Mr. Lulzim A. Beqiri

Mr. Lulzim A. Beqiri: Ku shkojnë kosovarët pse në Kosovë nuk rrinë?

 “Ku shkojnë kosovarët, pse në Kosovë nuk rrinë”, kjo ishte një këngë më të kënduara të këngëtarit,  Ilir Shaqiri shumë vite më parë, mirëpo nëse ajo këngë është kënduar shumë kohë më parë, kosovarët prapë po vazhdojnë të ikin nga shteti i tyre, por kësaj radhe jo nga okupatori serb, por nga pangopësia e liderëve të shtetit që tash e 20 vite nuk po i garantojnë rinisë një perspektivë zhvillimore.

Janë qindra mjekë, inxhinierë, ekonomistë, arkitektë e punëtorë krahu që po ikin me të madhe nga Kosova jonë e bukur, tashmë kriza veçse ka filluar të troket në dyert e bizneseve kosovare, eh kënga prapë po këndohet ku janë kosovarët pse në Kosovë nuk rrinë…

Mendoj se janë qindra arsye për të ik nga Kosova jonë e dashur, jo për faktin se ky vend ka ndonjë mangësi në fakt mangësia e vetme e Kosovës është se ka një klasë politikanësh të pangopur dhe kjo pangopësi po vazhdon tash e dy dekada, në njërën anë politikan milionerë e në anën tjetër qytetarë që jetojnë buzë greminës, pra arsyeja kryesore që shqiptarët e Kosovës po ikin nga atdheu i tyre janë politikat e gabuara politike e ekonomike nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Republikën e Kosovës.

Tashmë po bahen tri gjenerata që po duhet të emigrojnë në vendet e botës për të siguruar kafshatën e bukës, edhe pse jam i bindur se nuk ka si buka e Kosovës, gjyshi u detyrua të ik shkak i okupimit të Serbisë, baba po ashtu si shkak i torturave policore të kriminelëve serb, e djali si pasojë e politikave të gabuara të politikanëve shqiptar, dhe kjo të rrëqeth lëkurën, si flenë të qetë në shtëpitë e tyre, a kanë gjak shqiptari, a kanë ndërgjegje….

Po përmendi vetëm 4 arsyet kryesore që një të ri shqiptar të Kosovës e detyrojnë për të kërkuar një jetë më të mirë rrugëve të Evropës:

Papunësia

Papunësia është një barrë e madhe për të gjithë qytetarët në këtë vend të dalë nga një luftë e përgjakshme, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik.  Siç dihet, ky fenomen shkakton shumë dëme të mëdha, si në aspektin ekonomik, shoqëror, social e politik.

Rritja e madhe e papunësisë mund të shërbejë si shtrat i ngrohtë për zhvillimin e dukurive negative të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, e posaçërisht për rininë, e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re. Këto dukuri mund të jenë: kriminaliteti, vjedhjet, plaçkitjet, zhvillimi i ekonomisë ilegale, droga, huliganizmi etj.  Për të siguruar ekzistencën e vet dhe të anëtarëve të familjes, të papunët janë të prirë të bëjnë punë të liga dhe të dëmshme që shkojnë në dëm të shoqërisë në përgjithësi. Mund të konstatojmë se papunësia e madhe paraqet një problem mjaft kompleks dhe të ndërlikuar ekonomiko-shoqëror dhe social, për çka duhet edhe  qasje komplekse për zgjedhjen e këtij problemi.

Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica  pa meritë, thjesht ky fenomen ka shtri rrënje, nuk ke mundësi me u punësua në Kosovë nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para, nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës. Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia ende mbetet problemi kryesor i politik bërësve, mirëpo politikat që kanë ndërmarr këto qeveri tash e 18 vite nuk ka ndonjë tendencë për ulje të papunësisë, madje papunësia vetëm sa ka filluar të rritet, ndarja e buxhetit të shtetit tregon shumë qartë se politikanët aktual nuk kanë plan uljen e papunësisë, në përjashtim të militantëve partiak që i kanë mbush institucionet, jemi dëshmitar se sa shumë manipulohet me punësimi, pothuajse është një treg i cili negociohet çmimi për një vend pune.

Shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35,3%, ose 176,743 persona, për vitin 2015 ishte 32,9%, ose 145,776 persona, ndërsa për vitin 2016 ishte 27,5%, ose 126,070 persona, edhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30,5%, ose 156,583 persona.

Karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30,513 persona, pra Qeveria në vend që ti rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, sipas trendëve edhe në vitin 2018 do të ketë rritje të papunësisë.

 

Nepotizmi

Diskriminimi në tregun e punës në shoqërinë kosovare është aq i përhapur dhe dinamik, sa që nuk ka kohë për pritje nevojiten masa urgjente për ta ndalur atë.

Ndonëse nuk ka pasur vullnet politik për të luftuar këtë problem, Qeveria e Kosovës duhet të kuptoj rëndësinë e parimit të mundësive të barabarta si parakusht për drejtësi sociale dhe ekonomi të zhvilluar, dhe të hartojë kornizën ligjore për adoptimin e masave që e luftojnë diskriminimin në bazë të bindjeve politike, gjinisë, moshës dhe aftësive të kufizuara.

Nuk ka konkurs publik në Kosovë që hapet dhe nuk aplikojnë një numër i konsiderueshëm kandidatesh, dhe për atë vend pune veç  është duke punuar dikush, thjesht kurdisje e çdo konkursi.

Raporti i Progresit  për vitin 2018 ka dhënë vërejtje serioze lidhur me politizimin e vazhdueshëm të administratës publike, pra nepotizmi ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike.

Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë.

Korrupsioni

Siç dihet korrupsioni shkakton shumë dëme të konsiderueshme si në aspektin shoqëror ekonomik, social e politik. Mbetet sfidë e madhe për krerët e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmasimin e kësaj dukurie që e ka kapluar shoqërinë kosovare posaçërisht institucionet ekonomike dhe shtetërore siç janë: PTK-ja,  doganat, universitetet, organet komunale, Administratat dhe institucionet tjera vendimmarrëse shtetërore.

Rritja e madhe e kësaj sëmundjeje mund të shërbejë  si shtrat i ngrohet për zhvillimin e dukurive negative të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi e posaçërisht për rinin e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re,  si një shembull jo i mirë për të ardhmen e tyre.

Mund të konstatojmë se rritja e vazhdueshme e  korrupsionit në përmasa të këtij niveli,  paraqet një problem mjaft kompleks ekonomiko-shoqëror e social, për çka duhet edhe të kihet qasje komplekse për zgjedhjen e këtij problemi.

Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me qytetaret e sajë  duhet që sot o kurrë të bëjnë një koalicion të përbashkët, për ti dhënë goditjen e merituar atyre që janë duku aplikuar këtë dukuri çoroditëse në kundërshtim me ligjet në fuqi,  e gjithashtu  edhe me traditat e popullit Shqiptarë.

Korrupsioni është  njëra nga arsyet pse qytetaret e Republikës se Kosovës janë kaq pesimist për të jetuar dhe  investuar në token ku sakrifikuan shumë.

Kosova ballafaqohet sot me sfida shumë të mëdha në Integrimet Euroatlantike. Korrupsioni mbetet fenomen i zakonshëm në jetën e përditshme të kosovarëve.

Qytetaret e këtij vendi  duhet  që në asnjë mënyrë të mos  kontribuojnë në përhapjen e kësaj sëmundjeje, nga veprimet aktive ose pasive të tyre, ose me heshtjen e tij të bëhemi  bashkëfajtorë. Korrupsioni është një e keqe që duhet të luftohet duke refuzuar të japë ose të marrë dhe duke raportuar atë në organet kompetente.

Kjo në fund të fundit është detyra jonë si qytetar, për të denoncuar të keqen dhe në të njëjtën kohë, në duhet gjithmonë të jemi të vetëdijshëm për të mos përkrahur sjelljen e keqe të disa individëve,  ne nuk duhet të lidhemi me ta ose t’u lakmojmë atyre qofshin edhe të afërmit tanë.

Sot ryshfeti dhe korrupsioni sikur është bërë normale në jetën tonë, dhe ndoshta edhe kemi marrë pjesë në të edhe pa menduar fare!

Diskriminimi në paga

Rritja e pagave për kabinetin e kryeministrit. Kostoja  e pagave të sektorit publik ka pasoja në politikat monetare dhe fiskale në Republikën e Kosovës dhe këto të fundit kanë gjithashtu një ndikim thelbësor mbi pagat e sektorit privat. Ky ndikim mund ta rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe, nëpërmjet peshës së inflacionit, mund ta vërë në rrezik stabilitetin makroekonomik. Nga ana tjetër, rritja e pagës (për vetveten dhe vartësit e tij)  nga Kryeministri i Kosovës ka ngjallë reagime nga shoqëria civile, qytetarët dhe deputetet e Kuvendit, madje për pasojë kemi edhe një vendim nga Agjencia Kundër Korrupsionit, që rekomandon shfuqizimin e vendimit. Gjithashtu lënda është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për ta vërtetuar ligjshmërinë. Nëse i analizojmë mirë pagat e liderëve të rajonit, atëherë Kosova qëndron në maje të pagës më të lartë, përveç Sllovenisë që prinë si shteti me pagën më të lartë për Kryeministrin. Sipas të dhënave në media, këto janë pagat sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Agjencia e Statistikave e Republikës së Kosovë e publikoi nivelin e pagës mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve nga viti 2012 deri në viti 2016. Sipas këtyre të dhënave, sektori privat mbetet më i diskriminuari ndër sektorët në Kosovë. Në vitin 2012 paga neto mesatare në sektorin privat ishte 333 euro dhe për 5 vite kishte një rritje prej vetëm 0.80 euro cent në vit, gjë që nuk do koment: ky sektor ka mbetur në mëshirën e fatit. Vetëm në vitin 2017 në sektorin privat jetën e kanë humbur në vendin e punës mbi 17 punëtorë, pa gëzuar as edhe ndihmën elementare nga shteti. Pra janë edhe shumë arsye tjera që kosovarët po ikin në vende të ndryshme, monopoli, mos sundimi i ligjit, diskriminimi, dhuna në familje, ky vend ka nevojë për politika zhvillimore, dhe ka nevojë për një qeverisje efektive e efikase e mbi të gjitha transparente.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …