Pasi botoi një numër të konsiderueshëm tregimesh në revistat dhe gazetat e Kosovës, 50 vjet më parë, Adem Demaçi botoi romanin e tij ,,Gjarpinjtë e gjakut”. Ky roman u botua në revistën letrare ,,Jeta e Re” nr. 1 dhe 2 në vitin 1958. Me tregimet dhe romanin e tij tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës, duke u bërë shkrimtari më premtues në këtë pjesë të letërsisë shqipe.
Të tematizosh një roman 50 vjet pas botimit të tij, në radhë të parë, do të thotë të merresh me historikun e recepcionit të tij.
Fati jetësor i autorit të romanit ,,Gjarpinjtë e gjakut”, burgosja dhe tri dënimet e tij (1959, 1964, 1975) me 28 vjet burg të rëndë politik, të cilat i vuajti në tërësi, e përcolli edhe veprën letrare të tij, e cila pat dy mënyra recepcioni.
Para se të burgosej autori, vepra u lexua në mënyrë legale dhe u vlerësua gjithashtu. Pas burgosjes së autorit romani, po edhe tregimet u ndaluan. Adem Demaçi u bë jo vetëm disidenti i parë, po edhe korife i disidencës shqiptare në Kosovë.
Shkrimtarët, kritikët (disa prej të cilëve edhe e akuzuan me deklaratat e tyre në gjykimin e parë) të veshur me pushtet apo të instrumentalizuar nga ai, u kujdesën që ky roman të vritej me heshtje, ndërsa në rastet, kur nuk e arrinin një gjë të tillë, e inkriminonin lexuesin, që kishte guxuar të lexonte një libër ,,armiqësor” sipas tyre.
Pra, romani ,,Gjarpinjtë e gjakut” u shndërrua në një tekst letrar divergjent me pushtetin, por në një tekst letrar konvergjent me recepientin, duke u shndërruar në një bibël të një letërsie dhe mendimi ndryshe. Sipas Hans Robert Jausit vepra letrare është ,,një strukturë dinamike, të cilën e kuptojmë në ndryshimin historik të konkretizimeve të saj, prandaj ndikimin mund ta ndajmë nga recepcioni, ngase ai konsiderohet element konkretizimi apo element i krijimit të traditës së kushtëzuar nga teksti, ndërsa recepcionin element të kushtëzuar nga adresanti apo lexuesi” (H.R.Jaus, ,,Estetika e recepcionit”). Në kontekstin e këtij mendimi, leximi ilegal i romanit ,,Gjarpinjtë e gjakut” nga rinia kosovare, e cila kërkonte liri dhe emancipim kombëtar, ka ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm në krijimin e vetëdijes kritike për pushtetin mohues të lirisë kombëtare dhe njerëzore. Është me rëndësi të theksojmë se leximi ilegal i këtij romani ka bërë, që lexuesi në vepër të gjejë jo vetëm domethëniet e menduara nga autori, po edhe të tjera, të cilat zakonisht i jepen veprës letrare në të tilla raste, kur lexuesi identifikohet me veprën dhe autorin e saj, herë-herë gjer në idealizim.
Këtë mendim do të përpiqem ta ilustroj me një detaj nga përvoja ime jetësore:
Besim Ndrecaj, gjeodet në Suharekë, në vitet e nëntëdhjeta e vrau në zyrën e tij një oficer të policisë serbe, i cili i torturonte shqiptarët. Pas largimit nga vendi i ngjarjes, Besimin e vranë me gjuajtje nga helikopteri. Ato ditë në shtëpinë time erdhi për vizitë Adem Demaçi, i cili më tregoi se ka qenë për ngushëllime në shtëpinë e Besim Ndrecajt dhe se babait të tij i kishte thënë se po ta kam lakmi, po të xhelozoj se ia ke dhënë një hero Kosovës. Pastaj i tregova Adem Demaçit se Besim Ndrecaj shkollën e gjeodezisë e kishte kryer në Gjakovë, se kishte qenë nxënës i imi në vitet e shtatëdhjeta, se numrat 1 e 2 të ,,Jetës së Re” të vitit 1958 në të cilët ishte botuar romani i tij, ia kisha dhënë unë dhe ai e kishte shumëzuar e shpërndarë në mesin e bashkëmendimtarëve të tij. Me një fjalë, i kisha treguar një rast konkret të ndikimit të madh të romanit të tij tek lexuesit, që më vonë do të jenë dëshmorë e heronj të Kosovës.
Pas daljes nga burgu në vitin 1990 romani i tij i parë u ribotua (Sh.B ,,Buzuku etj.) dhe kështu rifilloi recepcioni legal, i ndërprerë që në fillimet e tij. Ky receptim ishte larg normalitetit për shkak të fushatave të vazhdueshme të instrumenteve të politikës ditore ndaj autorit, të nxitura nga qëndrimi i tij parimor dhe i pakompromis ndaj politikës pa vizion dhe pa moral e me pasoja të rënda për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan.
Sot, pas 50 vjetësh nga botimi i parë, domosdoshmërisht shtrohen pyetjet: A thotë ende diçka romani ,,Gjarpinjtë e gjakut”?, A është ende aktual? Mendojmë se romani ,,Gjarpinjtë e gjakut” me përmbajtjen dhe me strukturën e vet paraqet një dialog të vazhdueshëm në mes të subjekteve nga e kaluara me subjektet bashkëkohore. Ky dialog ,,në radhë të parë bazohet në kumtin ,,diçka thotë” (H.R.Jaus, ,,Estetika e recepcionit”).
Romani ,,Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit është aktual sot e besojmë se do të jetë edhe nesër ngase në pjesën e letërsisë shqipe të krijuar në Kosovë paraqet modelin klasik të romanit, i cili parashtron pyetje të njëjta në kohë të ndryshme të recepcionit, por në të njëjtën kohë edhe të reja për të cilat G. Kajzeri do të thoshte se lexuesi ,,i dëgjon posa t’i hapë veshët dhe përpiqet t’i qaset (veprës letrare K.R.), gjersa veprat tjera duke u bërë shumë të njohura vjetrohen për shkak se potenciali i tyre i pyetjeve shtirret dhe se pyetjet në të cilat kanë dhënë përgjigje këto vepra janë vënë ad acta” (H.R.Jaus ,,Estetika e recepcionit”).
Çështjen e aktualizimit të historikut të recepcionit të këtij romani nuk e bëjmë rastësisht në 50 vjetorin e botimit të parë, përkundrazi ky aktualizim, qëllim kryesor ka përmirësimin e procesit, që zhvillohet në mes të veprës së pranuar (të lexuar) dhe vetëdijes pranuese apo të recepientit.
Pas historikut të shkurtër të recepcionit të romanit ,,Gjarpinjtë e gjakut” është e natyrshme të bëhet pyetja: cila është lënda romanore dhe mënyra se si është tematizuar ajo?
Përgjigjja e plotë e kësaj pyetjeje do të ishte një monografi e tërë interpretuese, ndërsa përgjigjja telegrafike mund të përmblidhej në dy paragrafe përmbyllëse të këtij shkrimi.
Adem Demaçi, në romanin e tij ,,Gjarpinjtë e gjakut”, tematizon kodin zakonor shqiptar të gjakmarrjes të lokalizuar në jetën e dy trevave verilindore shqiptare, në atë të Llapit dhe Gollakut, më saktësisht në hapësirën e Përroit të Thatë, i cili me simbolikën kronotopike na e kujton njërin nga romanet më të mira në letërsinë tonë, të botuar disa vjet më vonë, konkretisht na e kujton romanin e Jakov Xoxës ,,Lumi i vdekur”. Përroi i Thatë apo lumi i vdekur kanë mbulesë të njëjtë semantike, simbolika e së cilës nënkupton jetën pothuajse të shterur të banorëve apo jetën e shndërruar në një fill të hollë ekzistencial i gatshëm për t’u këputur. Kjo ekzistencë e rrezikuar i ka shkaktarët e saj, nga të cilët disa na i thotë e disa na i sugjeron vetëdija kritike si pikë fillese në veprën e Demaçit. Kjo vetëdije kritike është gurra prej nga buron disidenca e shkrimtarit Adem Demaçi, i cili gishtin e kritikës dhe qortimit e ngriti para hundës së pushtetit antishqiptar në Kosovë.
Romani ,,Gjarpinjtë e gjakut” në aspektin vëllimor është një prozë e organizuar në shtatë kapituj, të cilët në tërësi mbushin 100 faqe libri. Adem Demaçi nuk është shkrimtar i vëllimshmërisë, por shkrimtar, i cili shquhet me seleksionimin rigoroz të lëndës jetësore, të denjë për t’u rrëfyer nga rrëfimtari i nënkuptuar, i liruar pothuajse tërësisht nga rrëfimi autoritar. Ky rrëfimtar është i prirur të rrëfejë e më shumë të tregojë për përjetimet, mëdyshjet, shqetësimet dhe veprimet e personazheve të tij. Mjetet e preferuara shprehëse, më shumë se rrëfimi linear me përshkrime e komente, janë monologu i brendshëm, i cili krijon dramën individuale të personazheve dhe dialogu, i cili krijon dramën kolektive të ngjyrosur fund e krye me tone tragjike.
Mbizotërimi i monologëve dhe dialogëve e bën këtë roman të shquhet me dramaticitet dhe ta afrojë atë shumë afër me tragjedinë si zhanër letrar.
Kumtesë e mbajtur në kremtimin e 50 vjetorit të botimit të romanit ,,Gjarpinjtë e gjakut”, organizuar nga LSHK
Kontrolloni gjithashtu
Isuf Ismaili: Një natë mbresëlënëse e krenarisë shqiptare
Në një sallë të madhe u mblodhën shumë zogj të bukur, nxënësit e mrekullueshëm të …