MSc. Adem Lushaj

MSc. Adem Lushaj: Dëshmi për krimet serbe të kryera në Kosovë 

(Pjesë e shkëputur nga libri “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”)
 Më 29, 30, 31 maj dhe 1, 2 dhe 3 qershor 1998, forca të shumta serbe, të ndihmuara edhe nga banorët lokalë serbo-malazezë, ndërmorën një ofensivë të madhe granatuese e më pastaj edhe këmbësorie ndaj fshatrave të Rajonit të Vokshit (Pobergjë, Lloçan, Hulaj, Dranoc, Sllup dhe Voksh), pastaj ndaj fshatrave Carrabreg i Ulët dhe i Epërm, Junik si dhe ndaj qytetit të Deçanit.
Banorët e këtyre fshatrave ishin detyruar t’i lëshonin shtëpitë e tyre për të gjetur strehim nëpër fshatra të tjera të Deçanit, Pejës e Gjakovës. Grupe të caktuara filluan të depërtonin edhe në Shqipëri. Në këtë lëvizje të madhe të popullatës, shkaktuar nga dhuna serbo-sllave, pati shumë të moshuar e të sëmurë që mbetën në vatrat e tyre. Shumë prej tyre nuk e pritën lirinë. Ata, ose u vranë ose u zhduken pa gjurmë. Për shume prej tyre, as sot e kësaj dite, nuk dihet gjë.
Kështu deri sot nuk dihet gjë për fatin e Shkurte Tolaj (67-vjeçare), Zize Tolaj (69-vjeçare), Hasan Tolaj (76-vjeçar), Sabrije Tolaj (69-vjeçare), Idriz Tolaj (59-vjeçar), Osman Tolaj (89-vjeçar), Ukë Tolaj (62-vjeçar), Beqir Mataj (66-vjeçar). Asgjë nuk dihet sot e kësaj dite as për Sejdi Mataj (63-vjeçar), Fane Mataj (79-vjeçare), Isë Mataj (78-vjeçar), Mone Mataj (69-vjeçare), Osmon Hadërgjonaj (102-vjeçar), si dhe për fatin e dy mysafirëve nga Botusha e Gjakovës, Rexhep Ahmetaj (74-vjeçar) dhe Ryve Ahmetaj.
“Sa më kujtohet, ishte ditë e hënë (1 qershor 1998). Në mëngjes, para orës 9-të, kemi vërejtur forcat serbe se po digjnin shtëpitë e fshatit Pobergjë. Ishim bashkë me dy Zizat dhe Shkurten. Kemi dalë nga shtëpia ku qëndronim me qëllim që të iknim pre aty. Unë jam nisur nga një kënd i shtëpisë, ku kanë qenë “vllaqat” e traktorit dhe do dërrasa. Pas meje ka ardhur edhe Ziza e Salihut, ndërsa Ziza e Hasanit dhe Shkurta e Nimonit nuk arritën të fshiheshin. I zunë në derë duke dalë nga shtëpia. Ne i shihnim dhe njëkohësisht dëgjuam kur e pyetën Shkurten a e kishte burrin në shtëpi. Ajo u përgjigj se nuk ishte askush brenda. Pas kësaj e kam dëgjuar për herë të fundit zërin e saj. “Mosni, mosni…”, – ishin fjalët e fundit që i dëgjuam nga goja e saj. Aty u vranë Shkurta dhe Ziza e Hasanit. Unë dhe Ziza tjetër, shpëtuam. Nuk na panë. Qëndruam të fshehura deri në mbrëmje. Pasi u errësua u larguam. Trupat e pajetë të Zizes dhe Shkurtes, mbetën në oborr. Në fushë, pak larg shtëpisë qëndruam të fshehura tërë natën. Si zbardhi dita u nisëm për Polana. Më pas vazhduam në drejtim të Dranocit dhe Prejlepit” – ka thënë në dëshminë e saj Dyke (Ramë) Tolaj, e lindur më 20 shkurt 1949.
Përjetime të rënda kishin kaluar edhe nënë e bijë, Tabja dhe Zoja, të cilat për disa ditë kishin mbetur duke u strehuar natën nëpër shtëpi të ndryshme të boshatisura, ndërsa ditën nëpër fusha. Zoje (Dinë) Hoxhaj (mbiemri i vajzërisë Tolaj), e lindur 23 maj 1943 në Pobergjë, ka dhënë këtë dëshmi:
“Serbët ndërmorën ofensivë kundër fshatrave të Vokshit. Ishim detyruar të fshiheshim në stallën tonë. Për fat nuk na hetuan dhe shpëtuam, mirëpo paraprakisht forcat serbo-sllave kishin vrarë disa persona dhe djegur shumë shtëpi të Pobergjës. Isha me nënën time dhe kushëririn Idriz Zeqën. Mbetëm tri ditë të fshehur. Natën dilnim për të kërkuar ushqim, por gjithnjë duke pas kujdes se po na hetoheshim nga serbët. Në ditën e tretë ishim të fshehur që të tre. Të shtënat vinin në vendin ku ishim fshehur, prandaj u detyruam të largoheshim.  Pas tri ditësh i kemi thënë Idrizit që të largohej. Ai nuk donte në asnjë mënyrë të n’a linte të vetmuara. Pas insistimit tonë u largua. E kemi përcjellë me shikim deri te shtëpia e Salihut dhe Hasanit. Nga aty e tutje nuk dimë gjë për të. Pas luftës na kanë thënë se është i zhdukur. Ne qëndruam ashtu për disa ditë. Jeta jonë shkoi duke u vështirësuar. Nuk kishim ushqime dhe nuk guxonim të lëviznim. Çdo ditë jemi fshehur nëpër fusha. Një ditë mësymë kah drejtimi i Lloçanit, duke besuar se do të takonim ndokënd. Nuk takuam askënd. Jemi kthyer prapë në drejtim të Pobergjës. Kaluam kah shtëpia e kushërinjve tanë, Ukës dhe Osmonit. Në bahçen e tyre i kemi gjetur që të vrarë afër gardhit. Po ashtu, të vrara në oborrin e tyre i pamë edhe Shkurtë dhe Zizën. Të tmerruara vazhduam rrugën. Sapo jemi ofruar te shtëpia e jonë, na hetuan serbët. Na detyruan të shkojmë në shtëpinë e Bilall Demëve. Aty na kanë maltertuar psikikisht dhe fizikisht. Na plaçkiten, duke na i marrë 500 marka gjermane. Derisa ne ishim nën ethet e frikës dhe tmerrit aty e sollën edhe Osmon (Avdyl) Hadërgjonaj. E kishin dërmuar së rrahuri. Osmoni iu kërkoi pak bukë, ngase kishte disa ditë pa hëngër. Ia sollën bukën, duke ia gjuajtur si një kafshe. Në pamundësi që ta përpinte kërkoi ujë. Për këtë kërkesë njëri nga policët e qëlloi me pushkë, duke e vrarë në vend. Ne u tmerruam se çfarë ndodhi me haxhi Osmonin. Në ato momente, dukej se diçka kishte ndodhur, gjë që serbët dolën shpejt nga shtëpia e Bilallëve. Ne e shfrytëzuam rastin dhe ikëm. Kemi kaluar në anën tjetër të rrugës, kah shtëpia jonë, ngase kishim vend ku të fshiheshim. Disa ditë të tmerrshme i kaluam në përroin afër shtëpisë sonë. Nuk kishim ushqim. Të lodhura sa nuk ka më u larguam edhe prej atij përroi. U nisëm drejt kufirit. Nëpër lugje e brigje kemi mbërritur në Jasiq. Për fatin tonë aty kishin qenë luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Tahir Zemaj. Pas një trajtimi në Jasiq, me urdhër të Tahirit, me dy kuaj na kanë dërguar në Tropojë”, – ka thënë Zoje Hoxhaj në dëshminë rrëqethëse të saj.
Në aksionin e “tokës së djegur” kanë humbur pa gjurmë Isuf (Camë) Mazrekaj, Ajmane Mazrekaj dhe Fazli (Hazir) Mazrekaj nga fshati Voksh. Ndërsa, të pagjeturit e fshatit Lloçan janë: Tixhe (Halit) Tolaj (74-vjeçare), Dinë (Rexhep) Cenaj (59 vjeçar), Sylë (Ahmet) Himaj (89-vjeçar), Mone Cenaj (78-vjeçare) dhe Xufe Cenaj (74-vjeçare). Po në këtë ofensivë janë vrarë edhe Tafil dhe Shaban Kasumaj, që të dy nga Lloçani. Ndërsa, në fshatin Hulaj të zhdukur janë: Muzli (Osë) Hulaj dhe Hazir (Selim) Hulaj.
Një segment të sulmit në Lloçan e ka përshkruar Demë (Isuf) Himaj. Ndër tjerash ka thënë:
“Më 1 qershor 1998, forcat serbe kanë filluar të granatojnë në drejtim të fshatrave të Vokshit. U sulmua edhe fshati Lloçan. Ne u detyruam të largoheshim nga aty, në drejtim të fshatit Voksh. Aty kemi qëndruar dy ditë. Kur jemi nis për Shqipëri, vëllai im Syla (90- vjeçar) është ndarë nga ne, të cilin edhe sot e kësaj dite, nuk e kemi gjetur”,-ka treguar Demë (Isuf) Himaj.
Gjatë kësaj ofensive janë vrarë e zhdukur edhe shumë qytetarë në fshatin Carrabreg, dhe në qytetin e Deçanit.
Në Carrabreg janë vrarë dhe zhdukur: Muharrem Lataj, Besart Dautaj, Hate Lataj, Teuta Loshaj, Zenel Dautaj, Cufë Balaj, Sylejmon Zekaj, Ajmane Balaj, Ajshe Loshaj, Murat Dautaj, Hamdi Dautaj, Zekë Dautaj, Ramadan Dautaj, Jakup Dautaj, Ilaz Dautaj, Shaqir Dobraj, Lush Binakaj, Sali Binakaj, Mone Balaj, Gale Loshaj, Nife Balaj, Avdyl Dobraj, Azmon Dautaj, Idriz Qorraj, Zeqë Qorraj, Adem Ukëhaxhaj, Faik Ukëhaxhaj, Besim Ukëhaxhaj, Bajram Ramosaj, Lavdim Likaj , si dhe Blerim Dervishaj nga Irzniqi.
Kurse në qytetin e Deçanit janë vrarë e zhdukur: Isë Kuçi, Bajram Gogaj, Himë Mushkolaj, Nagip Cacaj, Haxhi Ibërhysaj, Tahir Ibërhysaj, Haxhi Boshtraj, Tafë Cacaj.
Besnik (Haxhi) Ibërhysaj i lindur më 5 mars 1965 në Deçan, ka treguar për zhdukjen e babës dhe axhës së tij, sikurse që ka treguar se si ka shpëtuar nga kriminelët serb. Besniku, së bashku me kushëririn Hasanin, kishin qenë të fshehur nën kulmin e shtëpisë, në kohën kur piromanët ia kishin futur zjarrin. Mirëpo, fati i tyre kishte qenë një litar që e kishin gjetur në tavan, gjë që kanë arritur të largohen nga vendi që ishin fshehur, duke parë vdekjen me sy. Besniku kishte bërë përpjekje që të gjën së paku kufomat e babës dhe axhës, por ishin të kota përpjekjet e tij.
“Më 29 maj 1998, ishim në shtëpi me babanë, Haxhiun dhe axhën Tahirin. Fatbardhësisht gruan dhe fëmijët dy ditë më parë i kisha vendosur në Isniq. Së bashku me Hasanin dhe babën e axhën qëndronim në shtëpi, edhe pse forcat serbe kishin filluar të digjnin shtëpitë nëpër qytetin e Deçanit. Nga ballkoni i shtëpisë i kemi parë shtëpitë duke u djegur, ndër to edhe shtëpia Zymer Ibërhysaj dhe Enver Kuçit. Forcat e llojllojshme serbe kishin hyrë nëpër shtëpitë e deçanasve, duke i djegur një nga një. Sa ishim në ballkonin e shtëpisë kemi dëgjuar zëra duke folur në radiolidhje. Zërat vinin nga shtëpia e Enverit. Nga përmbajtja e tyre kuptuam se prej aty i drejtonin granatimet. Ato bëheshin  nga “Podi i gështenjave” dhe vende të tjera. Në atë kohë, në odën e burrave, kanë qenë duke qëndruar baba me axhën, i cili ishte shurdhmemec. Iu kam thënë të dyve se na rrethuan. Baba na ka thënë që të hipnim në tavanin e shtëpisë. Sapo jemi ngjitur në tavan, forcat serbe kanë rrëmbyer me forcë babën dhe axhën. Kurrë nuk kemi arritur të mësojmë për fatin e tyre”, – ka treguar Besniku, i cili më pas ka përshkruar edhe djegien e shtëpisë në kohën sa qëndronin të fshehur në tavanin e saj. Ka thënë se e kanë parë vdekjen me sy derisa janë larguar përmes flakëve të zjarrit.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …