Mr.Sheremet Krasniqi: Rrëfime të një bashkëluftëtari të Azem e Shote Galicës

Disa nga rrëfimet e Rashit Godenit, njëri ndër bashkëluftëtarët e Azemit e të Shote Galicës , nga fshati Pomozotin i komunës së Fushë-Kosovës, i lindur në vitin 1881, i cili së bashku me vëllanë e vet binjak, Halit Godenin, ka jetuar 112 vjet, deri në vitin 1993. Me sa kemi arritur të mësojmë, Rashiti ishte bashkëluftëtari i tij i fundit që jetoi deri në këtë vit.

Në tubimin e madh popullor në Galicë të Drenicës, më 25 korrik 1990, i ndjeri Rashit pati zbuluar pllakën përkujtimore të Azem Bejtë Galicës dhe me atë rast pati thënë: “ E more Azem, a t’kam pas thanë se prapë kemi m’u takue !”
Jeta si komit mali e kishte bërë të rrëmbyeshëm e temperament, për dallim nga vëllai i tij binjak, Haliti, i cili kishte një karakter krejt tjetër: ishte i urtë, shumë i matur dhe jo i rrëmbyeshëm si Rashiti.
Pas rënies së Azemit më 1924, Rashiti së bashku me një grup shokësh të çetës së tij kalojnë në Shqipëri, në Derven të Fushë-Krujës. Aty ka jetuar nja 22 vjet së bashku me vëllanë e vet binjak, e më vonë janë kthyer në Kosovë. Sipas rrëfimeve të tij, edhe gjatë kësaj kohe ai me çetën e vet disa herë kishin kaluar kufirin dhe kishin kryer sulme diversante në Kosovë mbi postblloqet policore të ish-Jugosllavisë borgjeze. Gjeniu popull gjithmonë ka ruajtur kujtimet më të ëmbla për ata martirë, që shkrinë jetën për idealet më të larta për mirëqenien e popullit të vet. Të tillë ishin edhe Azemi e Shote Galica e shumë e shumë të tjerë, të cilët morën malin për të luftuar kundër padrejtësive, shtypjes së rëndë e të egër që iu bëheshin shqiptarëve nga regjimi i atëhershëm i Jugosllavisë borgjeze dhe nga xhandarmëria e këtij regjimi. Qëndrimi i tyre në male ka luajtur një rol të madh në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Secili syresh mundohej të vinte një guri mbi altarin e kësaj toke të ujitur me gjak me qëllim që t’u kundërviheshin këtyre padrejtësive. Nga ata bashkëluftëtarë të rrallë të çetës së Azemit e të Shotës, siç e kam cekur edhe më lart, që jetoi deri vonë, ishte edhe plaku 112-vjeçar, Rashit Godeni. Ai, edhe pse i thyer në moshë (Rrëfimet e tij i kam shënuar 10 vjet para se të vdiste), ruante kujtime të freskëta dhe ishte në gjendje të rrëfente ditë të tëra ngjarje nga më interesantet nga ajo jetë e bujshme së bashku me Azemin e Shotën.
“ Ne, rrëfente xha Rashiti, jetonim me thikë në fyt. Qeveria e atëhershme e Jugosllavisë borgjeze përdorte lloj-lloj dredhish kundër ne shqiptarëve. Të drejtat tona ishin marrë nëpër këmbë. Dinjiteti i njerëzve të ndershëm e të respektuar nga populli shkelej si mos më keq. Po sa më i madh zullumi, rezistenca bëhej edhe më e madhe. Ç’të bënim tjetër, pos t’i rroknim armët e të merrnim malin për t’i mbrojtur të drejtat tona të shkelura. E Azemi i ndien thellë në shpirt këto padrejtësi që i bëheshin popullit shqiptar dhe për të luftuar kundër këtyre padrejtësive ai mori malin. Andaj edhe dashuria e tij e zjarrtë për një jetë të lirë në male. Armiqtë tanë e tradhtarët e vendit ne na paraqitnin si barbarë, cuba, kaçakë, që kishin dalë në male për të vrarë dhe për të plaçkitur popullin. S’ka gjë më të rëndë për njeriun sesa t’ia veshësh një veti që s’e ka dhe s’e ka pasur kurrë. E Azemi kurrë s’ka plaçkitur askënd. Dhe jo vetëm Azemi, por as bashkëluftëtarët e tij s’e kanë pasur një veti të tillë. Po të vepronim ne kështu, siç na përshkruanin armiqtë, rrëfente xha Rashiti, atëherë populli nuk do të na mbante, përkundrazi, ai do të na urrente. E populli, me gjithë përndjekjet, kërcënimet e torturat që i bëheshin, s’kursente asgjë për ne. Torturat nuk e përkulnin dot ndjenjën e bujarisë që ka shqiptari. Di raste, rrëfente xha Rashiti, kur malësori ndante edhe ogiçin nga kopeja dhe na e sillte të pjekur në mal. Secila shtëpi që na jepte bukë ndihej krenare dhe respektohej nga masa, me gjithë masat drastike që merrte regjimi i atëhershëm kundër atyre që na jepnin bukë. Për të vërtetuar këtë që e thashë më lart, vazhdonte të rrëfente xha Rashiti, ja një shembull:
“Atëbotë, një postbllok i xhandarmërisë serbe ndodhej në Çikatovë, fshat në komunën e Gllogocit. Xhandarët e këtij postblloku bënin zullum të madh mbi popullin. Aty ku hanin bukë bashkëluftëtarët e çetës së Azemit, xhandarët menjëherë të nesërmen i merrnin në pyetje njerëzit e asaj shtëpie dhe i mundonin. Një ditë prej ditësh, Azemit i ra në vesh ky lajm.
-Po pse s’më keni treguar më herët ?-iu tha Azemi malësorëve dhe iu premtoi se më s’kanë për t’i munduar xhandarët. Azemi menjëherë ia dërgoi një njeri naçellnikut dhe e porositi që t’i tregonte atij se filan ditë duhej t’i priste. Naçellniku mbeti i habitur nga kjo e papritur dhe ja se ç’i tha atij :
– Si t’iu pres, kur unë po luftoj kundër jush!
– Kështu më ka porositur Azemi për të të thënë dhe kështu po të them – ia priti ky njeri. – Thuaju të mos vijnë në postbllok- i tha naçellniku atij njeriu.
E ne ia kthyem po atë njeri prapë dhe i thamë se duhej të na priste patjetër. Naçellniku, kur e pa veten ngushtë, s’pati nga t’ia mbajë dhe pranoi të na priste. Të nesërmen, të prirë nga Lut Gllanasella, shkuam në postbllok nja 40 vetë, të renditur si krushqit, 3-4 hapa ndërmjet njëri-tjetrit. Xhandarët na përshëndetën ushtarakisht, ndërsa naçellniku kishte dalë në divanhane dhe na shikonte me habi. Atëherë hymë brenda, ndërsa të tjerët që mbetën jashtë u ulen në do dërrasa. Na qitën nga një cigare dhe pa e zgjatur muhabetin, Lut Gllanasella i tha njëfarë Bajramit, i cili dinte serbisht: – Vete naçellnikun se çka jemi ne ?
– Ju jeni njerëz-u përgjigj ai.
– Çfarë njerëz jemi ?
– Ju jeni kaçakë- tha ai.
– Jo, tha Luta, ne nuk jemi kaçakë ! Ne jemi komitë. Edhe ne hamë bukë si ju, nuk hamë dushk mali ! Qysh të kemi ardhur sot ty këtu me zor, ashtu me zor ua marrim bukën edhe malësorëve. Pse po na e mundon popullin ? Populli nuk ka faj. Nëse dikush është fajtor, atëherë fajtorë jemi ne e askush tjetër.
– Mos e ha asnjë fjalë-iu drejtua Luta Bajramit. Të gjitha që t’i thashë, t’ia thuash troç. Pasi naçellniku i dëgjoi pikë për pikë të gjitha këto fjalë, ne u çuam. Të nesërmen morëm vesh se naçellniku me të gjithë xhandarët ua kishin mbathur këmbëve dhe s’ua pa më kush surratin.
Për të vërtetuar se Azemi dhe çeta e tij s’ishin njerëz që plaçkitnin popullin, na dëshmon edhe ky fakt, që e kam të shënuar nga goja e xha Rashitit:
“Ishim në bjeshkë të Kosmaçit, në një rogë të madhe rrinim ndër lisa. Azemi, kur mbante kohë e nxehtë i hiqte tirqit e xhurdinë dhe i shtronte. Ai i vërejti i pari dy podrimçakë që i kishin ngarkuar kuajt me kosha rrushi e që kishin ndërmend ta shitnin në Prishtinë.
– Kush po shkon të na i sjell ata këtu ?- na u drejtua Azemi. Shota, ashtu e veshur në tirqi e xhurdi, brofi në këmbë, ia ngjiti pushkës dhe mori vrapin teposhtë. Dani (Ramadani- kështu e thërriste Shota vëllanë e vet- Sh.K.) iu flug pas. Azemi i bërtiti Danit: -Ktheu këtu ! Nëse Shota s’është e zonja t’i sjellë ata këtu, më s’do të ketë vend në çetën time. Ne i shihnim, e ata neve nuk mund të na shihnin. Shota, sakaq, iu doli përpara dhe ua drejtoi pushkën. S’di se çka u ka thënë, sepse nuk dëgjohej nga ai vend, por i qiti përpara dhe ua tregoi rrugën me dorë se nga duhej të shkonin. Kur u gjetën në mesin tonë, mbetën të stepur në vend. Atëherë Azemi na urdhëroi që t’i zbraznim koshat me rrush në katër vende, ashtu siç ishim në grupe, pastaj i thirri ata dy podrimçakët dhe i pyeti : -Sa okë rrush keni pasur në këta kosha dhe nga sa e shitni në Prishtinë ? Ata i treguan sa okë rrush kishin dhe nga sa do ta shitnin. Azemi thirri Sali Radishevën që ta bënte llogarinë e pastaj nxori kuletën dhe ua dha paratë podrimçakëve. Ata veç sa s’kërcenin nga gëzimi. S’besoj se do ta kishin shitur aq shtrenjtë rrushin në Prishtinë. I tillë trim i pastër ishte Azemi me shokë, por edhe më trimëreshë ishte Shota”, kujtonte me nostalgji bashkëluftëtarët e vet Rashit Godeni.
Rrëfimi i këtij bashkëluftëtari të Azemit e të Shotës dëshmon katërçipërisht për mbështetjen që gëzonte te populli çeta e Azemit. Përkrahja që gëzonte te populli, sidomos te masat fshatare, e bënte të pathyeshme çetën e këtyre komitëve. Nga ky rrëfim mësojmë se malësorët ndanin edhe kafshatën e fundit të gojës së vet dhe atë ua jepnin atyre që kishin dalë në male për të luftuar kundër mizorive serbe. Krejt në fund të kësaj kumtese, një si porosi:
Ne intelektualët e Drenicës nuk duhet të krekosemi me kapitalin që na e kanë lënë patriotët e kësaj krahine shqiptare, siç ishin : Ahmet Delia, Azem Bejta e Shote Galica, Hasan Prishtina e Shaban Polluzha, Tahir Meha e Adem Jashari, ne duhet të mburremi me kapitalin që e krijojmë vetë ne, me punën tonë, me qëndrimin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …