Mr. Sheremet Krasniqi: KUSH E NGRITI I PARI FLAMURIN SHQIPTAR NË SHKUP MË 1912 ?

Sipas deklaratës së Sadik Tafarshikut: Hasan H. Budakova, Zefi i Vogël, Bajram Daklani e Mehmet Shpendi, më 12 gusht 1912, në Sheshin e Vogël të Shkupit e kanë ngritur flamurin kombëtar. Ishin çliruar të gjitha viset e Kosovës. Tani kishte mbetur pa u çliruar vetëm kryevendi i Vilajetit të Kosovës, Shkupi. Kaluan dy ditë dhe përgjigjja nuk erdhi nga Stambolli. Atëherë 35.000 kryengritës shqiptarë, nga të gjitha viset e Kosovës, të udhëhequr nga burrat e kësaj toke, si Hasan Prishtina, ideologu e shpirti i Lëvizjes, Bajram Curri, plaku i maleve, Isa Boletini, fatosi i maleve tona, Hasan   Hysen Budakova, trimi i Carralevës, Idriz Seferi, heroi i Kaçanikut, Bajram Daklani, Mehmet Shpendi e Zefi i Vogël, hynë triumfalisht në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës më 12 gusht 1912. Këtë atmosferë të marshimit të tyre e ka dhënë mjaft me vërtetësi edhe këngëtari popullor:

Vjen pampori zingerli!

Gjysa n’ ta, gjysa për mi!

Dogri Shkupin e paskan msy.

U hap fjala n’ shtatë krajli

Krejt Shqipnija n’ Shkup ka hi!

Ushtria turke që gjendej në qytet, ashtu siç ndodhi edhe në Prishtinë, ishte shumë e frikësuar dhe e shqetësuar e nuk dinte se ç’po ndodhte. Ajo nuk bëri kurrfarë rezistence. Me të hyrë të kryengritësve në Shkup, ata ia mësynë burgut dhe liruan afro 1.000 të burgosur politikë shqiptarë e kryengritës të tjerë.

Këtë marshim të shqiptarëve drejt Shkupit e mbanin mend fort mirë pleqtë e kësaj ane. Ata thoshin se s’e harrojmë kurrë atë atmosferë, kur erdhi Bajram Curri me forcat e veta, me flamuj kuqezi, me muzikë, tupana e surle, që na i çuan peshë zemrat tona. Sidomos, thoshin ata, nuk mund të përshkruhet me fjalë momenti, kur u liruan rreth 1.000 burra, që dergjeshin në burgjet e Shkupit. Ishte i papërshkrueshëm gëzimi i të burgosurve, kur u ballafaquan me kryengritësit e armatosur dhe kur panë flamurin kuqezi. Askush s’mund t’i mbante lotët nga gëzimi. Në popull flitet se Hasan Hyseni, së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Shpendin e Zefin e Vogël, të parët e kanë  ngritur  flamurin shqiptar në Shkup, më 12 gusht 1912. Ja se ç’thotë lidhur me këtë Sadik Tafarshiku:9 “Eh, thotë ai, sikur të kisha mbajtur ditar, siç mbanin anglezët, sepse ne s’guxonim të mbanim kurrfarë ditari, s’kishe pasur nevojë ti të konsultosh kurrfarë burimi për Hasan Hysen Budakovën, do të kishin mjaftuar ato që i kam dëgjuar në popull për të. A e di ti se Hasan Budakova së bashku me Zef Bardhajn (Zefin e Vogël – Sh. K.) e Mehmet Shpendin të parët e kanë ngritur flamurin shqiptar                më 1912, në She¬shin e Vogël të Shkupit. Këtë ma kanë thënë shumë pleq të kësaj ane, po edhe të tjerë përtej ku¬firit.” ( Sadik Tafarshiku , 84-vjeçar, luftëtar disident, orator e atdhetar, është një enciklopedi e gjallë. Për shkak të aktivitetit patriotik, burgoset nga OZN-a jugosllave dhe dënohet me 12 vjet të rëndë, të cilat i vuan gati në të gjitha kazamatet e ish-Jugosllavisë. “ Po të mbaja ditar, thotë ai, do të isha bërë Çerçil shqiptar!” Kujtime të marra më 22 prill 1995).

Për  pjesëmarrjen e Hasan Hysen Budakovës në çlirimin e Shkupit,  po japim  një fragment të shkurtër nga një dokument autentik  : “Rreth datave 27-29 korrik 1912 Idriz Seferi, Isa Boletini, Zefi i Vogël, Hasan Budakova etj., në krye të mijëra kryengritësve udhëtuan në Veriu të Kosovës për në qytetin e Shkupit. Mbas tri ditësh e tri netësh marshimesh ata arritën të bashkohen me forcat e Islam Pirës me ç’rast edhe u organizuan duke e futur Shkupin në një dorë të fortë rrethimi …“  (Arkivi Qendror  i Shtetit-Tiranë. Fondi 270, dosja 55, fleta 21). Flaka e luftës kishte përf¬shirë tërë Shqipërinë. Duke parë një rrezik të tillë nga shqiptarët, Stambolli vendosi të bënte marrëveshje me shqiptarët. Në një mbledhje që mbajti me krerët shqiptarë në Shkup, më 18 gusht 1912, një komision qeveritar deklaroi se “qeveria turke i pranonte kërkesat e kryengritësve shqiptarë (fjala është për 14 pikat  e H. Prishtinës), me përjashtim të pikës, ku kërkoheshin kthimi i armëve dhe nxjerrja para gjyqit e Haki dhe Said Pashës. Kjo mbledhje e Shkupit me krerët shqiptarë pat bërë jehonë të madhe në popull dhe në qarqet e qeverive ballkanike. Pas kësaj mbledhje, atëbotë qenë përhapur ndër shqiptarët lajmet se ”krerët na e shitën vatanin“, se “secili nga krerët ka  marrë nga një qyp  lira” e thashetheme të tjera. Kësaj “tradhtie” të parisë shqiptare këngëtari popullor ia kushtoi vargjet:

— Hajmedet, po ban Shqipnija,

boll shum’ paret po i qet krajlia!

Hajmedet, po i han parsia!

Qysh at’ dit’ maroi Shqipnija!10

Nga këto koncesione që iu bënë kryengritësve shqiptarë nga ana e Stambollit, qarqet ballkanike shihnin rrezikimin e interesave të veta në Ballkan. Aspiratat e tyre për ta copëtuar Shqipërinë shiheshin tanimë qartë. Kjo hyrje e shqiptarëve në Shkup e tronditi Perandorinë Osmane, por edhe shtetet fqinje, të cilat shpresonin se me ikjen e Turqisë secila sosh do të merrte nga një copë të tokave shqiptare. Qarqet shoviniste fqinje thoshin se shqiptarët nuk do të dinin kurrë të organizonin shtetin e vet dhe të hynin në botën e qytetërimit evropian. U alarmuan Ballkani, Evropa, Stambolli. Shtetet fqinje, Serbia, Mali i Zi, Greqia, në vend se ta shihnin me admirim këtë lëvizje të shqiptarëve, u tërbuan nga kjo fitore e tyre. Devizë e tyre ishte: Delenda est Albania  (Shqipëria duhet rrënuar ). Duke parë një rrezik të tillë, më 14 tetor 1912, u formua në Shkup komiteti Shpëtimi, të cilin e përbënin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, etj.. Ky komitet vendosi t’u bënte me dije Fuqive të Mëdha se “populli shqiptar i kapi armët, jo për të mbrojtur ekzistimin e Perandorisë Osmane në Ballkan, por për t’u dalë zot tokave të veta.”11 Kjo fitore e shqiptarëve shënoi rënien e kabinetit të Turqve të Rinj.

Edhe qarqet diplomatike evropiane i dhanë publicitet marshimit të shqiptarëve në Shkup. Kështu, në një raport të konsullit austro-hungarez nga Shkupi thuhej se “për shkak se rruga është zënë nga kryengritësit pranë Cernalevës, posta për në Vjenë dhe në Stamboll nuk është nisur.”12 Nga raportet e shumta që u dërgonin konsujt qeverive të veta për ngjarjet në Shqipëri në prag të shpalljes së pavarësisë, mësojmë edhe për qëndrimet që mbanin këto qeveri ndaj çështjes shqiptare. Në një raport të konsullit austro-hungarez – Shkup, dërguar MPJ-së dhe Ambasadës në Stamboll të datës 8 tetor 1912, thuhet se “udhëheqësit e nderuar të arnautëve Hasan Beu dhe Nexhip Draga thanë hapur se shqiptarët kanë marrë armë nga serbët dhe në rast nevoje do t’i luftojnë po me të njëjtat armë serbët”.13 Ndërsa në një telegram të MJ-së —Vjenë dërguar konsullit të PJ-së në Paris, më 3 nëntor 1912, thuhet: “Që të mbahet status quoja në Ballkan, duhet që shtetet fqinje të mbajnë marrëdhënie të mira me MJ-në. Kështu kërkesat e Serbisë për t’u shtrirë gjer në Adriatik duhen refuzuar që në fillim, për shkak se një kërkesë e tillë do ta dërrmonte integritetin e Shqipësirë”.14 Kurse nga një telegram i MJ-së së Vjenës dërguar konsullatave në  Petërburg e Budapest thuhet se “nga një marrëveshje që ka  bërë Serbia del se asaj i bie gjithë Shqipëria”.15 Nga një relacion i konsullit të Punëve të Brendshme – Athinë, dërguar Ministrisë së Jashtme -Vjenë, mësojmë edhe për qëndrimin e skiles greke ndaj çështjes shiptare dhe për miratimin nga ana e saj të planeve pu¬shtuese të Serbisë. Në atë relacion thuhet: “Serbia e Vjetër përfshin, përveç Kosovës e Novi-Pazarit, edhe rërën e Adriatikut ndën Durrës gjer në Shëngjin, prandaj lufta do të vazhdojë derisa t’i shkelë ajo këto vende. Në rast se Serbia nuk do të lihet të dalë në det, atëherë nuk është zgjidhur përfundimisht problemi i Ballkanit dhe do të dalin gjithmonë ngatërresa të reja”.16 Nga një telegram i konsullit Ugron – Beograd, dërguar MJ-së së Vjenës, më 11 nëntor 1912, mësojmë për qëndrimin e Anglisë ndaj çështjes shqiptare. Aty thuhet: “Zotit Ralph, i cili është mik i turqve dhe ushqen simpati për shqiptarët, nuk i pëlqeu aspak që të sakrifikohen shqiptarët në favor të serbëve”.17

Në një raport të konsullit Rudnay dërguar Ministrisë së Jashtme të Vjenës thuhet: “Shqiptarët me anën e telegrameve që u dërgojnë qyteteve të ndryshme të Evropës thonë se Komiteti Shqiptar ju bën të ditur se të gjithë shqiptarët do të  kundërshtojnë me të gjitha mjetet në qoftë se do të hyjnë nën Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë qoftë dhe një pëllëmbë tokë shqiptare. Prandaj Evropa të sigurojë paqen, se në rast të kundërt shqiptarët do të luftojnë edhe më ashpër se kundër Turqisë”.18 Ndërsa dhelpra plakë e Shumadisë, Nikollë Pashiqi, deklaronte: “Shumë ligsht mendojnë ata diplomatë që duan t’i jepet autonomia Shqipërisë. Shqipëria duhet të copëtohet që të qetësohet çështja e Ballkanit. As që duhet të mendohet bota për çështjen shqiptare dhe Shqipërinë: shqiptarët janë një komb pa histori dhe pa dituri”.19 Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Milovanoviq, propagandonte jashtë e brenda Serbisë për “paaftësinë shtetformuese” të popullit shqiptar. Ndër të tjera, ai thoshte: “Shqiptarët që rrojnë ndër ato vise janë një komb i ndarë në disa filira (fise – Sh. K.), të cilat kanë një armiqësi të përjetshme. Prandaj ndër ta fjala liri është fare e huaj, se ata nuk kanë pasur asnjëherë ndjenja për t’u liruar dhe për të përparuar, edhe as që është shpresa që të bëhen ndonjëherë njerëz të ditur e të qytetëruar”.20 Çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë i dha një publicitet të madh edhe shtypi i kohës. Kështu, p. sh., gazeta Liri e Shqipërisë, ndër të tjera, shkruante:

“Janë më shumë se 30.000, nga të cilët 15.000 janë të armatosur me turli pushkësh si maliherë, mauzerë, dugra, martina ose me ndonjë sopatë ose vetëm me kobure. Kryengritësit morën dhe 30 topa që ishin në qytet. I thyen depot e armëve dhe u armatosën edhe më shumë. Brenda në Shkup janë që të gjithë krerët e kryengritjes, të cilët e drejtojnë kryengritjen. Shqiptarët liruan 960 të burgosur … Tani u mbetet barra shqiptarëve të Jugës (të Toskërisë)  që ta bajnë edhe ata si shqiptarët e Veriut … Hyrja e shqiptarëve në Shkup do të mbetet në historinë e kombit tonë si një faqe nga më të bukurat”.21 Mikja e shqiptarëve dhe bashkëkohëse e këtyre ngjarjeve, miss Edith Durham, shkruante: “Shqiptarët e Kosovës ngritën krye për¬sëri, si gjithmonë nën udhëheqjen e Isa Boletinit. Isai i shpuri kudo në fitore. Këtë herë hynë në Shkup … Nga ky triumf i shqiptarëve shtetet e tjera ballkanike e ndiejnë veten si të elektrizuara, sepse secili sosh në mendjen e vet e kishte prerë me thikë një ngastër të Shqipërisë për vete”.22

Pas çlirimit të Shkupit, krerët shqiptarë bënë përpjekje të organizonin pushtetin e vet në ato vende që i kishin çliruar, por këto përpjekje të tyre ua prishi Lufta Ballkanike, e cila plasi më 9 tetor 1912. Më 1912 shqiptarët çliruan tërë Kosovën, Shkupin dhe Maqedoninë Perëndimore nga robëria pesëshekullore dhe kështu bashkuan përfundimisht të gjitha tokat shqiptare. Mirëpo, Serbia dhe Mali i Zi nuk u pajtuan me këtë fakt, prandaj, në bashkëpunim me Bullgarinë dhe Greqinë, po në tetor e filluan Luftën e Parë Ballkanike kinse kundër Turqisë, por me qëllim që të pengohej rikrijimi i shtetit shqiptar dhe që të rrëmbeheshin tokat shqiptare. Serbia me forca të mëdha ushtarake dhe me armatim modern e pushtoi Kosovën dhe Maqedoninë. Ky ripushtim i tokave shqiptare ngjalli zemërim në mbarë botën shqiptare. Gazeta Liri e Shqipërisë me një titull Serbët në Kosovë, duke i qortuar shqiptarët se nuk kishin ditur si të bënin me rastin e çlirimit të Shkupit, ndër të tjera, shkruante: “Duhej të mbaheshin ata kryengritës me bukë e me të gjitha të mirat e jo t’i liheshin stihisë, pra të sigurohej e të forcohej një ushtri e fortë … Ushtria serbe mori Kaçanikun, u drejtua për në Shkup, pasi mori edhe Mitrovicën. Shqiptarët e Ferizoviqit ja dhanë armët ushtrisë serbe. Kryetarët e Gjilanit e pritnë mirë ushtrinë serbe, e cila ju tha se vjen jo të robëronë njerëzinë po të vërë rregull edhe paqe. Kryetarët i dërguan edhe një tejshkrim (telegram – Sh. K.) kralit të Serbisë, ku e uronin për fitimet. Më 13 gusht tra¬shëgimtari i fronit të Serbisë, princ Aleksandri, hyri në Shkup në ballë të ushtrisë së vet, pa gjetur fare kundërshtim nga ushtarët turq”.23 Po kjo gazetë, në numrin e vet 58, shkruante: “Ushtria e Serbisë po përparon të hynë në vendet e Kosovës … Flitet se Isa Boletini me 10 mijë shqiptarë i ndihmon ushtrisë serbe”. Pra, tokat shqiptare u pushtuan përsëri nga armiq të rinj. Serbët, malazeztë, grekët, filluan të bënin terror të paparë mbi popullin shqiptar në viset e pushtuara. Në tërë këtë ngjarje kishte dorë Rusia. Këtë na e dëshmon më së miri një telegram i ministrit serb në Petërburg, në të cilin thuhej: “Ministri i Punëve të Jashtme (i Rusisë – Sh. K.) më tha se Serbia ishte i vetmi shtet, në të cilin kishte besim Rusia dhe që kjo do të bënte çdo gjë për Serbinë”. Pas tri ditë qëndrimi në Shkup, atëherë, kur kryengritësit u shpërndanë dhe shkuan nëpër shtëpitë e veta, Hasan Hysen Budakova merr rrugën për në Dibër, ku takohet me Mehmet Pashë Derallën e me patriotë të tjerë shqiptarë.  — Takimi i Hasanit me Mehmet Derallën nuk më hiqet nga  mendja kurrë — thoshte Alia, djalë i tij. Kur e pa babanë, Mehmeti u ngazëllye shumë. E shtrëngoi me të dyja duart dhe s’i shqitej dot nga përqafimi. Ai e pat njoftuar babanë me anë të një njeriu të besueshëm për vendimin që kishte marrë Këshilli i Vilajetit të Shkupit për likuidimin e 42 krerëve shqiptarë. Këngëtari popullor e ka përjetësuar edhe me këto vargje këtë figurë kombëtare: Ish kanë burrë s’ish kânë me lara. Kush si ai Mehmet Deralla. Nga Dibra Hasani kaloi në Mat, te babai i Ahmet Zogut. Aty ka ndenjur nja 3-4 muaj. Në atë kohë Ahmet Zogu gjendej në studime në Francë dhe Hasani me të dëgjuar se po kthehej Zogu nga Franca, një ditë para se të mbërrinte Zogu në Shqipëri, e lë Matin dhe shkon në Malësinë e Mbishkodrës. Atje, në Malësinë e Mbishkodrës, Hasani zhvillon një aktivitet të madh patriotik, por, fatkeqësisht, ne s’kemi të dhëna për këtë aktivitet të tij atje, me përjashtim të atyre që thuhen në Fletoren. Aty thuhet se “kemi mbajt shumë mbledhje me Bajram Currin e me burra tjerë të njohur, e pas disa javësh ja mbajtëm për Vlonë, thojshin se atje ka me u qitë bajraku (flamuri -Sh. K.). Atdheu gjendej para një rreziku të madh. Serbia ishte vërsulur në mënyrë të rrufeshme mbi tokat shqiptare duke i pushtuar ato e duke vrarë e prerë gra, fëmijë e pleq. Ajo thurte plane djallëzore që Shqipëria të mos e fitonte pavarësinë. Të njëjtën gjë kishin filluar ta bënin edhe malazeztë e grekët. Në fund të tetorit të vitit 1912 Shqipëria ishte e sulmuar nga të gjitha anët: nga shovinistët serbë, malazez, grekë e bullgarë. Ishte një situatë vërtet tragjikomike – shqiptarët i çlironin tokat e veta me gjak e sakrifica të mëdha nga robëria pesëshekullore, kurse serbët vinin e i pushtonin ato toka! Shqiptarët, duke i konsideruar serbët si aleatë në luftën kundër turqve, ata në fillim i pritën si miq, madje edhe u dhanë armë ushtrisë serbe, si në rastin e Ferizajt më 1912, e krutanët i kishin shtruar edhe bukë ushtrisë serbe duke pandehur se ajo vinte si aleate e shqiptarëve. Por, të gjitha këto serbët ua kthyen shqiptarëve duke vrarë, duke djegur e duke shkatërruar fshatra të tëra. Këtë gjen të serbëve e kishte zbuluar qëmoti edhe Faik Konica, i cili shkruante: “Hapja serbit derën e shtëpisë, ai të nesërmen kërkon gjysmën e shtëpisë dhe thotë se është e tij: mbasnesërmen përpiqet të të hedhë nga dritarja jashtë”.Ata kishin ndërmarrë një propagandë të fuqishme për t’i bindur shqiptarët kinse po vinin si aleatë të tyre. Një proklamatë e ushtrisë serbe, që ishte shpërndarë nëpër sheshin e Podujevës, zbulon ujkun me lëkurë qengji:“Po vim n’ lle t’ juj e tonin qi na kan zapue Osmanllit, qe pesçin e pëmbi vjet, ama s’po vim zullum me ju bo, por po vim zullumin me ju hjek. Mos u boni shybe, or vllazni, se çe besa e zotit   s’po vim me sherr.”

 (Proklamatë e shpallur prej komandantit të  ushtrisë që shkeli Shqipërinë, nënshkruar  nga komandanti i ushtrisë serbe, Bozhidar  Janku, Teshrini evel 1328 Podujevë.) Serbët e malazeztë u vërsulën mbi tokat shqiptare duke bërë krime të papara mbi popullsinë e pafajshme. Dëshmitare e këtyre krimeve ishte edhe mikja e shqiptarëve Miss Edit Durham. Nga tërë ajo që kishte parë kjo grua angleze, ne po veçojmë vetëm këtë: “Në Tiranë e Elbasan gjeta me mijëra njerëz të shkretuar, me këmbë të copëtuara dhe të këputur nga rruga. Rrëfimet që dëgjova prej tyre mbi poshtërsitë serbe në fshatra shqiptare, u vërtetuan më vonë nga letra e një serbi në gazetën Radniçke novine, më 22 tetor 1913: ”Shoku im i dashur,shkruan ushtari serb, këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme. Unë po tmerrohem përpara tyre dhe pyes gjithnjë se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë për të kryer të tilla mizori. Nuk dua të flas më gjatë, por Luma (një fis i tërë shqiptar) u shua krejt. Në këto anë nuk shikohet gjë tjetër, përveç kufomave dhe hirit. Një françeskan që kishte kaluar andej më ka përshkruar trupa të vegjlish të shpuar me bajoneta. Ka fshatra me 100, 150 ose 200 shtëpi, ku tani nuk gjendet asnjë frymë. I mbledhin njerëzit në togje nga dyzet ose pesëdhjetë veta dhe i shkojnë në bajoneta gjer te i fundit“. Gazeta e sipërpërmendur përfundon duke thënë se nuk mund të botojë hollësitë e letrës për shkak se lëndojnë tepër zemrën e njeriut …”24 Edhe shtypi i huaj shkruante për këto mizori të serbo-mala¬zezve mbi shqiptarët e Kosovës. Kështu, p. sh., Leo Freunchlich, korrespondent austriak në Kosovë, shkruan: “Mijëra e mijëra burra, gra, pleq e fëmijë të vrarë e të mbytur me të therura, fshatra të djegura dhe shtëpi të plaçkitura, gra dhe vajza të çnjerëzuara, një vend i shkretëruar, i plaçkitur i larë me gjak e i turpëruar, dëshmon se serbët në Shqipëri nuk hynë si çlirimtarë, por si vrasës të shqiptarëve”. Në mbledhjen e përfaqësuesve diplomatikë në Londër (19¬13) është propozuar që kufijtë e Shqipërisë të caktohen në bazë të statistikës kombëtare dhe fetare dhe që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit të shkojë prej vendi në vend për të vendosur kufijtë. Por, serbët shpejtojnë që ta ndryshojnë këtë statistikë me mitraloza, me pushkë dhe me bajoneta. Ata bëjnë krime që nuk mund të për¬shkruhen …” Më poshtë ky korrespondent shtron pyetjen: “Si është e mundur që veprimet e tilla të tmerrshme të ndodhin në Evropë, në afërsi të qendrave të mëdha kulturore, në shekullin XX. Turpi bëhet më i madh për shkak se asgjë nuk është ndërmarrë për t’u dhënë fund këtyre krimeve, edhe pse korrespondentët e të gjitha kombeve njoftojnë për to. Për ato krime Pierre Loti ka bërë akuza të ashpra në tërë botën. Një popull trim, popull me karakter, po gozhdohet para gjithë botës dhe Evropa e krishterë, Evropa e qytetëruar,po hesht për këtë kasaphanë. Dhjetëra mijëra njerëz të pambrojtur masakrohen, femrat çnjerëzohen, pleqtë dhe fëmijët mbyten, qindra fshatra digjen, pri¬ftërinjtë   theren. Dhe Evropa hesht!” Se çfarë porosish kishin marrë ushtarët serbë nga eprorët e vet për shfarosjen e shqiptarëve dëshmon edhe kjo deklaratë e gjeneralit serb Zhivkoviq: “10 shqiptarë të pafajshëm nga Luma zihen rob prej ushtarëve serbë dhe i sjellin në Prizren te gjenerali Zhivkoviq. Ky, sapo i pa, i tha oficerit: ”Të kam thënë kaq herë se mua nuk më duhen robër shqiptarë, po më duhen varret e tyre“. 25 Një gazetë socialdemokrate serbe shkruante: “Nuk ka veçse kufoma, pluhur e hi! Nuk përshkruhen mizoritë e forcave serbe në Shqipëri”.26 Më 1912-1913 u shuan rreth 120.000 shqiptarë, qindra fshatra u bombarduan dhe një shumicë e madhe u dogjën fare.27 Për këto krime të ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare konsulli austro-hungarez në Shkup e njoftonte Vjenën: “Ka raste, kur nënoficerë kundërshtonin urdhrin e oficerëve për vrasjen e femrave dhe të fëmijëve nga ana e serbëve”.28 Kurse konsulli austro-hungarez në Prizren e njoftonte një ditë më vonë edhe ky Vjenën: “Dëshmitarët tregojnë se gra dhe vajza, për të mos rënë në duart e serbëve, hidheshin në puse … Pas zbrazjes së Lumës, trupat serbe e shndërruan këtë krahinë në një shkretëtirë fare pa popullatë”.29   (Për shkak të natyrës së gazetës, fusnotat  janë hequr)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …