Me moton “Koha për Nismën”, subjekti politik Nisma për Kosovën ka hapur të premten fushatën elektorale në qytetin e Prizrenit. Lideri i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë se jo rastësisht kanë zgjedhur këtë qytet për të bërë fushatë. “Po e nisim në Prizren sepse ka ardhur koha e ndryshimit këtu”, ka thënë Limaj, duke shtuar se mundësia për ta ndryshuar qeverisjen në Prizren është me Nismën dhe Zafir Berishën. Sipas tij, Nisma këto ditë ka fituar një betejë për t’ia dhënë një mundësi Prizrenit, fitoren e Nismës në këtë qytet. “Ndjehemi të gatshëm dhe të bashkuar më shumë se kurrë për të marrë përgjegjësi për ta qeverisur Prizrenin. Me Nismën për Kosovën në Prishtinë dhe Prizren do të harrohet plaga e mërgimit dhe djemtë e vajzat nuk do të largohen më nga Kosova”, ka thënë lideri i Nismës.
Limaj i cili mban postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Haradinaj, u ka thënë qytetarëve të Prizrenit se më 22 tetor e kanë shansin për të ndryshuar. “Besoj që çdokush e ka pritur këtë rast për t’i dhënë mundësi ndryshimit, për t’i dhënë mundësi ndërrimit të një gjeneratë politike në Prizren. Dhe ai shans për ta ndryshuar gjendjen në Prizren është ekipi i Nismës, me në krye kandidatin për kryetar Zafir Berisha”, ka thënë Limaj. Ndërkaq kandidati i Nismës për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka thënë se është i përkushtuar bashkë me ekipin e tij për ta bërë ndryshimin në Prizren.
Ai nga aty ka folur edhe për tentativën që të lihet jashtë garës zgjedhore. “Ditëve të fundit pati një përpjekje për të më eliminuar nga gara, por drejtësia vonon por në fund triumfon”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se kanë bërë një përgatitje të gjatë për betejën politike. “Të nderuar qytetarë ky ekip është garanci e fitores së sigurt të Prizrenit. Fitorja i duhet jo vetëm Nismës por edhe qytetarëve të komunës. Jemi të vendosur që të bëjmë ndryshime të mëdha në Prizren”, ka deklaruar ai.