leoni

Mr. Bajram Mehmetaj: Fetnete Ramosaj, “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, II

Libri “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve” (vëllimi i dytë), i autores Fetnete Ramosaj, përfshinë një lëndë të gjerë studimi për krimet e organizuara shtetërore të forcave ushtarake-policore serbe që bënë mbi popullatën shqiptare në Kosovë, në vitet 1998-1999. 
Lënda e këtij studimi është shtjelluar me kujdes. Secila pjesë e librit ndërlidhet reciprokisht mes veti dhe plotësojnë kuptimin e njëra tjetrës. Kjo lëndë është treguar objektivisht, në mënyrë precize, përmes një aparature të mundshme shkencore, ndaj është e saktë dhe e kuptueshme. Në fillim është dhënë treguesi i lëndës, fjala e recensentëve dhe hyrja. Në fund është dhënë një përfundim si dhe burimet e literatura. Libri ka edhe shtojcën Faksimile e Fotografi që është pjesa më interesante dhe më e rëndësishme e këtij libri, ku janë materializuar me fakte e të dhëna të vërteta të gjitha ngjarjet historike të trajtuara në këtë libër.
Të dhënat faktografike janë shtjelluar në vartësi reciproke me njëra-tjetrën, duke u dhënë primatin momenteve kyçe, posaçërisht ndriçimit të krimeve të ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Janë të trajtuara qartë jo vetëm pasojat e këtyre krimeve, por janë dhënë shkoqur, me saktësinë më të madhe, edhe shkaqet e këtyre pasojave – kriminelët e vërtetë, ata që urdhëruan, ekzekutuan dhe masakruan popullatën e pafajshme shqiptare, prej tyre edhe fëmijë, pleq e plaka të moshuara. 
Për radhitjen e sistemimin e lëndës si dhe për shtjellimin e saj është përdorur kryesisht metoda historike sipas metodologjisë së pranuar që e zbatojnë historianët. Janë përdorur këtu format e metodës së induksionit, deduksionit, vëzhgimit të fakteve dhe verifikimit të tyre. Autorja e këtij punimi me intuitën e saj empirike, ka përdorur si kriter të së vërtetës përvojën e saj gjatë luftës në Kosovë, krahasimin e mendimeve të verifikuara më parë, të fakteve konkrete që rezultojnë me përputhshmërinë e pohimeve me objektin, me procesin a dukurinë që paraqitet në këtë punim. 
Në këtë libër është sjellë material i ri, i panjohur deri më tash. Hulumtimi i materialit dhe grumbullimi i dokumentacionit, si: informatat shkencore (fakte, ide, argumente, vrojtime), kompozicioni i këtyre informatave si dhe teknika e gjetjes së shprehjes, e formës si pjesë e procesit krijues, janë gërshetuar njëkohësisht dhe suksesivisht njëra pas tjetrës përmes një metode të re pune e mjaft origjinale që ka përdorur autorja për ta hartuar këtë punim. Për hulumtimin e këtij materiali shkencor autorja ka vepruar me një vullnet të fortë, durim të fuqishëm, koncentrim të thellë dhe shprehi të formuara të disiplinës shkencore, sidomos aftësi për sintezë të materialit dhe përvojë të pasur në përpunimin dhe zbërthimin e problemeve në shqyrtim. Gjithë kjo punë e mundimshme është kurorëzuar me botimin e këtij libri të rrallë, të vlefshëm dhe interesant. 
Është me interes të theksohet se në këtë studim, pos të tjerash, autorja ka përllogaritur edhe saktësinë matematikore për t’i paraqitur dukuritë e procesit gjatë luftës, për t’i përcaktuar sa më saktë grumbujt, sasinë, përmasat e largësitë; datat, muajt; deshifrimin e kodeve në dokumente; largësitë e vendeve të ngjarjeve, numrin e ushtarëve, numrin e të zhdukurve, numrin e të helmuarve shqiptarë; saktësinë e dokumentacionit shkencor që dëshmon se në këtë libër është thënë e vërteta dhe ajo është verifikuar përmes faktesh. Vlerësimet e përfundimet e dhëna, të mbështetura në burime historike të kohës dhe në dokumente relevante, janë rezultat i një analize të thellë kritike që autorja i ka bërë gjithë dokumentacionit, përjetimeve në vendet e ngjarjes, literaturës dhe shtypit. Këto përfundime, kujtoj, janë përmbajtësore dhe shprehin thelbin e të vërtetës dhe të së drejtës së pakontestueshme për krimet serbe në Kosovë, me çka autorja ia ka arritur qëllimit. Në pjesën e parë të këtij libri (që ka 77 faqe) janë trajtuar ngjarje të mëdha historike: Masakra e Tivarit mbi ushtarët shqiptarë në vitin 1945 si dhe vrasja e ushtarëve shqiptar gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë – APJ. Është dhënë numri i ushtarëve të vrarë shqiptarë (108 sish) si dhe adresa e saktë e tyre, vendi i ekzekutimit (posta ushtarake, njësia ushtarake) dhe ekzekutorët e tyre me adresë të saktë. Ky numër është dhënë vetëm për periudhën 1981-1991, për ushtarët shqiptarë të kthyer në arkivole, të vrarë në kushte e rrethana të ndryshme. 
Politika shoviniste serbe e kësaj kohe formoi mekanizma të errëta për asimilimin dhe zhdukjen e shqiptarëve. Burgjet serbe në Kosovë u bënë qendrat ku torturoheshin shqiptarët e mbyteshin në qelitë e burgjeve nga persona të caktuar me mjete e mënyra më mizore përmes metodave të fshehta e shumë perfide. Personeli në burgjet e në gjykatat serbe në Kosovë, shpjegon autorja e librit në shqyrtim, ishte i kamufluar dhe përbëhej nga elita gjakatare e grupit të veçantë të SDB-së, që shpeshherë kryenin edhe detyrën e rojës së burgut, të mjekut, gjykatësit dhe të prokurorit. UDB-ashët monstrum, që tejkalonin edhe autorizimet zyrtare, që ishin të përcaktuar e të përbetuar me kokë për të bërë krime e gjenocid mbi popullatën shqiptare, ishin kujdesur me kohë që të zhduknin gjurmët e krimit dhe të mos mbetej gjëkundi asnjë gjurmë me shkrim për ekzistimin e torturës si formë institucionale e gjenocidit antishqiptar brenda institucionit të shtetit serb, siç ishin SDB-ja, gjyqet dhe burgjet. 
Në pjesën e parë të këtij libri janë trajtuar qartë edhe torturat mizore të përdorura në burgjet civile të Serbisë, të vendosura në Pejë, në Dubravë, Ferizaj, në Smrekovnicë etj., në vitet ’80-ta e ’90-ta të shek. XX. Në vazhdën e të zhdukurve nga torturat e hetuesve të UDB-së në burgjet civile serbe në Kosovë autorja sjell fakte të pakontestueshme se i ashtuquajturi “Grupi i Ferizajt” njihet si grupi më i torturuar në ish-Jugosllavi që nga Lufta e Dytë Botërore, ku nga 13 të arrestuarit, 5 u mbytën në hetuesi me tortura, ndërsa fati i avokatit Alishefik Spahiu ende nuk dihet. Ky avokat kishte kërkuar gjatë gjykimit ngritjen e padisë penale kundër sigurimit të shtetit – SDB-së në Ferizaj dhe në Gjilan, për torturë e vrasje ndaj “Grupit të Ferizajt”. (Po aty, f. 63). 
Një e dhënë tjetër e vdekjes nga torturat e forcave serbe është çështja e Yll (Abdullah) Morinës nga Gjakova, epror i UÇK-së, i plagosur rëndë në frontin e luftës në fshatin Gramaçel. Bashkë me tjerë shokë të plagosur Ylli u zu rob nga forcat serbe në shtator të vitit 1998 te xhamia e fshatit Isniq të Deçanit. Me ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të plagosurit i dërguan në spital. Yllin e kishin dërguar në spitalin e Prishtinës, ku e kishin keqtrajtuar si mjekët serbë ashtu edhe policët. Gjashtë muaj e munduan Yllin pa ia dhënë ndihmën e nevojshme. Në trupin e tij bënë eksperimente të tmerrshme me operacione të njëpasnjëshme të mjekëve serbë. Pesë herë e operuan, por pa sukses. Sado që në gjendje të vështirë shëndetësore, mbahej i fortë, stoik dhe u kishte thënë milicëve serbë: “Edhe nëse vdes, vdes krenar, se kam pas rastin të luftoj kundër bishave siç jeni ju”. (Po aty, f. 58). 
Janë dhënë mandej në këtë pjesë të librit, edhe shënime, fakte e dokumentacion për masakrimin dhe vrasjen e shumë të burgosurve shqiptarë në burgun famëkeq të Dubravës. Kjo ngjarje njihet në histori si Masakra e Dubravës, që është njëri ndër dokumentet më të plota materiale që, (edhe me Masakrën e Reçakut dhe atë të Padalishtës) dëshmojnë gjenocidin institucional antishqiptar. 
Duke trajtuar këto masakra, autorja me një theks të veçantë u drejtohet institucioneve shqiptare: “Heshtja shqiptare ajo institucionale, politike, intelektuale e shkencore, pra lënia në harresë dhe e pandëshkuar e Masakrës së Dubravës, Reçakut, Padalishtës, po e injoron dhe po i fsheh përmasat e këtyre masakrave që bënë forcat ushtarake-policore serbe ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare të Kosovës”. Për masakrime e gjenocid kundër shqiptarëve autorja ka vënë në dukje se “në burgjet serbë në Kosovë ka ndodhë gjenocidi që është ekzekutuar me gjakftohtësi, kohë pas kohe, që në vulën e tij bartë pronësinë legale të vet shtetit serb në aspektin e projektimit dhe të ekzekutimit”. (Po aty, f. 73). 
Për helmet kimike e biologjike të përdorura në Kosovë, është dokumentuar në këtë libër me shumë të dhëna. Helmet kimike e biologjike u përdorën gjatë vitit 1990 nga shërbimet sekrete serbe kundër nxënësve shqiptarë të shkollave fillore dhe shkollave të mesme, me ç’rast u helmuan 7 000 (shtatëmijë) nxënës shqiptarë, prej të cilëve rreth 4 000 (katërmijë) mbetën me pasoja jetësore. (Po aty, f. 77). Helmet kimike-biologjike u përdorën me të madhe, shpjegon autorja, që nga prilli i vitit 1998, pothuajse në të gjitha ofensivat kundër pozicioneve të UÇK-së dhe kundër fshatrave shqiptare në përgjithësi. Pjesa e parë e këtij libri përmbyllet me shpjegimin e krimeve që bënë kolonët malazezë të Vrrakës së Shqipërisë në terrenet e komunës së Deçanit. Këta kolonë u sollën ashpër e shumë keq në këto anë, duke bërë krime, vrasje e masakra. Për më tepër “kolonët e Vrrakës ishin vegla të instrumentalizuara keq në duart e policisë serbe, për të shkaktuar incidente të porositura”. (Po aty, f. 89). 
Pjesëmarrja e Ushtrisë jugosllave (serbe) në luftë në Kosovë është shpjeguar në pjesën e dytë të librit në shqyrtim. Armata jugosllave (serbe) veproi ushtarakisht në Kosovë që prej vitit 1996 e deri në vitin 1999, duke përshkallëzuar terrorin, vrasjet e masakrimet ndaj popullatës shqiptare prej goditjeve taktike “vezhbeve” deri tek operacionet e nivelit strategjik ushtarak në vitet 1998, 1999. Ushtria serbe-jugosllave u angazhua në luftë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK-së në të gjithë territorin e Kosovës, fillimisht në prill të vitit 1998, kur përdori njësitë tankiste dhe artilerinë e rëndë gjatë sulmeve agresive, veçmas në periudhën shkurt-qershor 1999, kur edhe e humbi betejën dhe u tërhoq nga Kosova. (Po aty, f. 101). 
Janë paraqitur të dhëna e dëshmi interesante që Serbia zbatoi në Kosovë edhe planin e njohur me kodin “Leopardi” në vitin 1999. Përmes këtij plani zbatohej një metodë sinkronizuese nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, që kishte përmbajtje: “Frikëso dhe sulmo; fut në podrume njerëz të pambrojtur, një fshat ose një lagje të qytetit, në mënyrë që të lëvizë pastaj nga frika e tërë popullsia”. Në ato lëvizje të popullsisë ku ishin prezent dyshimi, frika dhe tmerri, u bënë shumë vrasje e masakrime mbi popullsinë shqiptare. 
Politika serbe me propagandën e saj përpiqej ta bindte dhe opinionin se “Armata jugosllave (serbe) nuk ishte pjesëmarrëse në luftë kundër UÇK-së dhe kundër popullatës civile në Kosovë. Ndërkaq, në librin në shqyrtim, vërtetohet me shumë të dhëna e dokumente se ushtria serbe ka marrë pjesë në luftë kundër shqiptarëve. Në librin në shqyrtim jepet numri i ushtarëve të vrarë serbë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, 1999. Krahas ushtarëve serbë të vrarë, është ndriçuar edhe rënia e dëshmorëve të UÇK-së në betejat për mbrojtjen e popullatës shqiptare. Është dokumentuar fakti se fushata e spastrimit etnik, e vrasjeve dhe e masakrave mbi popullatën shqiptare nga forcat ushtarake pushtuese serbe, synohej të paraqitej si luftë kundër UÇK-së, por u dëshmua me fakte se “në shënjestër të kësaj fushate ishin jo vetëm pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre, por të gjithë shqiptarët pa dallim, madje në disa raste, edhe ata që konsideroheshin si qytetarë lojalë ndaj pushtuesve serbë”. (Po aty, f. 138). Siç del nga dokumentimi i të dhënave në këtë libër, ushtria serbe (jugosllave) është përgjegjëse për vrasjen e 800 (tetëqind) fëmijëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Kjo ngjarje është dokumentuar përmes raporteve të vetë oficerëve serbë që ishin pjesëmarrës në luftën e Kosovës. Raporti i cilësuar si “tejet sekret” i publikuar në shtypin serb të datës 4 prill 2000, më titull: “Oficerët serbë tregojnë krimet”, paraqet dëshmi tronditëse për vrasjen e fëmijëve dhe të banorëve të pafajshëm shqiptarë. 
Duke dokumentuar me fakte këto krime, vrasje, masakra ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, autorja nuk kërkon lëmoshë e as hakmarrje. Ajo i dëshmon me fakte aktorët e krimeve – kriminelët ordinerë – ekzekutorët dhe shefat e tyre. I përballë ata me realitetin dhe kërkon me ngulm që të gjithë të dalin para drejtësisë. 
Në pjesën e tretë të librit janë notifikuar e interpretuar shumë raste të viktimave shqiptare, të vrara nga forcat serbe dhe të shpallura po nga serbët si viktima të “terroristëve shqiptarë”. Propaganda serbe disa nga personat e vrarë i shpallte si “persona lojalë” të Serbisë, për të futur përçarje në mes të shqiptarëve dhe për të luajtur me nderin e tyre edhe për së vdekuri. Në kuadër të kësaj lufte speciale kundër shqiptarëve, Sigurimi Shtetëror Serb – SDB dhe Ministria e Punëve të Brendshme – MUP’i i Serbisë, siç është trajtuar në librin në shqyrtim, kanë manipuluar me regjistrin e gjatë të krimeve: – I vranë vet forcat serbe, e fajësuan UÇK-në. (Po aty, f. 147). 
Dezinformimet e shtypit serb për vrasjet, mandej gënjeshtrat, etiketimet e manipulimet e shumta që shkaktuan shumë përçarje e ngatërresa ndërshqiptare, janë ndriçuar me fakte të sakta e janë shtjelluar objektivisht. Shkallëzimi i mëtejmë i planeve operative të komandave serbe për zhdukjen e shqiptarëve është trajtuar në pjesën e katërt të këtij libri dhe janë dhënë me saktësi aktet kriminale të ushtrisë serbe në Kosovë. Në një fazë të caktuar në luftës forcat serbe kanë përzgjedhur viktimat duke u përpjekur t’u japin mësim shqiptarëve se ja si e pësojnë ata që i përkrahin “terroristët” e UÇK-së. Në një fazë tjetër të zhvillimit të luftës nuk u përzgjodhën viktimat. Nuk ishte me rëndësi fare përcaktimi i tyre politik; nuk ishte me rëndësi se a ishin mbështetës të UÇK-së, apo ishin përkrahës të vijës paqësore. Siç shpjegon autorja: “Serbia e donte Kosovën pa popullin e saj”. (Po aty, f. 190). 
Dhunimet si krime lufte – është një temë e veçantë që është trajtuar me kujdes në këtë libër. Dhunimet e femrave shqiptare nga forcat ushtarake-policore e paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë janë dëshmi të hidhura që paraqesin gjenocidin e thellë të një skenari të zhbërjes së qenies shqiptare. Dhunimi i femrave, masakrimi i fëmijëve, i pleqve dhe i robërve të luftës, janë krime të mëdha e turpe jo vetëm për ushtrinë e një shteti, por ato njollosin e përbaltojnë inteligjencinë e një epoke të tërë të një qytetërimi të caktuar. Dhunimet, shpjegon autorja, janë bërë në forma legale, haptas, në praninë e familjarëve të të dhunuarave; janë bërë në objekte e kampe të ndryshme ushtarake-policore; kanë qenë të planifikuara dhe të programuara nga regjimi serb; janë kryer nga forcat pushtuese serbe; këto akte janë përcjellë me sadizëm, mizori dhe vrazhdësi të pashpjegueshme – pas kryerjes së dhunimit viktimat janë vrarë e masakruar dhe u janë djegur kufomat. (Po aty, f. 213). Pasojat e këtyre dhunimeve janë shumë të mëdha. 
Në fund të kësaj pjese të librit është trajtuar me shumë kujdes dhe është dëshmuar me fakte konkrete veprimtaria e operacionit “Spastrimi” për zhdukjen dhe shkatërrimin e dëshmive të krimeve serbe të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998, 1999. Vendimi për zhdukjen e dëshmive të krimeve masive të forcave ushtarake-policore serbe në Kosovë, është marrë në mars të vitit 1999 dhe janë urdhëruar komandat për të marrë masa për mbulimin e të gjitha gjurmëve që mund të çojnë në zbulimin e provave. (Po aty, f. 226). Dhe, vërtet, siç paraqitet në këtë libër, edhe sot e kësaj dite, shumë nga ngjarjet rrëqethëse dhe krimet makabre ndaj popullatës shqiptare kanë mbetur të pandriçuara. Njëra ndër to është edhe eksperimentimi me shqiptarë në vend të minjve, që është bërë në VMA në Beograd. (Po aty, f. 227). 
Pjesa e pestë dhe e fundit e këtij libri i kushtohet Tribunalit të Hagës, ku përmes shumë provash, dokumentesh e faktesh është paraqitur puna e plogësht dhe joprofesionale e Prokurorisë së kësaj gjykate si dhe dështimi i saj për materializimin e aktakuzave kundër të akuzuarve shqiptarë. Dhe, siç vërteton autorja me të drejtë: “Çdo gjykatë dështon, kur kriminelët dëshmojnë për krime lufte”. (Po aty, f. 277). Shtojca e këtij libri: Faksimile dhe fotografi që kap 132 faqe libri, është me shumë interes pasi që, me fakte konkrete e me të dhëna të bollshme, është argumentuar e vërteta dhe realiteti i ngjarjeve historike të shtjelluara në këtë libër. 
Ky libër është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë. Autorja përmes gjuhës së pastër dhe stilit të rrjedhshëm e të qëlluar i ofron lexuesit informacion të drejtpërdrejt për ngjarjet historike të paraqitura në këtë studim. Gjuha e përdorur në këtë libër ka edhe domethënie të shumanshme pragmatike; ka diçka të veçantë, imanente e të mrekullueshme në organizimin e gjuhës së përdorur në këtë libër. Gjuha e këtij libri shpreh lutje, kërkesë, thirrje, apel që fajtorët-kriminelë, të cilët “u zunë me pelë përdore, në rogë të livadhit (in facio loci)” dhe u dëshmuan botërisht si të tillë, të vihen para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimet që kanë bërë në Kosovë. Aktet e të folurit në situata të ndryshme janë dhënë me kompetencë komunikative e performancë të qartë. Forma e shprehjes gjuhësore – përshkrimi është paraqitur qartë përmes transmetimit, komentit dhe shpjegimit. Vështruar nga ky aspekt, mund të thuhet se është trajtuar në mënyrë decidive shprehësia e qëllimit dhe domethënies së ngjarjeve të luftës e rrethanave e shkaqeve të tyre. Shenjat dhe simbolet gjuhësore: fotografi, kode e mesazhe ushtarake të paraqitura në shtojcën e librit, janë deshifruar në mënyrë adekuate, të shprehura objektivisht e saktë. 
Përmbajtja e librit lufton me fakte politikën serbe të fshehjes së të vërtetës. Faktet e këtij libri u afrohen të gjithëve: atyre që pësuan në luftë dhe atyre që ishin përgjegjës për krime. Për ata që u humbën të dashurit e tyre në luftë e vërteta është një lehtësim shpirtëror, ndërsa për serbët duhet të jetë ballafaqim me realitetin. Është meritor fakti, siç vënë në dukje recensentët, se këtu dëshmohet që krimet serbe nuk ishin raste individuale të kryera nga individë të rastësishëm, por këto krime ishin pjesë e planeve operative shtetërore serbe të organizuara me qëllim të zhdukjes së shqiptarëve. 
Duke shkruar historinë e ngjarjeve të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, kur janë bërë shumë krime dhe është derdhur shumë gjak, autorja ka marrë përgjegjësinë për të vërtetën. Dhe pikërisht, në këtë çështje ia ka arritur qëllimit: këtë përgjegjësi e lehtëson me forcën e drejtësisë dhe të argumentit të shprehur me faksimile e fotografi në shtojcën e librit. Me këto krime ndaj shqiptarëve autorja i ka njoftuar edhe të tjerët me përgatitjen e botimit edhe në anglisht. Në fund po theksoj edhe një herë një porosi nga mendimet e recensentëve se: ky libër le të jetë një frymëzim për të vërtetën e ngjarjeve historike të luftës në Kosovë, në periudhën e vrasjeve dhe masakrave të shumta. “Le të jetë një dëshmi e paharruar e një kujtese të dhimbshme jo për hakmarrje, por që krimet mos të përsëriten më dhe mos të harrohen…”

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …