Vjedhja e shtetit të Kosovës nuk është krim i sotëm, ka vite që grupe të caktuar të njerëzve me ndikim janë duke e vjedh shtetin e tyre, që dikur vetëm kanë ëndërruar të shkruajnë qoftë edhe në letër Republika e Kosovës, andaj nuk po mund e kuptojë si nuk kanë pak rahmet për 13 mijë të vdekurit nga lufta e cila nuk ka kalua as 20 vite, si nuk frikohen për ata lot që edhe gurin kishin me e nda, si kanë guxim me e marr kafshatën e jetimit, me ia nda nga goja kafshatën e bukës një fëmije të dëshmorit, thjesht duhet me qenë fort shpirt ligë me pas zemër me e hëngër paranë e shtetit pa mëritë.
Miliona euro në vit tjetërsohen brenda Institucioneve Shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë, e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore, manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në media të shkruara dhe elektronike.
Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovar humbin si pasojë e faktorit njeri, shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase efektive dhe me një transparencë më të madhe.
Ditë më parë u shpërfaq edhe fenomeni jo i panjohur për shoqërinë kosovare, manipulimi me pensionet e luftëtarëve të UÇK-së, hiç më pak se 19 mijë mashtrues, a në anën tjetër krenohemi me besën e shqiptarit, po çfarë bese keni ju bre, mos harroni Fenomeni i “besës” ndër shqiptarë paraqet vlerat më sublime etike, fetare, dokesore dhe shpirtërore.
Shqiptari i vërtet nuk gënjen….
Ky fenomen mbart me vete vlerat më të larta morale të shqiptarit, vlera mjaft autentike, me të cilat shqiptarët, sidomos në të kaluarën, dalloheshin nga popujt e tjerë. Besa, si fenomen unikat nuk mund të përkufizohet thjesht si sentiment sublim i mbajtjes së fjalës së dhënë, meqë ekziston dallimi mes fjalës së dhënë lidhur me lidhjen e një kontrate gojore, dhe besës si kategori elementare dhe fondamentale të lidhjes me besë.
Por ka një lloj njerëzish në Republikën e Kosovës të cilët edhe pse janë më të këqij se gjithë të tjerët, ata u shpëtojnë kontrollit të të gjithëve, këta i hanë çdo ditë njerëzit në besë, i presin në besë, i vrasin në besë, i vrasin duke shfrytëzuar gjithmonë besën, besimet, mirëbesimin e njerëzve.
Veteranet e rrejshëm ia fshin shtetit të Kosovës hiç më pak se 38 milionë e 760 mijë euro në vit, pra 19.000 x 170= 3,230,000 x12 muaj 38,760,00.00 euro.
Paramendoni me 38 milionë e 760 mijë euro mund të ndërtohen:
1. Çdo vit mund të ndërtohen nga 3 shkolla: 3 x 5,000,000.00 = 15,000,000.00
2. Çdo vit mund të ndërtohen nga 100 shtëpi banimi 100 x 25,000= 2,500,000.00
3. Çdo vit mund të ndërtohen nga 2 spitale super luksoze 2 x 10,000,000.00= 20,000,000.00
4. Çdo vit mund të ndërtohen nga 1 shtëpi shëndeti 1 x 1,260,000.00.
Totali: 38,760,000.00.
Nuk është vetëm dëmi ekonomik prej 38 milionë euro, kryesorja e veteranëve mashtrues, mos harroni, janë 19 mijë vota vetëm nga mashtruesit duke mos llogarit në familjet e tyre, pra janë plot 5 deputet që fitojnë mandatin nga këta mashtrues.
Personalisht njoh “veteranë” që më mirë i kanë pas raportet me policinë serbe se sa me UÇK-në, andaj edhe është e pafalshme që mos të ndëshkohen mashtruesit, nuk ka askush të drejt të zhvat taksat tona, andaj pres reagim të madh qytetar.
Gjendja ekonomike në Kosovë është kaotike, punësime enorme partiake, kurrë më keq situata nuk ka qenë, pothuajse nuk ka mbet vend pa punësua militant, punësime pa kriter në Qeveri, në Komuna, koha e matrapazëve, mos harroni kjo do të jetë periudha më e erret ekonomike e Kosovës, mos e harroni vitin 2018, ky do jetë viti i cili do të duhen plot 20 vite për ti kthyer në binar gjërat e ekonomisë së Kosovës.