Mr. Sheremet Krasniqi Godeni: Shprehje, që s’iu vjen era shqip

Mr. Sheremet Krasniqi Godeni: Shprehje, që s’iu vjen era shqip

Zhvillimi i vrullshëm i gjuhës standarde shqipe dhe fërkimet e saja me gjuhë të huaja, në këto vitet e fundit , bënë të mundshme që shumë shprehje e trajta të gabueshme të hyjnë në gjuhë dhe ashtu të mbesin si mish i egër në trupin e saj.  Konstrukte të huaja gjuhësore mund të ndeshim sidomos në gjuhën e portaleve televizive , e të mos flasim për gjuhën e çoroditur të analfabetëve në fejsbuk e në internet !

Në procesin e njësimit të gjuhës standarde shqipe duhen bërë përpjekje që termat, shprehjet që përdoren, të jenë në frymën e konvergjencës gjuhësore. Jemi dëshmitarë të përdorimit të gabueshëm të shumë termave, fjalëve e shprehjeve të ndryshme, të cilat , me një syçelëti fare të vogël dhe  me një përkushtim më të madh e me një ndjenjë të latë përgjegjësie , do të mund të zëvendësoheshin me brumë të shqipes.

Një rol të veçantë në këtë sferë, siç është folur e shkruar  sa e sa herë , kanë mjetet masive të informimit, radio, televizioni, gazetat e përditshme e periodike, fejsbuku (Facebook ),  të cilat janë të mbytura me të folme dialektore, me skema e gjedhe të gjuhëve të huaja e që i sjellin dëm të madh kulturës së gjuhës në procesin e kristalizimit të saj. Është mëkat, që të mos them turp, të përdorim shprehje të huaja kur kemi tonat, që janë përdorur qyshkur ekziston populli ynë e që janë të gjalla edhe sot në gojën e popullit. Visari i popullit është si një det, në fundin e të cilit kurrë s’mund të zbulosh se ç’ fshihet. Në këtë shkrim kam paraqitur, në mënyrë telegrafike, disa shprehje e kalke , që po përdoren dendur në televizion , por edhe në mjetet e tjera të informimit.

Të vret sytë e veshët shprehja e shpikur kushedi nga kush , por që s’i vjen era fare shqip :

… i dyshuari dërgohet në mbajtje , në vend që të thuhet : … i dyshuari dërgohet në paraburgim ose i është caktuar masa e ndalimit për 24 orë. E për këtë person thuhet : I njëjti akuzohet për keqpërdorim të detyrës , në vend që të thuhet : Ai ( e jo i njëjti ) akuzohet … Kështu thuhet edhe në shumës : Të njëjtit, në vend që të thuhet : Ata ose ato… Pra, mbiemri i njëjti ose të njëjtit nuk duhet të përdoren në raste të tilla. Këto shprehje më së shumti po i përdorin zëdhënësit e Policisë së Kosovës, e pastaj qendrat televizive po i transmetojnë ashtu, pa ndonjë ndërhyrje ! I njëjti është jashtë rrezikut për jetën , në vend që të thuhet : Ai nuk e ka jetën në rrezik .

Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet se bëhet fjalë për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Fadil Syleviq. Siç ka mësuar gazeta, i njëjti ( në vend se : ai ) dyshohet se ka qenë dëshmitar i Gjykatës Speciale…Sinjali  ka tentuar të marrë edhe një përgjigje zyrtare, por të njëjtit ( në vend se : ata ) nuk kanë konfirmuar asgjë .

Madje Vojisllav Sheshel i shajti me nënë trupin gjykues në Gjykatën e Hagës, në vend se të thuhet … ia shajti nënën ( jo , me nënë ) trupit gjykues…

Në gjuhën e folur , por edhe në gjuhën e shkruar, shumë shqipfolës, andej e këndej kufirit , po e përdorin gabimisht numërorin tre ( 3 ). Siç dihet, numërorët nuk e kanë kategorinë gramatikore të gjinisë. I vetmi numëror që ka kategorinë gramatikore të gjinisë është numërori tre : P.sh. Kush erdhi ?- Erdhën tri vajza.  Sa burra erdhën ?- Erdhën tre burra . Kështu lexojmë : “ Tre femra rrahin një mashkull shkaku i pronës “ !

“ Tre shpata të Skënderbeut “ !

Duhet ditur se për dallim nga gjuhët indoevropiane dhe ato sllave, shqipja është e vetmja gjuhë që te numërorët tre dhe dy dallon dy gjini . Pra, një veçori me të cilën do të duhej të mburreshim ne shqiptarët. Ka për mashkullorin dy ( dy meshkuj, dy burra ) dhe për femëroren  dy , me y të gjatë ( dy gra, dy vajza ) etj.

Po edhe për numërorin tre , siç thamë më lart, shqipja ka dy gjini : tre për gjininë mashkullore dhe tri për gjininë femërore. P.sh., sllavët nuk dallojnë numërorin tre  . Ata thonë , si në gjuhën e folur ashtu edhe në gjuhën e shkruar, : tri zhena i tri mushkarci –

Një tjetër shprehje, që s’tingëllon shqip,  është shprehja : Po më shkon në nerva , në vend se : Po m’i shkatërron nervat.

Në ligjërimin e folur, po edhe më gjerë , dëgjojmë përditë shprehje si këto :  “ Kalo mirë “ ose në shumës “ Kaloni mirë”, në vend të shprehjes pasthirrmore në mënyrën dëshirore : “Kalofsh mirë !”, “ Kalofshi mirë !” Çka tregon kjo ? Kjo tregon se këta njerëz , që i përdorin këto shprehje të çoroditura, nuk i kanë mësuar fare mënyrat e foljes, kohët, vetat, që mësohen qysh nga klasa e gjashtë e shkollës fillore, sepse po t’i kishin mësuar qysh atëherë, nuk do t’i përdornin ashtu.

Në këto vitet e fundit, jemi dëshmitarë të depërtimit në gjuhën shqipe të shumë fjalëve të huaja, sidomos të anglicizmave , po edhe të gjuhëve  të tjera. Kështu , p. sh., disa intelektualë, për të treguar veten si tepër  “ të dijshëm” , po e përdorin fjalën “eveniment “  ose “ event”, në vend të fjalës shqipe” ngjarje” : eveniment, -i m. ( fr.evement –ngjarje ) ; event ,- i (angl.- ngjarje).

Kalket, kur janë të goditura mirë, qofshin leksikore apo sintaksore, duhet t’i përqafojmë, por, siç thotë prof. Eqrem Çabej,  : “ Të marrim modelin e huaj , po ta gatuajmë me brumë të vendit “.

Gjuha shqipe ka veçoritë e saja , që e dallon atë prej gjuhëve të tjera indoevropiane.

Pra, shprehjet e tilla  është mirë t’i luftojmë e t’iu vëmë një ledh sa s’kanë lëshuar rrënjë. Thjeshtësia dhe pastërtia e gjuhës qëndron në të përdorurit e atyre shprehjeve e konstrukteve , të cilat janë të përdorshme e të gjalla në gojën e popullit. Kur s’kemi mundësi ta shprehim nocionin me një fjalë të vetme , mund ta perifrazojmë , në mënyrë që nocioni të shprehet qartë. Çdo gjuhë ka natyrën e vet dhe shprehjet e veta. Edhe gjuha shqipe ka shprehjet e veta , që janë specifike dhe një bukuri e rrallë e gjuhës sonë.

Është e ditur se kultura e mirëfilltë gjuhësore mësohet në shkollë. Të gjithë shqipfolësit , kudo qofshin ata, e kanë për obligim kombëtar që ta flasin gjuhën standarde . Krerët e institucioneve  ( ministrat, deputetët e të tjerët  në këto institucione ) e kanë për detyrë ta respektojnë shqipen standarde. Si mund të lejohet që një ministër ose deputet  i zgjedhur në krye të një institucioni shtetëror të flasë me orë të tëra në televizion , duke mos respektuar fare gjuhën standarde! Secili shqiptar, kudo qoftë ai, duhet të ketë një ndjenjë përgjegjësie  kombëtare ndaj gjuhës . Gjuha shqipe është një vlerë kombëtare, atë duhet ta ruajmë nga ndikimet e huaja, që po futen për çdo ditë si mish i egër në zemrën e gjuhës shqipe. Ajo, si vlerë kombëtare, duhet të gëzojë mbrojtje –kujdes shtetëror . Moris Dryon  ( Maurice Druon ), shkrimtar e akademik francez, thotë : “ Gjuha ime e shkruar është atdheu im . Kush e përdhos gjuhën time, e përdhos atdheun tim. “

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …