leoni

Mr. Kadri Rexha: AH, SHQYPNI, MOS THUEJ MBAROVA II

U mblodh Shypnia bytevi


 


      Dhuna e egër e turqve të rinj, fushatat represive të Xhavit Pashës, tatimet e papërballueshme, rekrutimi ushtarak, çarmatimi i popullit, ndjekja e patriotëve dhe masat kundër shkrimit shqip e ngritën Kosovën në revoltë të hapur, e cila në pranverë të vitit 1910 mori përmasat e një lufte të armatosur. Revoltat e para antiqeveritare të filluara në Junik, në mars të këtij viti, nga forcat e Halil Mehmetit u masivizuan me një ritëm të shpejtuar në mbarë Kosovën. E shqetësuar nga situata e krijuar, në fillim të prillit, qeveria turke merr vendim që kundër kryengritjes së Kosovës të merren masa të rrepta ushtarake.


      Fillimit të kryengritjes i parapriu Kuvendi i Verrave të Llukës i mbajtur në prill të vitit 1910, në të cilin u lidh besa ndërmjet pjesëmarrësve që të gjitha viset e përfaqësuara prej tyre të bashkoheshin në kryengritje, u falën gjaqet dhe hasmëritë, u përcaktuan masat organizative për përballimin ekspeditës së Turgut Pashës si dhe masat ndëshkuese për ata që do ta thyen besën:


 


                                                  U mblodh Shqynija bytevi


                                                  N’Mitrovicë deri n’Guci


                                                  N’Kaçanik deri n’Malsi


                                                  N’Verra t’Llukës kanë ba mbledhi


                                                  N’Verra t’Llukës janë mbledhë të tanë


                                                  E kanë lidhë ni besë të tanë…


 


      Në mesin e muajit prill Turgut Pasha, në krye të 40 mijë forcave, filloi sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse. Mbrojtja e kryengritësve shqiptarë u zhvillua në tri zona. Isa Boletini, në krye të luftëtarëve të Shalës, Llapit dhe Drenicës, u përqendrua në Gërykën e Carralevës, Hasan Budakova, me luftëtarët e tij, mbronte vijën Ferizaj deri në Carralevë, ndërsa Idriz Seferi, në krye të luftëtarëve të Karadakut, mori në mbrojtje Grykën e Kaçanikut.


      Beteja e Kaçanikut është beteja e parë dhe një nga betejat më të rëndësishme të kryengritjes antiosmane të vitit 1910, e cila do ta përgatitë truallin shqiptar për shpalljen e pavarësisë kombëtare me 28 Nëntor të vitit 1912. Beteja u zhvillua ndërmjet kryengritësve shqiptarë të trevave juglindore të Kosovës, Gjilanit dhe Preshevës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe forcave të ushtrisë osmane të komanduara nga gjenerali Shefqet Turgut pasha. Forcat turke të nisura nga dy drejtime, nga Ferizaj dhe nga Shkupi, iu afruan pozicioneve mbrojtëse të kryengritësve dhe u hodhën në sulm. Beteja zgjati dy ditë rresht. Luftimet qenë të ashpra, sidomos ato tek Guri i Shpuar. Ato kalojnë edhe në përleshje trup më trup e thikë me thikë. Dita e fundit e betejës shndërrohet në një kasaphanë nga më të mëdhatë. Përroi i Cucës dhe uji i Lepencit skuqën nga gjaku i derdhur. Atmosfera e përgjakshme e luftimeve u përjetësua në disa këngë popullore epike historike. Njërën nga këto këngë, pikërisht këngën “Na u nis lufta në Kaçanik” e këndon rapsodi Dervish Shaqa. Kënga është ndër më të bukurat e epikës sonë historike. Si këngë epike, me një frymë të këngëve legjendare, ajo fillon me përshkrimin e natyrës, të një natyre të tjetërsuar, surealiste, në një atmosfere të rëndë të luftës si dhe me fillimin e betejës reale, zbrazjen e pushkëve të para:


 


                                                  Çka ka dielli si s’ban dritë


                                                  Na u nis pushka n’Kaçanik…


 


Kulminacioni i këngës arrin në pasqyrimin e betejës së ashpër, në guximin dhe trimërinë e luftëtarëve të lirisë. Përshkrimi i betejës merr përmasa homerike. Kaçaniku, si dikur Troja, qënron i pa epur deri në forcat e fundit. Beteja fillon me pushkë. Në luftë të përgjakshme distanca shkurtohet, për të vazhduar nga afër fyt me fyt e thikë me thikë:


 


                                                  Kaçanikut i raftë pika


                                                  Nuk po din se çka asht frika


                                                  U vra me pushkë u therë me thika


                                                  U therë me thika nan sahat


                                                  Po shkon kali not në gjak                                                       


 


 


  E tanë Kosova asht mbulue me tym


 


      Më 1 maj 1910, pas një qëndrese mbinjerëzore, kryengritësit detyrohen ta lënë Grykën e Kaçanikut, por qëndresa do të vazhdojë deri më 6 maj. Ata të ndarë në grupe do të kalojnë në malësinë e Karadakut, në Moravë, në Preshevë, në Gjilan, në Bujanovc, etj. Lidhur me zhvillimin e Betejës konsujt serbë nga Prishtina, Shkupi e Selaniku përhapnin gënjeshtra mbi thyerjen e qëndresës shqiptare që në hovin e parë, mbi vrasjen e Idriz Seferit, mbi marrjen fund të çdo gjëje, ndërsa shtypi i Beogradit, pa fijen e turpit, deklaronte gatishmërinë e Serbisë për t’i dhënë ndihmë Turqisë në shtypjen e kryengritjes shqiptare. Humbjet në këtë betejë ishin të mëdha për të dyja palët. Nga forcat kryengritëse në fushën e nderit mbetën rreth 800 të vrarë dhe 200 të plagosur, ndërsa nga forcat e armikut mbetën mbi 8.000 të vrarë, prej të cilëve 90 oficer të ushtrisë, 2.000 të plagosur dhe mbi 2.000 të tjerë dezertuan. Jehona e Betejës së Kaçanikut, e qëndresës dhe e heroizmit masiv shqiptar, në Shqipërinë e robëruar forcoi shpresën e lirisë dhe të pavarësisë, ndërsa në Perandorinë Osmane gjëmoi si tërmet ogurzi.


      Vetëm pak ditë më vonë, më 8 maj 1910, njësitë e forcave turke në krye me Shefqet Turgut pashën u hodhën në sulme masive mbi forcat e kryengritësve në rajonin Shtimje-Jezercë-Carralevë të udhëhequra nga Isa Boletini. Humbjet e mëdha të forcave osmane në Kaçanik, në Karadak e në Moravë e kishin shtuar së tepërmi shqetësimin e Perandorisë, prandaj për në Shqipëri detyrohet të niset edhe vetë ministri i luftës, Mahmut Shefqet Pasha. Epërsia numerike në forca dhe në armatime e ushtrisë osmane në krahasim me forcat kryengritëse shqiptare ishte e madhe: 20.000 ushtarë turq kundër 8.000 shqiptarëve. Forcat turke hasën në qëndresën e fuqishme dhe të vendosur shqiptare. Luftimet zhvillohen të rrepta. Predhat dhe zjarri i artilerisë rrënon dhe shkatërron çdo gjë. Toka gjëmon si nga tërmeti. Fshatra të tëra rrafshohen nga flaka që ngrihet deri në qiell:


                                                 


                                Në Kaçanik-o dej në Boletin-e


                                Të tanë Kosova hej a mblu me tym-o 


                                Mblu-o me tym-o na i ka dalë flaka


                                Po e dogj n’ topa ai o Dërgut Pasha


 


Dhuna me zjarr e me hekur nuk ndalet. Qëndresa e kryengritësve shqiptarë vazhdon, nuk tundet. Mahmut Shefqet pasha po vinte në Kosovë me taborre të tjera. Kryengritja e Kosovës me çdo kusht duhej të shuhej. Në këtë drejtim veprojnë pa kursim edhe agjentët serbë. Kështu, sulmet e njëpasnjëshme të artilerisë turke dhe dora shoviniste serbe me 9-10 maj arritën ta çajnë sektorin e mbrojtjes së kryengritësve në Jezercë. Më 11 maj forcat osmane , si dhe dy grupe të tjera të ndihmuara nga disa batalione të reja të cilat do të arrijnë nga Prizreni dhe Mitrovica, rrethojnë forcat e udhëhequra nga Isa Boletini. Në orët e pasdites kryengritësit ia dalin të çajnë rrethimin, t’i përcjellin të plagosurit dhe të tërhiqen nga territori i Duhlës në drejtim të Drenicës, ndërsa në anën e kundërt, në drejtim të Opojës. Një tërheqje e këtillë ishte e pashmangshme sepse e kushtëzuan këta faktorë: epërsia e armikut në forca dhe në armatime, diverzioni serb dhe moshedhja e rezervave kryengritëse të Rrafshit të Dukagjinit. Nga të dy palët pati humbje të mëdha. Megjithatë, lëvizja kombëtare shqiptare jo vetëm nuk shuhet, por nga dita në ditë merr përmasa të reja. Çetat e lirisë veprojnë në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Epiqendra e betejave të reja është përherë Kosova kryengritëse. Edhe Beteja e Carralevës pati jehonë të madhe kudo në trojet shqiptare. Jehona e gjallë e saj u ndie edhe në Evropë.


      Qëndresa shqiptare dhe heroizmi i trimave, i prijësve Isa Boletinit, Hasan Budakovës, Idriz Seferit, e në mënyrë të veçantë Beteja e Kaçanikut dhe ajo e Carralevës, kundër forcave barbare turke të udhëhequra nga Shefqet Turgut Pasha gjetën pasqyrim të denjë në epikën tonë historike. Nga ky cikël këngësh rapsodi Dervish Shaqa për repertorin e tij zgjodhi këngët “Na u nis lufta në Kaçanik”, “Tanë Kosova a mlue n’tym” dhe “Ah, Shqypni, mos thuej mbarova” përmes të cilave artistikisht arriti t’i japi dimensionet e kryengritjes masive, idealin liridashës të popullit si dhe shpresën për bashkimin e sigurt të kombit dhe të trojeve shqiptare. Deri sa në këngën “Na u nis lufta në Kaçanik” pasqyrohet lufta me tërë brutalitetin dhe tragjiken e saj në një ambient lokal, në këngën “Tanë Kosova a mblue n’tym” lufta pasqyrohet në përmasa tjera gjeografike. Tashti lufta zhvillohet në të gjithë hapësirën territoriale të Kosovës. Tragjikja e luftës në të dy këngët është e njëjtë. Në këngën e parë lufta zhvillohet pushkë me pushkë e thikë me thikë sa në detin e krijuar prej gjaku notojnë edhe kuajt, ndërsa në të dytën lufta merr dimensione të reja. Ushtria turke pos pushkëve dhe thikave përdorë edhe topat. Nga lufta e ashpër Kosovën e mbulon tymi dhe flaka. Toka digjet nga zjarri i luftës, ndërsa qielli përflakët nga vetëtimat. Këtu kënga huazon elemente nga këngët legjendare mitologjike për t’i pasqyruar dy botë kundërshtare: përmes dragonjëve simbolizon dritën, të mirën dhe pozitiven, ndërsa përmes Turgut Pashës lë të parakuptohet kulçedra, simboli i territ, i të keqes, negativja. Zakonisht, si në legjenda ashtu edhe në jetë, e keqja është më e madhe, më e fuqishme, por në saje të gjakimit për të drejtën, ndonëse më flijime të mëdha, e mira vazhdimisht triumfon, të paktën si ideal. Kjo dëshmohet sidomos me vargun e fundit të këngës, i cili, larg çdo fataliteti, simbolizon triumfin e të mirës mbi të ligën, të lirisë mbi robërinë. Ta shohim në tërësi tekstin e këngës dhe të bindemi për aq sa u tha më sipër:


 


                                Hej në Kaçanik-o dej në Boletin


                                E tanë Kosova hej a mblu me tym


                                Mblu-o me tym o na i ka dalë flaka


                                Po e dogj n’ topa ai o Dërgut Pasha


                                                  


                                Çka kanë ret-o hej qi po m’vetojn-e


                                Edhe dy drangoj-o more po luftojnë


                                Hej në Kaçanik-o deri n’Carralev-e


                                E po Isa Begu e Idriz Seferi


 


                                Dërgut Pasha hej me njiqind mijë


                                Edhe Isa Begu  hej me shqiptari-e


                                Hej dhe kadal Pash-e se s’je n’Rumeli-e


 


                                Edhe kadal Pash-e se s’je n’Rumeli-e


                                Hej po tash po sheh-o o bre burrë me sy-e


                                Hej dhe qi djeg vetën edhe t’përvlon ty-e


 


 


 


                           Ah, Shqypni, mos thuej mbarova


 


      Teksti i këngës “Ah, Shqypni, mos thuej mbarova” është i shkruar nga poeti atdhetar Hilë Mosi. I shqetësuar tej mase për situatën aktuale mbarëshqiptare dhe i mbështetur drejtpërdrejt në frymën luftarake të kryengritjeve të Kosovës, autori i tekstit, me tone optimiste e siguron Shqipërinë që të qëndrojë e patundur në rrugën e luftës për liri, në rrugën e flijimeve sublime për atdhe…


      Shqipëria është para sprovave të reja. E sëmura e Bosforit edhe para se të vdes i shtrëngon dhëmbët për të kafshuar aq sa mundët. Dhe bisha e plagosur është shumë rrezikshme. Para se të ikën nga kjo botë provon ta marrë me vete edhe armikun. Në të njëjtën kohë në skenën e Gadishullit Ilirik fillojnë të dalin bajlozë të ri, shtete mishngrënëse edhe më të rrezikshme se armiku që ishte në ikje. Po rrezikoheshin trojet shqiptare. Po rrezikohej ekzistenca e Kombit. Ndaj kënga e fton Shqipërinë për qëndresë. U jep shqiptarëve zemër të mos dorëzohet para situatave të rënda. Kosova e tëra është në këmbë. Djemtë e Atdheut janë në luftë ballë për ballë me armikun:


 


                                                


                                Ah, Shypni, mos thuj mbarova,


                                Se djemtë tu edhe jan’ gjallë


                                N’kamb asht çu e rrebt Kosova


                                E ban luftën ballë për ballë.


 


 


Kënga përkujton sfidat e mëdha të shqiptarëve gjatë historisë. Përkujton vitin e kryengritjeve dhe të luftërave të famshme shqiptare kundër barbarive të egërsirave aziatike:


 


                                Ish nji vit o ndër ma të vshtirët


                                Me nji mijë e nandqind e dhjetë


                                Kur Kosovën mbloj egërsira


                                Për me zhbi çdo bimë mbi dhe


 


Kënga përmbyllet me një konstatim real dhe njëherit me një mesazh optimist. Forca e armikut, sado e madhe dhe e egër qoftë, para qëndresës së popullit që lufton për liri, është e destinuar të pësojë disfatë. Topat e armikut para pushkës së lirisë janë të pafuqishëm. Aspirata e popullit është më e fuqishme se çdo armë në duart e armikut. Ideali i lirisë është si bima e shëndetshme që bie në tokë, mbinë dhe rritet e harlisur në zemrat e rinisë brez pas bezi: 


 


                                E n’Prishtinë atje pikë s’parit


                                Krisi topi oh me duhi,


                                Atje gjaku i shqyptarit


                                Ra në tok’ me bi përsri.


 


     Kënga e luajti rolin e saj në kohën kur u ngrit. Kjo këngë ruajti aktualitetin e saj edhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, sidomos në trojet shqiptarë që mbetën nën zgjedhën e robërisë. Si rrallë në ndonjë rast tjetër, kjo këngë është aktuale edhe sot. Me këtë këngë në gojë marshuan studentët në demonstratat e viteve 1968, 1981… Me këtë këngë në gojë u mbushën forcë mijëra e mijëra të burgosur politikë dekada me radhë. Me këtë këngë në gojë ushtarët e UÇK-së sulmuan mbi gjithë pancirin e soldateskës serbe…


      Me interpretimin e këtyre këngëve Dervish Shaqa u bënte jehonë kryengritjeve të Kosovës për liri dhe figurave të shquara të historisë. Në të njëjtën kohë, me këto këngë Rapsodi mbillte frymën e luftës për liri, ngjallte ndjenjën e fortë të dashurisë për atdhe, jepte shembullin se si veprohet dhe si luftohet për Atdhe, frymëzonte brezat me shpresën e ardhmërisë dhe të ditëve më të mira.


 


                                      


                                               Përfundim


 


       Këngët epike historike të ciklit të Rilindjes deri te Pavarësia Kombëtare rapsodit Dervish Shaqa i dhanë fushë të gjerë veprimi në shumë drejtime. Në radhë të parë vendimet e Kongresit të Berlinit, respektivisht të Konferencës së Londrës të vitit 1913,  njësoj ishin aktuale edhe në kohën e Rapsodit. Kosova dhe viset tjera të trojeve shqiptare vazhdonin lëngimin e rëndë në robëri klasike. Mungonin shkollat kombëtare, mungonte puna, mungonte kujdesi shëndetësor, mungonte liria personale dhe kolektive e shqiptarëve… Dhuna serbe nuk kishte të ndalur, ndërsa shpërnguljet e shqiptarëve po merrnin përmasa shqetësuese. Në anën tjetër ideja flakëruese liridashëse e lindur në Besëlidhjen e Prizrenit jo që nuk ishte shuar, por, përmes veprimeve të djalërisë shqiptare, dëshmonte se po rritej me ritme të shpejta. Tekstet e këngëve Dervish Shaqës i jepnin dorë për shpalimin e ndjenjave patriotike në të gjitha mjediset ku ai këndonte. Realitetin e dhunës turke përmes aludimit e krahasonte me dhunën serbe. Të njëjtën gjë e bënte edhe me rikujtimin e betejave, luftës për liri si dhe me ringjalljen e heronjve dhe trimave që vdekjen për atdhe e bënin si me le. Këngët nuk ishin të gjata dhe rrjedhimisht mesazhi i tyre ishte më i afërt dhe më i kapshëm për dëgjuesit. Tema e këngëve, e mbrujtur me elemente baladike, shtjellohej me mjeshtri, karakteri i personazheve individualizohej qartë. Në këtë drejtim ndihmonte edhe vlera e tyre e lartë artistike me simbole, me epitete, me metafora dhe me figura të bukura letrare. Por, mbi të gjitha, në interpretimin dhe në sharkinë e Dervish Shaqës, vlera e këtyre këngëve bëhej dy herë vlerë, dy herë histori, dy herë art.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …