Sot shënohet përvjetori i një prej betejave më heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo e 24 marsit 1998 në Gllogjan, ku forcat serbo-sllave ndërmorën një sulm të ashpër ndaj familjes Haradinaj dhe gjithë fshatit. Në këtë betejë historike, Hilmi Haradinaj, së bashku me fëmijët e tij: Ramushin, Shkëlzenin, Dautin, Enverin, Memën, Frashërin – dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së, iu kundërvunë një armiku të pajisur me arsenal të rëndë ushtarak. Në altarin e lirisë ranë dëshmorët Agron Mehmetaj, Gazmend Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, të cilët sakrifikuan jetën për mbrojtjen e atdheut.
Përveç betejës heroike, kjo ditë shënoi edhe një ngjarje tragjike: mbi 100 nxënës të shkollës së fshatit, së bashku me mësimdhënësit Lumnije (Lushaj) Avdijaj dhe Bekim Avdijaj, si dhe punëtorin teknik Beqir Dervishaj, u rrëmbyen nga forcat serbe dhe u përdorën si mburojë njerëzore gjatë gjithë ditës. Të frikësuar, të etur dhe të uritur, ata kaluan orë të tëra në ankth, deri sa arritën të shpëtonin në mbrëmje, duke gjetur strehim tek familja Lushaj, e cila u doli në ndihmë. Në mëngjesin e 25 marsit, me ndihmën e disa prindërve, ata u drejtuan për në Kishën katolike në Novosellë të Gjakovës, ku gjetën mbrojtje dhe ngushëllim.
Një vit më vonë, më 24 mars 1999, nisi ofensiva ajrore e NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, duke shënuar fillimin e fundit të regjimit kriminal të Millosheviçit. Pas 78 ditësh bombardimesh, Serbia u detyrua të dorëzohej, duke hapur rrugën për ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare të KFOR-it dhe çlirimin e Kosovës.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, forcat serbo-sllave intensifikuan krimet ndaj popullsisë shqiptare, duke kryer masakra dhe shkatërrime në Irzniq, Beleg, Strellc, Shaptej, Dubravë, Gramaqel, Isniq, Broliq dhe shumë vende të tjera të Deçanit. Edhe mëtej kemi dhjetëra persona të pagjetur. Edhe pse kriminelët kanë emër dhe mbiemër, drejtësia vendore dhe ndërkombëtare pa asnjë rezultat në kapjen dhe ndëshkimin e atyre që e kanë “KRIMINELË”!
Ngjarjet e 24 marsit 1998 dhe 1999 mbeten një dëshmi e gjallë e sakrificës së popullit shqiptar për liri. Heroizmi i luftëtarëve të UÇK-së dhe vuajtjet e popullsisë civile janë pjesë e historisë sonë kombëtare dhe një kujtesë e përhershme për brezat e ardhshëm.