi, e cila sipas tyre është meritë e intervenimit të Amerikës dhe disa shteteve pro-amerikane në NATO.
Pranimi i bisedimeve me Serbinë, në fillim, sikur thuhej e propagandohej se do të zhvilloheshin vetëm disa biseda për disa çështje teknike, më vonë duke lëshuar pe në të gjitha çështjet, deri e dhe te lejimi i krijimit të një shteti të Serbisë brenda Kosovës, që mund të quhet vetëm Asociacion, bëri që të degradojë tërë procesi i pavarësisë. Prej asaj kohe e deri tani, do të thotë në gjashtë vitet e fundit Kosovën e kanë pranuar krejt pak shtete dhe asnjë nga ato me ndikim dhe peshë në politikën ndërkombëtare.
Përpjekjet e Qeverisë së koalicionit PDK-LDK, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në kohën kur në tërësi ka stagnuar procesi i njohjeve nga shtetet, të cilat ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e vendit tonë, rezultoi me një përpjekje të dështuar të radhës, pas dështimeve në dialog me Serbinë në Bruksel, ku Beogradi zyrtar ka arritur të realizojë të gjitha kërkesat e veta, të cilat kanë rezultuar me dëmtim të rëndë të interesit të Shtetit të Kosovës. Pretendimet e Mustafës dhe Thaçit, për t’ia mbyllur gojën opozitës me pranimin e Kosovës në UNESCO, pësuan si mos më keq. Tani opozita ka edhe një fakt më tepër për të kërkuar llogari nga Qeveria dhe anulim të të gjitha marrëveshjeve me Serbinë, e cila ka bërë dhe po bën çmos për ta neutralizuar dhe stërkequr pavarësinë e vendit tonë.
Duke analizuar rezultatin e votimeve, hetohet se shtetet arabe dhe islame, madje disa sosh, të cilat edhe e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kanë votuar kundër pranisë në UNESCO, e disa të tjera kanë abstenuar. Qeveria duhet të tregojë se si dhe a ka lobuar fare në këto shtete. Duhet të tregojë me fakte e dëshmi se cilat shtete i ka bindur konkretisht në votimin pro Kosovës në UNESCCO?
Qeveria duhet të japë përgjegjësi për këtë dështim. Do të ishte e natyrshme që edhe disa zyrtarë parazitë të Ministrisë së Jashtme të japin dorëheqje, sepse gjatë tërë kësaj periudhe janë krekosur e dreqosur para opinionit duke propaganduar punën dhe aktivitetin e tyre, të bindur qind për qind se Kosova do të shënojë fitoren më të madhe pas pavarësisë. Tani po shihet fare mirë se “fitoret” kundër Serbisë po mbesin vetëm me retorikë pompoze e bombastike, ndërsa Serbia realisht ka arritur dhe po arrin fitore. Ka arritur të nënshkruajë të gjitha marrëveshjet që e dëmtojnë Kosovën dhe tani ka arritur të bind jo pak shtete se Kosova nuk e ka vendin në UNESCO, madje në asnjë organizatë ndërkombëtare, sepse është njëlloj Shteti me fusnotë, me një preambulë, një shtet i papranuar nga një shumicë vendesh të botës.
Dështimi në UNESCO nuk është dështim i Kosovës, por dështim i Ministrisë së Jashtme, dështim i radhës i koalicionit qeveritar. Për këtë dështim dikush duhet të tregohet “burrë” dhe të japë dorëheqje, por mjerisht deri tani praktika e dorëheqjeve ka qenë dhe po mbetet, ekuacion me asnjë të njohur.
Është pak e besueshme të japë dorëheqje, ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, sepse ai është pjesë e domosdoshme e koalicionit qeveritar dhe koniukturave politike me BE-në. Dorëheqje nuk pritet të japë as zëvendës-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, të cilin para disa viteve Thaçi e kishte marrë nga rruga dhe e kishte bërë deputet. Disa orë para votimit, ai, për mediet serbe, ishte shprehur fare i sigurt lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO. Madje në mënyrë kategorike kishte deklaruar se “nuk duhet të shtyhet procesi i pranimit në UNESCO, për diçka që ka përfunduar”, i bindur definitivisht në mendjen dhe logjikën e tij të perceptimit të realitetit, sipas dëshirës, fudullëkut dhe arrogancës dhe jo sipas matematikës së numrave të shteteve që e kanë pranuar, apo nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
9. 11. 2015
Ahmet Qeriqi