(Betim Muço: Gjurma e vetëtimës, EQUINOXES, SHBA, 2007)
Betim Muço (21 janar 1947-15 janar 2015) është emër i njohur në letrat shqipe në Shqipërinë londineze dhe jashtë saj, deri edhe në Amerikë, por jo sa duhet i prezantuar dhe në Kosovë. Ai njihet si poet, prozator, antologjist, përkthyes. Një kohë ka qenë punonjës shkencor në Institutin Sizmologjik të Akademisë së Shkencave në Tiranë. Ka botuar mbi njëzet vepra letrare. Një nga veprat e tij më të veçanta është romani “Gjurma e vetëtimës” (kushtuar Isa Boletinit), botuar nga SHB “Naim Frashëri” (1986) dhe ribotuar në SHBA më 2007.
Për Isa Boletinin janë shkruar dhe botuar shumë shkrime gjinish e zhanresh të ndryshme (letrare e historike), janë bërë piktura e skulptura, janë bërë dokumentarë, janë luajtur role në teatër e film, por askund si në romanin “Gjurma e vetëtimës” nuk është paraqitur në mënyrë më dinjitoze, në mënyrë më të plotë, kaq madhështore figura dhe portreti i tij. Këtu, si rrallëkund tjetër janë shkrirë në një: letërsia, historia, piktura, muzika, skenat filmike; se këtu aq bukur, aq këndshëm, aq thjesht e pahetueshëm prishen kufijtë (eventualë) mes historisë dhe letërsisë, teatrit dhe filmit, traditës dhe modernes, realitetit dhe imagjinatës, poezisë dhe prozës; lirikës, epikës dhe dramatikes; fjalës, ngjyrës dhe tingullit; shpresës dhe ankthit, dashurisë dhe urrejtjes, ëndrrës dhe realitetit. Të gjitha këto me një qëllim të vetëm: që portreti i heroit Isa Boletini (jo vetëm i tij) të paraqitet sa më i plotë në rrugëtimin e tij jetësor, në faza të ndryshme të jetës, sidomos në momentet e fundit të jetës së tij në internim dhe vrasjen e tij vetë i teti në tradhti më 23 janar 1916 në Mal të Zi.
Kompozicioni dhe struktura e romanit
Romani “Gjurma e vetëtimës” është vepër me një strukturë, kompozicion e rrëfim të veçantë. Romani përbëhet prej dhjetë kapitujve (I-X) dhe dhjetë ”këngëve”, plus “Kënga e fundit”. Kapitujt dhe “këngët” kanë një lidhje të natyrshme dhe funksionale. Këngët herë u paraprijnë kapitujve, herë shkojnë paralel, në formë të dy linjave (të “rrëfimit”), për t’u shkrirë në një. “Kënga e parë” dhe “Kënga e fundit” mund të merren si hyrja dhe përfundimi, si fillimi e fundi, si prologu dhe epilogu i veprës. “Këngët” nuk janë të ndërtuara në vargje por në trajtën e prozës, prozave poetike. Ato janë rrëfenja lirike, janë poezi, himne.
Në këtë roman, në strukturën e tij shkrihen e shtrihen tema e motive, rrëfimi, përshkrimi e dialogu, diskursi historik e diskursi letrar, kategoritë estetike: e bukura, e shëmtuara e madhërishmja. Gjithashtu ngjyrimi emocional lirik, epik dhe dramatik shtrihet në dhjetë kapitujt dhe këngët e veprës. Me anë të këtij ngjyrimi rrëfehen, përshkruhen, tregohen, zbulohen ngjarje, situata, ambiente; zbulohet gjendja shpirtërore e personazheve, veprimet e tyre, pikëpamjet për jetën, kohën, rrethanat, të ardhmen; për dukuri e ngjarje të caktuara.
Temë e romanit “Gjurma e vetëtimës” është një ngjarje nga historia. Bosht mbi të cilën ndërtohet tema, bosht i ngjarjes, ngjarja vetë është figura e Isa Boletinit, që në vepër paraqitet me emër letrar: Sadri Borana. Është vrasja e tij në tradhti më 23 janar 1916 te Ura e Ribnicës në Podgoricë të Malit të Zi. Koha kur zhvillohet ngjarja kryesore në roman është fillimviti (fund janari,1916), kohë kjo kur Lufta e Parë Botërore kishte marrë përmasa të mëdha dhe tragjike. Është kohë kur bota po mbytej në gjak, digjej në flakë, ngulfatej në tym, mbulohej për të gjallë nën gërmadha; është kohë kur në zjarrin e luftës përmbyseshin e binin qytete, shtete e perandori; popuj kërcënoheshin të zhdukeshin. Fuqitë e Mëdha luajnë me fatin e popujve të vegjël si macja me miun. Kombi shqiptar ishte ndarë e copëtuar tragjikisht. Shteti i sapoformuar shqiptar po bënte përpjekje për të mbijetuar, së bashku me të edhe prijësit e tij, por disa prej tyre nuk ia arrijnë.
Rrjedha e ngjarjes në roman herë është e tipit kronologjik, herë e formës së evokimit, kthimit në retrospektivë. Koha reale e ngjarjes (së rrëfyer në vepër) zgjat rreth tre muaj, por me anë të rrëfimit zgjatet deri në fillimet e luftërave të heroit Sadri Borana. Këtë autori e shpreh me gojën e personazhit kryesor: “Tre muaj këtu më janë dukë më shumë se tre vjet dikur në Stamboll”, thotë Sadri Borana. Vendi ku zhvillohen ngjarjet është një hapësirë gjeografike e njohur (Shkodër, Cetinë, Llovqen, Podgoricë).
Letra, raporte, fletore kujtimesh-kronikë e Dan Boranës (alias Tafil Boletinit), fjalë të urta, këngë, poezi, tregime të shkurtra, legjenda, përralla, anekdota, barsoleta, përshkrime etj., janë pjesë e strukturës së veprës letrare. Edhe ato shkrihen në një: në indin e veprës. Këtu, parateksti, teksti, teksti e konteksti e interteksti e përplotësojnë njëri-tjetrin.
Rrëfimi, përshkrimi, dialogu
Këtë vepër e bën të veçantë, jo vetëm tema e trajtuar, por edhe mënyra e ndërtimit të rrëfimit, dialogut, përshkrimit të situatave, ambienteve, tipizimi dhe bota psikologjike e personazheve.
Rrëfimi në këtë roman nis kështu:
“Kallëzoja, o babë, birit e ti, bir, birit tënd!”
Ky varg përsëritet (me funksion) tri herë në po të njëjtën këngë. Fjalët çelës këtu, në këtë këngë, “Kënga e parë”, janë: kallëzoja, thuaja, trogoju,…mos ia lër pa ia thënë; babë, birit, tënd etj. Kjo e ngacmon kureshtjen e lexuesit, i cili dëshiron të dijë se çka në të vërtetë ka ndodhur, çka patjetër duhet të dijë, të mbajë mend ai, çka kallëzohet, thuhet e rrëfehet.
Ndryshe nga kënga e parë, kapitulli i parë fillon kështu:
“Sadri Borana nuk fle. Sytë i xixëllojnë në terr”.
