Një këngë ku rapsodi Dervish Shaqa vë në spikamë tradhtinë tradicionale serbe, terrorin dhe shfarosjën masive të shqiptarëve si dhe kryengritjen e armatosur të Kosovës kundër partizanëve dhe çetnikëve jugosllavë, në mbarim të Luftës Antifashiste, është edhe kënga “E katërdhetë e katërta tuj m’arue” . Përndryshe, kjo këngë njihet si këngë për Shaban Polluzhën. Në këtë këngë rezistencën dhe ngjarjet e vitit të egër 1944-1945 Rapsodi i pasqyron në dy pamje krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën.
Në pamjen e parë kënga i bën jehonë përfundimit të luftës nazifashiste dhe marshimit triumfal të Brigdave çlirimtare të ushtrisë së Shqipërisë në Kosovë. Është kjo dita më e lumtur e të gjithë shqiptarëve. Më në fund aspirata për bashkimin e popullit dhe të trojeve etnike shqiptare po bëhej realitet. Lufta antiosmane, ndonëse me njëmijë pengesa, kishte dhënë rezultetin e vet, kishte krijuar një gjysmë Shqipërie të pavarur. Rezisternca mbinjerëzore e shqiptarëve në trojet e tyre të kolonizuara nga serbët, poashtu kishte dhënë një rezultat të rëndësishëm: duke sfiduar asimilimin dhe shpërnguljen, kishte ruajtur të pastër dhe të fortë bërthamën etnike shqiptare. Tashti lufta e armatosur, nën idealet e një bote të re komuniste, siç thuhej asokohe, po jepte shpresë për realizimin e aspiratave dhe ëndërrave të shqiptarëve për jetë në liri dhe në një shtet të përbashkët. Këtij realiteti të ri po i gëzohej sidomos populli i Kosovës me Vise.
Vuajtjeve shekullore dhe detit të gjakut të dredhur për troje etnike po u vinte fundi. Garancë e fortë për këtë gëzim ishte Lufta dhe Rozoluta e Konferencës së Bujanit, në të cilën theksohej: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është një krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”. Marshimi fitimtar i brigadave shqiptare nëpër Kosovë, me urdhër të Enver Hoxhës, u prit në mënyrë madhështore. I madh e i vogël kishin dalë buzë rrugëve të fshatrave dhe në sheshe të qyteteve për të përshëndetur Flamurin Kuq e Zi dhe partizanët trima. Brigadat shqiptare u freskuan dhe u pertrinë me lulen e djalërisë kosovare dhe marshuan drejt veriut, në ndihmë vëllazërore – siç besohej, në ndjekje të okupatorit:
E katërdhetë e katërta tuj m’arue,
Krejt-o Shqipnia koka liriue,
O Enver Hoxha nji djalë drangue,
Do ushri-o na i ka bashkue,
E komandantat i ka urdhnue,
Dy divizi-e me naj shtërngue,
N’Jugosllavi ju për me shkue,
Fort qat popull me ma ndihmue,
O gjerman t’gjallë ju mos me lshue,
Q’atë Kosovën me ma çlirue.
Komandantat janë fillue,
N’atë Kosovë kur kokan shkue,
O n’kamë na u çue plak e i ri,
Fort po kajnë o sikur fmijë,
O qi e pamë sot na ketë ushtri,
Me flamura kuq e zi-e
Kosovartë në luftë janë shkue,
Në brigada kakan bashkue
Gjermaninë o me luftue…
Por si çdo gjë e bukur që e ka jetën e shkurtër, edhe buzëqeshja e Kosovës qe e çastit, u pre në buzë nga acari i atij dimri të paharruar e të vulosur thellë në zemrën dhe në kujtesën e një populli… Muajt që erdhën, bashkë me pushtetin ushtarak, në Kosovë sollën dhunë e terror të paparë deri në atë kohë. Viti që po hynte, viti 1945, për Kosovën po shënonte aktin më pikëllues, më të dhimbshëm dhe më trishtues të tragjedisë së saj në mijëvjeçarin e fundit. Kosova kryengritëse, populli shqiptar heroik e liridashës tashmë i tradhtuar, ende pa i lidhur plagët e luftës, ende pa i mbledhur kufomat e luftëtarëve të rënë trimërisht kundër armikut, po i bëheshin gati një robërie të re, të gjatë dhe të rëndë. Shteti i vjetër, Monarkia jugosllave, u vesh me këmishë të re. Tradhtia shpërtheu kudo.
Shovinistët serbo-malazezë, me yllin partizan në ballë, të udhëhequr nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, e kthyen Kosovën në kasaphanë. Njerëzia, bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, binin nga refalet. Fshatra të tëra bëheshin hi e pluhur nga flakët e lubisë serbe. Terrori i ri u ngrit sipër flakës së ferrit të kohëve të mëparshme. OZN-a famëkeqe, më vonë UDB-a, filloi ekspeditat e saja kriminale. Pa gjyq dhe pa fajin më të vogël pushkatonte burrat më të zgjedhur. Pushkatimet bëheshin në derë të shtëpisë, në frontin e luftës, në përrenj, në burgjet e improvizuara, ditën me diell, natën pa hënë… Në burgje, në postkomanda, dhe në kampet e kurdisura aty për aty, nuk kishte vend për të gjithë. Në emër të pastrimeve nga elementët armiqësorë dhjeta e mijëra shqiptarë u arrestuan dhe u pushkatuan pa gjyq në Kosovë dhe kudo në trojet e ripushtuara nga serbët. Divizionet serbe rrethuan zonën e çliruar të Drenicës dhe masakruan mbi 30.000 burra, gra, pleq e fëmijë shqiptarë. Mijëra të tjerë u masakruan në Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Besianë, Burim, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren… Nën tingujt e kobshëm të harmonikës kudo në Kosovë sipër cungut të bungut me çekanë e me kazma thyheshin gjymtyrët e “mëkatarëve” për të vetmin faj pse i kishte lindur nëna shqiptare. Britmat e viktimave i gulçonte çizmja shovene që hidhej nën ritmin e valles “Çaçak” dhe “Marshi mbi Drinë”. Natën vonë, pas dëlirit dhe orgjive kanibale, qerret e ngarkuara me mish të gjallë merrnin rrugët drejt përrojeve, moçaleve, llugave, puseve, grykave… në drejtim të varrezave kolektive të hapura me duart e viktimave vetëm disa orë para aktit mizor.
Ushtria shqiptare, pasi kishte dëbuar nga trualli i Kosovës ushtrinë gjermane, u fut thellë në veri, në Banat dhe në Srem, në ndjekje këmba-këmbës të armikut. Në shenjë mirënjohjeje, tinëzisht dhe fare hapur, atje, prapa shpine, i priti plumbi dhe refali çetnik serbian. Ushtarët shqiptar, të mobilizuar me dhunë, po binin të kthyer me fytyrë nga vendlindja. Gjaku i shqiptarit po derdhej larg trojeve të veta, larg Kosovës martire. Ato ditë deti i Tivarit dhe i Trogirit përpiu mijëra rekrutë shqiptarë, po ashtu, të mobilizuar me dhunë. Dhe, kështu, në agoni të vdekjes, kori pesëdhjetëmijësh i të masakruarve të atij viti, shqiptonte fjalët e vetme, amanetin e fundit, porosi të madhe brezave që do të vijnë:
shkau s’ka besë,
shkau s’ka besë,
shkau s’ka besë!…
Prandaj edhe pamja e dytë e këngës në shqyrtim ka një atmosferë krejt tjetër, të zymtë, trishtuese, kriminale, gjenocidiste, por edhe luftarake. Terrori i egër serb bën kërdi mbi popullin duarthat të Kosovës me Vise. Kudo djegëje, kudo grumbuj të pashkatuarish, kudo varraza kolektive. Shfarosje e një kombi:
Kqyr n’Kosovë çka koka m’arue,
K’ta Titistat o janë tërbue,
Krejt Kosovën dojnë me farue, Natë e ditë tuj pushkatua.
Më gjithë acarin e fortë dhe masakrat në masë, Kosova gjeti forcë dhe nisi rezistencën e saj të gjatë. Dhe që në fillim flamurin e kryengritjes e ngriti Drenica, ky djep shqiptarizmi burrash të etur për liri dhe të drejta njerëzore. Pikërisht këtë luftë të popullit të udhëhqur nga Shaban Polluzha, në vazhdim, e pasqyron edhe kënga.
Shaban Polluzhën, atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator dhe udhëhqës i kryengritjes së Kosovës, i lindur në vitin 1871, në fshatin Godanc të Drenicës, në një familje të varfër, përkohësisht të shpërngulur nga Polluzha, si person që kishte rënë në konflikt të hapur me pushtuesit turq, bullgar, austrohungarez dhe serb në mbrojtje të interesave të fshatarësisë dhe të atdheut, rrethi i Polluzhës e zgjedh si përfaqësues të vet e më vonë edhe si kryetar në komune në Palac. Si mbrojtës të popullit dhe përkrahës të lëvizjes kaçake pushteti serb e burgos disa herë në Prishtinë, Skënderaj, Mitrovicë dhe Pejë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në kry e të Brigadës së tij vepron në Rozhajë dhe Pazar të Ri në mbrojtje të kufirit verior dhe të popullatës së asaj ane nga barbarizmat çetniko-partizane. Në mbarim të luftës për një kohë bashkëpunon me partizanët, por duke i parë masakrat e brigadave serbo-malazeze mbi popullin shqiptar të pambrojtur, duke e parë tradhtinë e hapur të komunistëve serbo-jugosllav, fillon luftën edhe kundër tyre. Në vend që të shkojë në Srem ku i ishte bërë kurtha, në krye të Brigadës së tij prej tetë mijë burrash, atdhetar të zgjedhur, kthehet në Drenicën e tij trime për t’i mbrojtur gratë dhe fëmijët nga dëliri gjakpirës i divizioneve të armikut, të komanduara nga koloneli Sava Derleviç. U kthye për të vdekur në tokën nënë, duke e shkruar kështu me gjak njërën nga epopetë më të lavdishme në historinë e popullit tonë. Kështu, për një kohë të konsiderueshme, Drenica përtriu lavdinë e saj shekullore, ndërsa në zemrën e popullit mbeti përherë flamur i ngritur lartë për liri e bashkim kombëtar, fanar që nuk e shuan as e zbeh koha. Në rrethim e sipër plagoset nga një tra i kullës që bie nga rrahjet e topave të armikut. Në të njëjtën ditë, më 17 shkurt 1945, në rrugë për në Drenas, vrahet në hyrje të fshatit Gllobar.
Në rezistencë të këtillë e bëri edhe Gjilani me rrethinë nën udhëheqjen e Malla Idrizit si dhe Dukagjini nën udhëheqjen e Demë Ali Pozharit.
Lufta e Drenicës dhe heroizmi i 35.000 burrave të Kosovës në këngën dhe në sharkinë e rapsodit Dërvish Shaqa u përjetësuan me vargje monumentale. Me simbole, me krahasime dhe me metafora të goditura në këngë krijohet atmosfera e gjallë e luftës. Lufta është e ashpër dhe e pabarabartë. Si në këngët tjera epike edhe në këtë këngë natyra është pjesëmarrëse dhe jo një dekor i thjeshtë. Mresëlënëse dhe me efekt të jashzakonshëm, si në këngët tjera të kësaj gjinie, janë ethe thirrjet e vazhdueshme të kryeprotagonistit si dhe arsyetimi i luftës nga ana e tij:
Shaban Polluzha në kambë na u çue ,
Titistave luftën jau ka fillue,
Çka ka nata që asht ba dritë,
Ka fillu bre lufta n’Drenicë,
Fryke veri, binte bora,
Krisshin pushkët more materlozat,
Shaban Polluzha p’ e flet nji fjalë.
Plak e i ri n’ketë luftë me dalë,
Me shovinista, me tradhtarë,
Që ne f’mijtë me gjak na i lanë,
Shaban Polluzha t’madhe briti,
Bini burra mos t’koriti,
Bini burra mbi tradhtarë,
Për kulltukë more f’mijtë na i vranë.
Kënga epike historike, si prodhim dhe reflektim i drejtpërdrejt i shpirtit të popullit, edhe në këtë rast përkrahë luftën e drejtë të shqiptarëve, kurse prijësin popullor, Shaban Polluzhën e stolisë me figura shprehëse poetike. Lufta bëhët jo vetëm për mbrojtjen e ekzistencës shqiptare, por për një ideal më të lartë, për liri, për Flamur, për Shqipëri, si kurorëzim i tëgjitha lirive politike dhe shoqërore:
Hajt Shaban mre kosovar,
Plak drangue e faqebardhë,
Fort luftove t’koftë hallall,
Fort luftove, more, me tradhtarë, Nuk po t’pret bash kurgja e gjallë,
Për Shqipni edhe për shqiptarë,
O për shqiptarë edhe për Shqipni,
Për Flamur ore për liri…
Kënga mbyllet me një amanet domëthënës të këngëtarit, konkretisht të rapsodit Dervish Shaqa, qoftë si interrpretim e qoftë si tekst. Populli e thotë: dy sahat këngë vetëm për dy fjalë. Dhe këto “dy fjalë”, në rastin konkret, rapsodi Dervish Shaqa i lë për në fund të këngës. Esteti shijehollë mund të thotë se ky amanet është i tepërt, se mesazhi i këngës kuptohet fare qartë edhe pa këtë sforcim. Por, është rapsodi ai që i nivelizon shijet. Në këtë rast, mbi artin, ngadhnjen thirrja e kohës, utilitarizmi dhe ana vepruese e Rapsodit. Më në fund, arti është në shërbim të çështjes, në shërbim të idealit, në shërbim të jetës.
Arti pa mision dhe arti për art është mish i huaj për këngën e popullit. Duhet të kihet parasysh se amaneti, thirrja për luftë çlirimtare, kushtrimi luftarak në këngë lëshohet pas një tradhtie të madhe që i bëhet aleancës antifashiste, pas premtimeve përrallore mbi lirinë, vëllazërimin dhe bashkimin, vetëvendosjen e kombeve, pas një lufte të pabarabartë dhe fort të përgjakshme. Kushtrimi luftarak i Rapsodit i lëshuar dje është aktual edhe sot e gjithë ditën:
Amanet o moj rini,
Dejmë luftoni për Shqipni,
Se i huji ore kurrë s’t’ep liri.
E përgjakur, e lidhur këmbësh e duarsh nga dhuna e pushtetit ushtarak, Kosova arriti në Konferencën e Dytë të Këshillit NÇ për Kosovën, që u mbajt në Prizren, më 8-10 korrik të vitit 1945. Konferenca u mbajt nën presion dhe nën kërcënimin e grykës së pushkës. Shumica e delegatëve ishin serbë, por që në kokë mbanin plisa të bardhë. Arbitrarisht Konferenca shpalli të paligjshme dhe korrigjoi vullnetin dhe aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, të shprehura nëpërmjet delegatëve të Kosovës në Konferencën e Parë të Këshillit NÇ për Kosovën të mbajtur në Bujan të Malësisë së Gjakovës, më 31 dhjetor 1943 e më 2 e 3 janar 1944. Shumica e delegatëve shqiptar edhe në Konferencën e Prizrenit e mbështetën dhe u thirrën në Rezolutën e Konferencës së Bujanit. Mirëpo, në një situatë të tillë të krijuar, Konferenca e Dytë detyrohet të ndërpresë punën. Kërkohet një pushim i shkurtër. Të gjithë kundërshtarët mblidhen dhe nuk do të kthehen më në mbledhje. Shumica prej tyre likuidohen aty për aty, ndërsa të tjerët do të likuidohen më vonë nga organet e OZN-ës.
Dita shihej me mëngjes: shpirtërat e Karagjorgjeviçëve ishin ngjallur, ndërkaq popullit shqiptar dhe trollit të tij të lashtë po i përgatitej edhe një provë e madhe dhe e rëndë…
Kënga “E katërdhetë e katërta tuj m’arue” është kënga e parë e rapsodit Dervish Shaqa që e hapë ciklin e këngëve epike historike në të clin përjetësohet rezistenca e pa epur e popullit shqiptar gjatë viteve të pas Luftës së Dytë Botërore kundër dhunës dhe terrorrit serbo-jugosllav, dhunë dhe terror gjithnjë në ngritje.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …