(Në 24-vjetorin e vdekjes së Rapsodit)
Ndër rapsodët më të talentuar të shekullit të kaluar Dërvish Shaqa shquhet si krijuesi dhe interpretuesi më i mirë i këngëve epike shqiptare. Duket se në këngën epike, veçanërisht në atë me temë historike, Dervish Shaqa e gjeti vetveten për shumë arsye. Arsyeja e parë dhe kryesorja është përputhja e idealeve të heronjve të këngëve epike me idealet e rapsodit si dhe gjakimi i flaktë i tij që këto ideale nëpërmjet këngëtimit t’i mbjelli në popull, ashtu siç e mbjell bujku farën në tokë pranverave të hershme.
Në kushtet e mungesës së arsimimit kombëtar, të mungesës së librit shqip si dhe të mungesës së mjeteve të informimit në gjuhën amtare Dervish Shaqa këngën epike e konsideronte dhe e përdorte si instrumentin më efikas për edukimin e popullit e sidomos të gjeneratave të reja. Këto këngë me vlera të larta artistike dhe historike ai i vuri në shërbim të qëllimeve të larta të luftës për ruajtjen vetqenies, të identitetit kombëtar, të lirisë dhe të progresit historik. Në vlerat e shumë anshme të këtyre këngëve ai e shihte dëshminë më bindëse lidhur me ruajtjen dhe mishërimin e tyre të thellë në shpirtin e popullit. Te këto këngë Dervish Shaqa shihte një burim të fuqishëm edukativ në planin historik e kulturor dhe një manifestim të rezistencës së vazhdueshme kundër sulmeve të kulturës së pushtuesit. Te krijimtaria popullore ai shihte shprehjen më të lartë te karakteristikave të kombit dhe të traditës, ndërsa te kënga epike ai shihte armën e përsosur politike kundër agresioneve asimiluese si dhe pasqyrimin e idealeve të popullit, etnopsikologjinë, patriotizmin, lirinë, trimërinë, flijimin, nderin, besën, etj.
Me këto bindje të qarta, si për rolin e këngës epike ashtu edhe për rolin e rapsodit, Dervish Shaqa, padyshim, inkuadrohet në radhën e pedagogëve më të nderuar të kombit. Me punën e tij krijuese interpretuese mbi gjashtëdhjetëvjeçare ai pasqyroi me art ngjarjet më të rëndësishme të dy shekujve të fundit, që nga Tanzimati e deri te Demonstratat e mëdha të Kosovës të vitit 1981. Me zërin e tij burrërorë ai u ngriti përmendore përjetësie heronjve më të dëshmuar të Kombit. Me porosinë e madhe të këngëve dhe të artit të tij magjik ai aq sa ishte rapsod popullor po aq ishte institucion, përfaqësues i aspiratave të Kosovës, zëdhënës i shpirtit të Kombit.
Këngët epike historike, si pasqyrim artistik i ngjarjeve reale në kohë e në hapësirë, në repertorin e rapsodit Dervish Shaqa zënë vendin kryesor. Te këto këngë, që në moshë të re, rapsodi gjeti motivin e dashurisë së zjarrtë për atdhe, motivin e krenarisë së lartë për të kaluarën, idealin dhe luftën e popullit për liri dhe bashkim kombëtar. Në këto këngë ai gjeti njeriun e pajisur me ndjenja e mendime të larta atdhedashurie, gjeti njeriun optimist, gjeti shpresën, njeriun e pa epur përballë dhunës dhe forcës së pushtuesit, njeriun që nuk pajtohet me jetë robërie, njeriun që vepron dhe flijohet për liri, për popull, për atdhe…Në këto këngë gjeti luftën individuale të trimave dhe luftën e forcave të vegjëlisë përballë ushtrive pushtuese. Në këto këngë gjeti dashurinë e madhe të popullit për trimin, për luftëtarin, për heroin. Në këto këngë ai gjeti urrejtjen e madhe kundër armikut si dhe urrejtjen e thellë kundër tradhtarëve. Në këto këngë ai gjeti farën e rritjes dhe të afirmimit të vetëdijes, të mendimit dhe të individualitetit kombëtar. Këto këngë ai i çmonte lartë, i donte me zemër dhe i këndonte me pasion të theksuar…
Dervish Shaqa nga vetvetja dhe nga kënga kërkonte shumë. Kënga për të ishte art, histori, kronikë, edukim, frymëzim, mobilizim, flamur, pushkë… Repertori i këngëve të Dervish Shaqës ishte i zgjedhur. Nuk këndonte çfarëdo kënge. Nuk e këndonte këngën të cilës nuk ia dinte historinë. Pasi e këndonte këngën ai zakonisht e analizonte dhe e komentonte atë duke e theksuar edhe mesazhin kryesor të saj. Ai dëshironte që kënga të depërtojë sa më thellë në shtresat e gjëra të popullit. Ai synonte që me këngë të ndikojë në zgjerimin e njohurive te dëgjuesit si dhe në edukimin e tij të gjithanshëm. Ai synonte që më këngë të ndikojë në ngritjen e moralit si dhe të ndjenjës estetike të dëgjuesve shtresash të gjëra të popullit.
Dërvish Shaqa veproi në kohën më të thirrshme për shqiptarët e ndarë nga trungu amtar, të cilët ishin të privuar çdo të drejte dhe liri njerëzore. Me këngën patriotike ai vetëdijshëm përpiqej ta vejë në lëvizje ndërgjegjen e fjetur kombëtare. Me këngën patriotike përpiqej të ushtronte efektin e duhur lidhur me pozitën e rëndë historike të popullit. Dervish Shaqa ishte i vetëdijshëm për vuajtjet e popullit nën robërinë serbe. Peshën e pushtetit gjakatar po e shihte dhe po e prekte me dorë për çdo ditë fshatrave dhe qyteteve të Kosovës.
Nga prindërit kishte dëgjuar për masakrat serbo-malazeze mbi popullatën shqiptare si dhe për ndërrimin me dhunë të fesë së kësaj popullate. Si fëmijë kish përjetuar masakrën serbo-malazeze mbi burrat e fshatit të vendlindjes. Me dhimbje në zemër kish përjetuar vrasjen e burrave më të mirë të Kosovës. Me sytë e vet po shihte dhe me tërë qenien po bindej se dhuna dhe paraja serbe po bënin kërdinë mbi shqiptarët e robëruar. Për çdo ditë vrasje… Për çdo ditë dëbime me dhunë… Për çdo ditë burgosje… Dhe rapsodit në një atmosferë të këtillë i dhemb shpirti. Nga përvoja e traditës e dinte se arma e vetmuar e ka kohën e shkurtë dhe rezultatin e vogël. Ndaj në vend të armës fizike, njëherë për një herë, popullit ia preferon një armë tjetër.
Armët e vetme të tij ishin zemra, kënga dhe sharkia. Në dukje dhe për momentin ato ishin pak, por për ardhmërinë, për perspektiven kombëtare ato kishin forcën e një universiteti, ato kishin forcën e një armate. Dhe këto armë ia kishte falur popullit të tij të shumëvuajtur. Ia kishte falur atdheut që lëngonte nën robëri dhe dhunë të padurueshme. Me këto armë popullit i jepte shpresë për ditë më të mira, me këto armë e frymëzonte rininë me ndjena dashurie për atdheun dhe lirinë, me këto armë mobilizonte rininë me krenarinë për të kaluarën e lavdishme kombëtare, me këto armë organizonte vetëdijen e gjeneratave të reja lidhur me njohjen e traditave, të virtyteve të larta dhe të shpirtit të kombit, me këto armë jepte shembuj se si duhet luftuar, me këto armë ai e kthente heshtjen në kushtrim, me këto armë vriste armikun, me këto armë vriste tradhtinë…
Për Drvish Shaqën, para se të jetë argëtim, kënga ishte dëshmi historike, ishte komunikim artistik me kohërat, por, në rrethanat që jetonte, mbi të gjitha, ajo ishte mision. Dhe si çdo lëvizje e madhe që veprimtarinë e vet e mbështet mbi një program të caktuar ashtu edhe misioni gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar i Dërvish Shaqës u mbështet në programin e vet të krijuar dhe të përshtatur sipas thirrjes së kohës. Programi i Dervish Shaqës mishëron luftën dhe përpjekjen mbi dyqind vjeçare të popullit shqiptar për liri, për pavarësi të atdheut dhe për bashkim kombëtar.
Me këto këngë për mbi gjashtëdhjetë vjet me radhë Dervish Shaqa e mbajti gjallë ndjenjën e dashurisë së popullit për liri dhe për bashkim kombëtar. Përmes këtyre këngëve rapsodi Dervish Shaqa i theksoi cilësitë, vetitë dhe virtytet më të shëndosha dhe më pozitive atdhetare të popullit shqiptar me të cilat i edukoi dhe i pajisi brezat e tërë në kohën më të thirrshme të historisë sonë të re.
Duke interpretuar këngën epike historike rapsodi Dervish Shaqa para dëgjuesve të shumtë, para popullit, solli informacione dhe dokumente artistike mbi ngjarjet dhe heronjtë e shumtë të historisë duke dhënë në të njëjtën kohë edhe gjykimin real për ato ngjarje. Natyrisht kënga epike historike nuk është kronikë dite ku ngjarja dhe personazhet përshkruhen në mënyrë të thjeshtë dhe të thatë, por është art ku nëpërmjet sintezës dhe përgjithësimit artistik, pos rrëfimit të ngjarjes, pasqyrohet edhe mendimi, morali dhe ideali shoqëror i kohës. Duke qenë njohës i mirë i këngës lirike dhe i asaj legjendare rapsodi Dervish Shaqa këngën epike historike e spërkati mjeshtërisht me artin e këtyre gjinive sa këtë e bëri shumë të ngrohtë dhe të kapshme për botën emocionale të dëgjuesit. Të veshura me petkun artistik lirik dhe legjendar një pjesë e mirë e epikës historike të interpretuara nga Dervish Shaqa anojnë nga balada historike.
Në këngët epike historike të interpretuara nga Dervish Shaqa parakalojnë një galeri e tërë personazhesh historike të periudhës së vrullshme dhe më të rëndësishme të historisë sonë të dyqind vjetëve të fundit. Këto personazhe të ngritura në këngë nga gjeniu popullor u kënduan me pasion, me respekt, me simpati dhe me dashuri të jashtëzakonshme nga rapsodi Dervish Shaqa. Gjatë interpretimit të tekstit të këtyre këngëve rapsodi merr pjesë aktive në dramën dhe në përjetimet emocionale të personazheve, me çka dëshmon rolin e drejtpërdrejt komunikues artistik mes tij dhe shtresave të gjëra të dëgjuesve nga radhët e popullit. Personazhet e këtyre këngëve janë sintezë dhe përgjithësim i ndjenjave dhe aspiratave të popullit. Fati i tyre personal është i lidhur ngushtë me fatin e popullit. Si të tilla ato ndërtohen, portretizohen dhe tipizohen me mjete artistike letrare duke filluar nga epiteti, metafora, simboli e deri te hiperbola. Studiuesit konstatojnë se Dervish Shaqa në interpretimin e këngëve të tij ka përdorë rreth 28 variante dhe qindra nën variante melodike me çka e pasuroi edhe skemën e ritmit dhe të vargut të epikës historike.1) Me interpretimin e mrekullueshëm artistik rapsodi Dervish Shaqa këngës epike historike i beri një nder të madh duke e ngritur atë në majat më të larta të artit të letërsisë gojore. Ngjarjet historike të kënduara nga Dervish Shaqa në vetëdijen e dëgjuesit mbetën të paharruara për jetë e mot. Heronjtë e këngëve të kënduara nga rapsodi Dervish Shaqa u përjetësuan në monumente artistike dhe u bënë dy herë të pa vdekshëm.2) Në këto monumente të heronjve të lirisë të ngritura aq me kujdes me fjalë zjarri e me shpirt vullkani edhe emri dhe qenia e rapsodit Dervish Shaqa prehen të përjetshëm.
Edhe pse lëvizja muzikore rapsodike shqiptare kishte njohur emra të shquar edhe para tij, si Sadik Laci, Demë Ali Taraku, Ali Paci, etj., edhe pse lëvizja muzikore rapsodike njeh emra të mëdhenj edhe gjatë kohës së tij, si dueti Salih dhe Feriz Krasniqi, Sefë Mleqani, Riza Bllaca, etj., askush si Dervish Shaqa nuk i këndoi me aq gjerësi dhe flakë për flakë ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë heroike dhe tragjike njëherit, askush si ai nuk iu përgjigj thirrjes së madhe të kohës nëpër të cilën kaloi kombi ynë, askush si ai nuk u bëri jehonë kërkesave të vazhdueshme të lëvizjes shqiptare për liri e bashkim kombëtar. Me veprimtarinë e gjerë kulturore e shoqërore Dervish Shaqa, me plot të drejtë, konsiderohet rapsod kombëtar. Në veprën e tij rapsodike ai i këndon atdheut si tërësi tokësore, si tërësi etnike dhe si tërësi shpirtërore. Veprën e tij rapsodike e përbëjnë të gjitha fushat, të gjitha mendimet, të gjitha ndjenjat, të gjitha idealet dhe të gjitha veprimtaritë njerëzore të jetës së shqiptarit. Me theks të veçantë ai u këndon vlerave të larta shpirtërore kombëtare siç janë nderi, trimëria dhe besa. Vepra e madhe rapsodike e Dervish Shaqës shquhet për gërshetimin e një rrethi të gjerë temash dhe motivesh të cilat përfundojnë me porosi të qartë: Lirinë dhe pavarësinë e atdheut nuk ta falë kush! Të rrallë janë krijuesit që që qysh për së gjalli u krijohet miti. Miti për Dervish Shaqën e ka zanafillën qysh në fillet e interpretimit të tij në moshën nëntë vjeçare, mit që në rrjedhë vjen duke u rritur bashkë me rapsodin. Pos ithtarëve dhe adhuruesve të tij të shumtë në krijimin e mitit për të ndikim vendimtar luajtën Radio Kukësi, Radio Tirana dhe TV Shqiptar, këngën e të cilit, në kohë robërie, e shpërndanë shtëpi për shtëpi në të gjtha trojet shqiptare. Këngët e tij vinin nga Shqipëria, nga vendi ynë i shenjtë, nga toka jonë e shpresës së madhe. Ato ishin shkollë. Ato kishin vulë zyrtare. Ato ishin porosi dhe kushtrim. Ato ishin mit dhe realitet në të njëjtën kohë. Ashtu siç ishte mit dhe realitet edhe interpretuesi i tyre, rapsodi Dervish Shaqa.
Për kontributin e jashtëzakonshëm artistik dhe kombëtar Dervish Shaqa mori epitetin trimi i këngës, këngëtari legjendar, ndërsa nga shteti shqiptar është dekoruar me titullin “Artist i Merituar” dhe me medalje dhe fletë nderi të ndryshme.
Prandaj, nuk është çuditshme pse rapsodi Dervish Shaqa pati dashamirë dhe adhurues të shumtë. Si rapsod me një stil individual, larg ngjyrimeve orientale, ai u bë institucion dhe shkollë në vete, ku u krijuan breza të tërë rapsodësh, traditë që vazhdon deri në ditët tona.
1) „Moj sharki ma e lehtë se era”, emision dokumentar i TVSH kushtuar rapsodit, Dervish Shaqa, 1995
2) Po aty
(Të drejtat e ribotimit i mban autori K. Rexha)
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …