Buxheti shtetëror është një nga instrumentet më të rëndësishme ekonomike i Republikës së Kosovës, i cili përgatitet nga Ministria e Financave në koordinim me organizatat buxhetore dhe miratohet në fund të vitit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, buxheti për vitin e ardhshëm përgatitet në vitin aktual, ndërsa shpenzimi i buxhetit bëhet sipas planifikimit të organizatave buxhetore.
Punësimi dhe mirëqenia sociale zënë vend të rëndësishëm në programet e çdo qeverie nga paslufta, Republika e Kosovës aktualisht ka rreth 431 ligje në fuqi, 34 ligje janë nga fusha e punësimit dhe mirëqenies sociale ndërsa nga 1,986 akte nënligjore, 139 zbatohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas një dokumenti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i quajtur “Rregullimi dhe Menaxhimi i Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve nga Sigurimi Social”, skemat sociale për vitin 2018 do të kushtojnë rreth 380 milionë euro. Kur kemi parasyshë se disa ligje për skema të reja janë në procedurë të miratimit, disa të tjera po presin per t’u proceduar dhe duke llogaritur shtimin natyror të përfituesve, është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet të arrijnë shumën e mbi 430 milionë eurove thuhet në këtë raport.
Projekt buxheti i Republikës së Kosovës i vitit 2019 sikurse edhe viteve tjera nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, si pasojë e orientimit të gabuar në fusha me më pak prioritet, pra buxheti duhet të orientohet në këto kategori siç janë: ulja e papunësisë, mbështetja e prodhuesve, fuqizimi i sektorit privat dhe hartimin e politikave fiskale adekuate, mirëpo Kosova çdo vit për mbrojtje sociale shpenzohet rreth 22.5% e buxhetit.
Sipas Bankës Botërore Kosova është një ndër vendet më të reja në Evropë sa i përket moshës së popullsisë, ku 66% e popullsisë është në moshë pune dhe ku mosha mesatare e popullsisë është 27 vjeç. Vetëm 8% e popullsisë është në moshën mbi 65 vjeç, shifër kjo e ulët krahasuar me mesataren e vendeve të BE e cila është 19%. Rritja ekonomike vjetore në mesatare është 3.5%, gjersa për vitin 2017 parashikohet një rritje prej 4.4% e GDP (Bruto Produktit Vendor). Kosova mbetet vendi më i varfër dhe me papunësinë më të lartë në Evropë edhe sipas raportit të Vlerësimit të Politikave të Punësimit dhe Mirëqenies Sociale ( KEEN).
Vlera më e madhe e projekt buxhetit edhe në vitin 2019 është ndarë për mallra dhe shërbime, gjithashtu edhe për investime kapitale, me theks të veçantë në autostrada, çka edhe ka ngjallë reagime të qytetarëve sepse buxheti i shtetit ka filluar të ndahet edhe sipas prejardhjes së Ministrit apo zyrtarëve të Ministrisë duke anashkaluar prioritet.
Ky buxhet i vitit 2019 po edhe i buxheteve të viteve paraprake është më shumë buxhet i varfërisë se sa zhvillimor, siç dihet Republika e Kosovës ende vazhdon të jetë në mesin e shteteve më të varfra në rajon, prandaj varfëria nuk ulet me skemat sociale siç kanë pretenduar qeveritarët e Kosovës, pra Kosovës i duhet një buxhet zhvillimor me investime kapitale në sektorin privat sepse garanton ulje të papunësisë dhe zhvillimit afatgjatë dhe serioz.
Pra duhet fuqizim i sektorit privat për të pasur stabilitet të zhvillimit ekonomik, mirëpo sektori privat është lenë në mëshirë të fatit.
Të punësuarit në sektorin privat në Kosovë flasin për shkelje të mëdha të të drejtave të tyre nga punëdhënësit. Orari i stërzgjatur i punës, punësimi pa kontratë pune, pagesa jo e rregullt, janë disa nga shkeljet, me të cilat përballen këta punëtorë. Edhe nga hulumtimet e bëra nga disa organizata joqeveritare në Kosovë, janë evidentuar shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, siç dihet vetem në vitin 2018 në vendin e punës jetën e kanë humbur 18 punëtor.
Ngritja e pagave vetëm në sektorin publik ka ngjallur reagime të ashpra nga sindikatat dhe përfaqësuesit e sektorit privat siç është: Oda Ekonomike e Kosovë, një ngritje e pagave në sektorin publik e paralajmëruar është e papranueshme, veçanërisht në gjendjen aktuale që mbretëron në sektorin privat. Mos harroni se sektori privat mbush arkën e shtetit, ku kontribuues aktiv janë mbi 300 mijë qytetar, dhe të anashkalohen vetëm se nuk kanë një zë në Qeveri.
Sipas Statistikave nga ASK-ja paga mesatare në sektorin publik dhe privat dallon shumë dhe Kosova prinë dukshëm nga vendet e rajonit me një praktik të tillë, mendoj se nuk është praktik e mirë anashkalimi kaq i madh nga Qeveria e vendit.
Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte vetëm 407 Euro, derisa në vitin 2016 arriti në 525 Euro, duke u rritur me 28.95%. Derisa, paga neto nga 353 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 449 Euro, një rrije prej 27.09%.
Sipas ASK-së paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012 ka qenë 367 Euro, derisa në vitin 2016 arriti në 371 Euro, që u rrit me vetëm 1.09 %. Derisa, paga neto nga 333 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 337 Euro, me një rritje prej vetëm 4 Eurosh.
Sipas raportit të Bankës Botërore një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit shkon për mbrojtje sociale. Në vitin 2016, klasifikimi buxhetor për mbrojtje sociale përbënte 22.05% të të gjitha shpenzimeve buxhetore, apo 386 milionë euro. Në vitin 2017 kjo shifër ka kaluar 400 milionë euro. Po ashtu, edhe në krahasim me GDP, sipas Raport Vlerësimi i Politikave të Punësimit dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, s Kosova është një ndër shpenzuesit më të mëdhenj në skema sociale në krahasim me vendet e rajonit dhe vendet e Evropës. Sipas Bankës Botërore, mesatarja e shpenzimeve për skemat sociale në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore sillet në 1.8% të GDP.
Buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet në forma të ndryshme, dhe ka një kosto tejet të lartë për kategoritë sociale dhe pensionet e veteranëve të UÇK-së, që në vitin e fundit pothuajse ka degraduar gjithçka, nga prokuroria e shtetit janë akuzuar mbi 20 mijë veteran të rrejshëm, e proceduar ende vazhdon deri në vendimin final, por buxheti i shtetit po vazhdon të shpenzohet pa kurrfarë kriteri. Me Ligjin për buxhet të vitit 2015 Ministria e financave ndau rreth 24 milionë euro për veteranët, mirëpo ata pensionet e tyre filluan t’i marrin veç në vitin 2016 ku ishin paraparë 32 milionë euro me rishikim të buxhetit.
Pra buxheti i Republikës së Kosovës është ngarkuar tej mase si pasojë e manipulimit të listave me veteranë të rrejshëm, miliona euro në vit tjetërsohen brenda Institucioneve Shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë, e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore, manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në media të shkruara dhe elektronike.
Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, nga të gjitha qeveritë që Kosova ka pas, andaj tashmë ka një vullnet gjithë popullor që kjo formë e udhëheqjes të ndryshojë, ngase kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovar humbin si pasojë e faktorit njeri, shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase efektive dhe me një transparencë më të madhe.
Në Ligjin për Buxhetin 2017 u ndan 38 milionë euro dhe u tha se ky do të jetë kufiri maksimal, por me rishikimin e buxhetit kjo shumë u rritë për 69% dhe arriti në mbi 64 milionë euro. Projektbuxheti për vitin 2018, i cili u aprovua në fund të tetorit, parasheh shpenzime prej afër 59 milionë euro për vitin 2018, kurse për vitet 2019-2020 parashihet që kjo shumë të stabilizohet në 63,5 milionë euro, shpreh Raport Vlerësimi i Politikave të Punësimit dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë.
Pensionet e veteranëve nga viti 2015-2020
Në fillim të vitit 2017, pensionin e veteranit e kanë tërhequr 29,510 veteranë, prej tyre 2,199 ishin gra. Në muajin shtator ky numër ka mbërritur në 35,350 veteranë, prej tyre 3,476 gra.
Republika e Kosovës në asistencë sociale ka qindra mijëra qytetarë, sipas ASK-së në vitin 2015 janë 107,451 qytetarë që marrin asistencë nga shteti ose mbi 25 mijë familje, në vitin 2016 ndihmën e shtetit e kanë pranuar 26,302 familje dhe në vitin 2017 rreth 106,628 qytetar kanë përfituar nga skemat sociale nga Qeveria e Kosovës.
Numri i përfituesve në vitin 2016 nga skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës ishte 12,680, pastaj numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës ishte 28,207, gjithashtu nga buxheti i shtetit kishin përfituar 3,412 përfitues nga pensionet e Trepçës. Numri i përfituesve nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ishte 932, ndërkaq nga skema e pensioneve për Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë përfituar gjithsej 218 pensionistë; nga skema për personat e verbër kanë përfituar gjithsej 3 627 persona; ndërsa, numri i fëmijëve të braktisur gjatë vitit 2016 ishte 41, nga ky raport i ASK-së kuptojmë se buxheti i shtetit shpenzon mesatarisht rreth 20% të buxhetit të shtetit në skemat sociale.
Sipas ASK-së në vitin 2017 skemat pensionale janë: 122,716 përfitues me pensione bazike të moshës, prej tyre 43,300 përfitues me pensione kontribut pagues të moshës; 19,481 përfitues me pensione për personat me aftësi të kufizuara; 12,472 përfitues me pensione për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës; 36,032 përfitues me pensione për veteranët e luftës; 3,232 përfitues me pensione të Trepçës; 1,001 përfitues me pensione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; 288 përfitues me pensione për Forcat e Sigurisë së Kosovës; dhe 2,001 përfitues me kompensime për personat e verbër.
Kosova duhet të hartoj politika zhvillimore duke mbështet sektorin privat dhe prodhuesit vendor, Kosova aktualisht importon shumicën e produkteve që i konsumon, që sipas të dhënave nga dogana e Kosovës për çdo vit nga Serbia importohen rreth 500 milion euro mallra, çka edhe prish tregun e Kosovës me çmime dalluese, duke dëmtuar tej mase prodhuesin vendor.
Se skemat sociale mund edhe të destabilizojnë Republikën e Kosovës thuhet edhe nga vet institucionet e Kosovës, konkretisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pra Kosova rrezikon të ketë trazira sociale si pasojë e politikave të gabuara të koalicionit aktual qeverisës, duke shikuar edhe përbërjen e koalicionit, Qeveria po mundohet të blej paqen sociale me rritjen e pensioneve për kategori të ndryshme duke mos respektuar as rritjen ekonomike as buxhetin i cili ka filluar të zbrazet pa kurrfarë kontrolli.