Nëse në rastin e parë kemi nisjen e rrëfimit (lirik), me anë të të cilit paralajmërohet ajo për çka do rrëfehet, në rastin e dytë, me anë të rrëfimit-rrëfimtari zbulon atë për të cilin rrëfehet, pra heroin Sadri Borana. Ai është kryefjala këtu. Më tutje nis e zbulohet fati i atij për të cilin rrëfehet, arsyet pse ai nuk fle. Dhe arsyeja me pak fjalë është kjo: ai nuk fle se e djeg një zjarr (“zjarri i Shqipërisë”), një zjarr që ndaj vendit të tij kanë ndezur fqinjët; por edhe një zjarr (i përbashkët) ku digjen popuj të Ballkanit dhe më gjerë. Kemi parasysh këtu se jemi në mesin e Luftës së Parë Botërore dhe shkaktarët që e shkaktuan atë luftë janë po ata që e mbajnë të mbërthyer, të robëruar atë (heroin) dhe atdheun e tij. Ai nuk fle, por as nuk mund të bëj gjë. Nuk është në dorën e tij, në mundësinë e tij të ndryshoi diçka. Nuk ka se si e bën. Është mbërthyer (internuar) në një vend, në një shtëpi (si Prometheu në shkëmb) në Cetinë ku ndërthuren, bashkëjetojnë, zihen si në kazan shekspirian “interesa të kundërta, synime shoviniste, kurthe, prapaskena, hipokrizi, luftë; në një vend ku veprojnë “tregtarë, spekulatorë, të arratisur, spiunë, diplomatë, gazetarë” etj.
Këtu, në këtë roman, në rolin e rrëfimtarit herë del autori, herë personazhi kryesor (protagonisti), herë personazhe të dorës së dytë, herë të tretë. Një pjesë të ndjeshme në rrëfim ka personazhi kryesor Sadri Borana. Ai rrëfen në vetën e parë. Jo për vete e për fatin e tij (se për vete nuk qahet), por për fatin e popullit dhe atdheut të tij. Ai di të rrëfejë. Duke rrëfyer zbulon botën e tij shpirtërore, madhështinë, guximin, thjeshtësinë dhe thellësinë e mendimit të tij. Ai ka përvojë. Di kur flet. Ai e peshon fjalën, fjala e tij ka peshën e gurit. Ai flet edhe kur hesht. Çehrja i flet. Qëndrimi. Rolin e rrëfimtarit e marrin edhe personazhe të tjera. Pozitat e atyre që rrëfejnë janë të ndryshme. Kështu në vepër krijohen shtresa e nënshtresë rrëfimesh, një shumësi zërash të artikuluar, të akorduar si duhet.
Veçori tjetër, pos rrëfimit, në këtë roman është edhe përshkrimi.
Autori jo vetëm që rrëfen, tregon e zbulon (së bashku me të edhe lexuesi) ngjarje, rrethana, përjetime, gjendjen shpirtërore të personazheve por edhe bën përshkrimin e situatave, ambienteve, vendeve, veprimeve, hapësirave gjeografike ku operojnë personazhet, ku zhvillohen ngjarjet. Autori në fillim të romanit paraqet ambientin ku janë vendosur, internuar Sadri Borana me bashkëluftëtarë. Më pas kemi kthim në retrospektivë, në momentin e nisjes nga Shkodra për në Mal të Zi të të internuarve. Atmosfera, ambienti dhe rrethanat e vendosjes në Cetinë të Sadri Boranës në kohën kur bien e ngrihen pushtete, frone, mbretëri, kufij, ushtri, gjeneralë, mbretër; ide, qëllime, synime etj., paraqitet me nota të zymta. Gjendja paraqitet kaotike, një amulli e vërtetë, ashtu si është në gjendje lufte. Hapësira ku janë vendosur boranasit është e vogël, e ngushtë: një shtëpi-kullë. Boranasit nuk lejohen të lëvizin lirisht e pa leje as në lagje, qytet e lëre më diku tjetër. Ata i mbajnë të mbyllur. Tamam si ai pëllumbi i Shpendit dhe Sutës në kafaz. Ndryshe qëndron puna me të tjerët. Se autori me anë të përshkrimit jep pamje, ambiente, atmosferë, detaje ku jetojnë, punojnë, bëjnë qejf, zhvillojnë takime, organizojnë darka, ahengje, ballo, kurthe edhe konsuj, mbretër, ministra, kryeministra, gjeneralë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë. Një nga ambientet (paradoksalisht dhe ekstremisht të ndryshme me rrethanat e kohës) është konsullata franceze, në të cilën është vendosur Filip de Karnevon me zonjën e tij. “Shtëpia e konsullit të Francës, me sa duket nuk e ndien fare luftën”, shprehet me të drejtë në një rast diplomati rus Dmitri Voronski. Vende dhe ambiente të tjera janë hotelet, prefekturat, komanda policore, kafiteri, kulla, shtëpi banimi etj. Atmosfera shpesh paraqitet e zymtë, se e tillë ishte dhe koha: e errët, natë, paraag, muzg, ferk; duhan, kollitje, duar në tëmth; të reshura: shi, borë, skllotë; borë e bardhë, tym i zi, bari i kuq. Në këto ambiente, ndeja, takime, darka e biseda e atmosferë, është e pamundur të mos zihej ngojesh, të mos bisedohej për Sadri Boranën. Të bisedohej për të dhe, në ndonjë rast, edhe me të.
Dialogu është shumë i pranishëm, është veçori e radhës në këtë roman. Aq i nevojshëm dhe domethënës. Dinamik e dramatik, por edhe nganjëherë lirik. Përmes tij autori aq bukur i jep rrjedhë e jetë ngjarjes. Me anë të dialogut aq shumë thuhet, rrëfehet, kuptohet e nënkuptohet; aq bukur skaliten pikëpamjet dhe qëndrimet e personazheve, del në pah karakteri dhe qëllimi i tyre i vërtetë, qëllimi dhe caku ku ata synojnë të arrijnë, çka krejt dëshirojnë. Me anë të dialogut, shpesh sqarohen, nënkuptohen rrethana, bindje, qëndrime, pozicione, synime të ndryshme.
Autori, së pari, kap momente të bukura, çaste dramatike të një dialogu të brendshëm, të rrëfimit në vetën e parë të Sadri Boranës. “Mos nuk i duhej shkuar fare kësaj rruge?… A ma mirë do ishte me e ba veten Oso Kukë aty në Shkodër?!…”. Së dyti, jepen arsyet e dorëzimit të tij te francezët, dilemat që e shoqërojnë atë tash e tutje. Për ta dëshmuar këtë po veçojmë dialogun në mes Sadri Boranës dhe kolonelit Uilljams:
“- Desha të dij, pse u dorëzua zotnia?… Mos vallë i qenë mbaruar fishekët?… Dhe pse vallë te Franca? Aty e sheh ai shpëtimin e Shqipërisë?”, pyet koloneli Uilljams.
“-Rashë në besë të Francës. S’desha që malazezët të bajnë mizori në Shkodër prej pushkëve tona. Sa për Francën…asht tepër larg, or zotni kolonel, për ta ndihmuar Shqypninë.”, përgjigjet Sadri Borana.
Së treti, jepen shqetësimet e protagonistit për fatin e atdheut dhe kombit.
“- Nuk them dot gjëra të sakta, Sadri beg, po duhet ta dini se mbi ju thuret një kurth që ju rrezikon jetën”, shprehet në një rast Herbert Makinsli.
“- Ashtu asht… Po kurthi ma i madh po i bahet popullit tim”, përgjigjet Sadri Borana.
Autori dialogun e zhvendos në rrafshe dhe ambiente të ndryshme, jo vetëm në shtëpinë ku janë vendosur Sadri Borana me bashkëluftëtarë, por edhe në restorante, komanda policore, deri edhe konsullata. Nga dialogu mes diplomatëve të huaj, mësojmë për qëndrimet e vendeve të ndryshme ( Francës, Rusisë, Mali të Zi, Serbisë etj.), ndaj Sadri Boranës dhe çështjes shqiptare. Mirëpo, me anë të dialogut, paraqiten dhe raportet e mira mes të internuarve (Sadri Boranës me bashkëluftëtarë) me popullatën vendëse edhe atëherë kur ata nxiten kundër tyre. Për këtë flet më së miri dhe miqësia dhe dashuria që kanë Nela (e verbër) e Vasoviqit (në shtëpinë e të cilit janë vendosur të arrestuarit) dhe Hilë Batusha. Me këtë autori sikur do të thotë se popujt mund të bashkëjetojnë, ndihmojnë njëri-tjetrin në çdo rrethanë, por janë pushtuesit, regjimet, interesat e ngushta, synimet grabitqare, ambiciet për territore të sundimtarëve që i prishin dhe në raste i tensionojnë (i keqësojnë) marrëdhëniet mes popujve. Jo vetëm kaq. Autori dialogun e zhvendos dhe në një ambient a taborr tjetër. Atje ku përgatitet plani famëkeq për vrasjen e Sadri Boranës me bashkëluftëtarë. Veçojmë me këtë rast dialogun mes gjeneral Radomir Veshoviqit (ministër Lufte i Malit të Zi) dhe majorit Sava Zllatareviqit, që ndryshe njihet si Savë Batarja për të zezat e tij, të cilët qenë ngarkuar me përpilimin e planit nga vetë mbreti Nikollë dhe qeveria. Me këtë rast autori e parapërgatit lexuesin, e mban në linjë të rrëfimit për atë që pritet të ndodhë pastaj, kush janë shkaktarët, organizatorët, komplotistët.
Është me rëndësi të thuhet se këtu dialogu është dyfarësh: herë i drejtpërdrejtë e herë jo i drejtpërdrejtë. Të drejtpërdrejtë kemi dialogun mes Sadri Boranës me kolonelin Uilljams, me Makinslin, me djemtë, nipërit dhe bashkëluftëtarët e tjerë; mes Nelës së verbër dhe Hilë Batushës; mes gjeneralit Veshoviq dhe majorit Sava Zllatareviq etj.; ndërsa jo i drejtpërdrejtë është dialogu mes Shpend Boranës dhe Sutës nga Shkodra. Këtu dialogu zhvillohet: edhe mes personazheve historike dhe (reale) dhe atyre imagjinare.
Në këtë roman janë të pranishme dhe situata absurde dhe paradoksale. Ngjarja në roman zhvillohet në kohë lufte, e vetë lufta është absurd i llojit të vet. Ata që shkaktojnë luftëra shpesh krijojnë situata të tilla, të çuditshme. Veprimet e tyre janë të tilla: absurde, paradoksale. Thjesht kur shumica vuajnë, digjen nga zjarri i luftës ata dinë të organizojnë ndeja, dreka, darka, ahengje, ballo; këndojnë, vallëzojnë e dehen nga atmosfera sa, në disa raste, për t’u dukur dikushi dhe veprimet e kafshëve përpiqen t’i koordinojnë me qejfet e tyre. Rast konkret kemi zonjën Saraza, e cila në një rast për t’u dukur pianiste e zonja përpiqet t’i akordojë të lehurat e qenit me notat muzikore. Aq i bën asaj ç’po ndodh rreth saj. Shembull tjetër kemi dhe një gjeneral malazez, i cili për ta dëshmuar dashurinë që ka ndaj zonjës Saraza, është vënë në kërkim (me ushtarë) të qenit të saj të zhdukur në një moment, në kohën kur shteti dhe ushtria e tij qenë shpërbërë, e atdheu robëruar. Pra, gjenerali në vend të mblidhte ushtarët, t’i dilte zot vendit, ai qe vënë në kërkim të qenit të cilin e kishin “hëngër ushtarët malazezë që ktheheshin nga fronti”. Shembull tjetër kemi dhe momentin e vrasjes së Isa Boletinit me bashkëluftëtarë, pikërisht atëherë kur disa prej tyre mendonin se do shpëtonin pasi depërtuan forcat austriake në qytet, ndodh e kundërta.
Personazhet dhe gjuha e tyre
Kemi të bëjmë me një galeri personazhesh. Historike dhe të imagjinuara. Por ka edhe të tretë: të tillë që janë figura historike, por që në roman janë paraqitur me një emër tjetër. Kjo sigurisht për ta bërë dhe ruajtur karakterin poetik dhe letrar të veprës. Shembull konkret kemi Sadri Boranën (alias Isa Boletinin), Dan Boranën (Tafil Boletinin), Shpend Boranën (Sied Boletinin) etj.
Personazhet janë shtresash dhe profesionesh të ndryshme. Vijnë nga vende të ndryshme. Ka shqiptarë, anglezë, francezë, italianë, malazezë. Ata flasin shqip (shpesh në trajtë dialektore), anglisht, turqisht, frengjisht, serbisht. Kanë qëllime po ashtu të ndryshme. Veprimet, karakteret, titujt, gradat, pozitat e tyre flasin për shtresën që ata përfaqësojnë. Ata janë nga ushtarët deri te gjeneralët. Ka malësorë të thjeshtë, prijës çetash, prijës popullor, atashe, konsuj, ambasadorë, diplomatë, ministra, krymenistra. Dhe mbretër ka. Dëshirat, ëndrrat, qëllimet, synimet, karakteret e tyre janë të ndryshme, të shpërputhshme. Në portretizimin dhe tipizimin e tyre autori ka treguar një përkushtim të veçantë. Edhe kur disa janë episodikë ata janë në funksion të rrjedhës së ngjarjes, i përshtatën kushteve dhe rrethanave. Ambientit dhe qëllimeve të caktuara. Personazhet vendosen në ambiente e rrethana të ndryshme. Ata rrëfejnë e rrëfehen. Dialogojnë. Heshtin. Dhe me heshtje flasin.
Si personazhe, si karaktere do veçuar Sadri Boranën, Dan Boranën, Shpend Boranën, Nelën, Xhetan Bacin, Filip de Karnevon, Zonjën Saraza, Dimitri Voronski, kolonelin Uilljams, Herbert Makinsli, Sava Zllatareviqin (i njohur si Savë Batarja) etj. Personazhet në fjalë veçohen se përfaqësojnë karaktere të ndryshme, përfaqësojnë interesa të ndryshme, paraqesin aspekte interesante në vepër. Nga të gjithë këta veçohet Sadri Borana. Sadri Borana është kryepersonazhi, protagonisti, boshti rreth të cilit zhvillohen ngjarjet në vepër, rreth të cilit bisedohet, thuren intriga, kurthe etj.; rreth të cilit thuren lavde, histori, heroizma, ngjarje. Ai është autoritet. Sadri Borana shpesh flet me gjuhën e thjeshtësisë, thellësisë, filozofisë popullore, me gjuhën e metaforës e alegorisë. Ai është i thjeshtë, i matur, i pjekur, madhështor edhe në kuvende burrash, edhe në biseda me diplomatë, konsuj, oficerë, edhe me bashkëluftëtarë: me djemtë, nipërit, shokët me të cilët pi kafe, luan tavëll, luan me zare në çaste pushimi.
Krejt në fund duhet thënë se është vështirë të përcaktohet me saktësi nëse kjo vepër mund të quhet roman-sagë, roman-baladë a roman-epope. Sido që ta quajmë them se nuk bëjmë gabim.
Them se janë të pakta veprat letrare kaq të denja për një skenar filmi, kaq të denja për t’u trajtuar e analizuar në disa aspekte: letrare, historike, filozofike, psikologjike, sociologjike, linguistike e tekstuale.
P.S. (Nuk do kisha kënaqësinë që ta kem në dorë dhe ta lexoj këtë roman, sikur të mos ma jepte këtë mundësi prof. dr. Agim Vinca. Ai ma dhuroi këtë roman në emër të autorit. Se vepra të tilla të mrekullueshme mund të gjesh veç në kabinetin dhe bibliotekën e tij. Përherë mirënjohës për këtë dhuratë të çmuar autorit B. Muço dhe prof. A. Vincës)